E rëndë/ “Ushtari shqiptar në Letoni po lufton për jetën”

523
Sigal

Portali më i madh letonez, Delfi, shkruan se një nga dy ushtarët shqiptarë, që u plagosën nga shpërthimi të hënën në mëngjes, është në gjendje të rëndë. Sipas portalit, ai po lufton për jetën dhe mjekët thonë se gjendja e tij është shumë e rëndë. Ai është shtruar në Spitalin Universitar Lindor në Riga. Nga shpërthimi u vra Zarife Hasanaj dhe u plagosën Klodian Tanushi dhe Julian Kapaj.

Shpërthimi u regjistrua rreth orës 9:30 të mëngjesit. Leonid Kalninsh, komandant i Forcave të Armatosura Kombëtare shprehu mirënjohjen për gatishmërinë e treguar nga Shërbimi i Emergjencës Mjekësore. Ata mbërritën me shpejtësi rruge. Por fatkeqësisht, oficerja e re nuk ia doli. Ajo vdiq brenda një ore.

Dihet se ngjarja ka lidhje me neutralizimin e një mjeti të pashpërthyer- Shqipëria i ka dërguar xhenierët e saj direkt në Grupin Luftarak të NATO-s në Letoni. Siç shpjegoi komandanti Kalninsh gjatë një konference të jashtëzakonshme për shtyp dje, shqiptarët, sipas specializimit të tyre, po përgatisnin një zonë për të operuar, në mënyrë që njësitë e tjera të kalonin të sigurta. Drejtuesi i Grupit Luftarak të NATO-s, Joshua Maid tha se më shumë se 50 trupa shqiptare ishin të angazhuara me këtë detyrë. Se çfarë shpërtheu ekzaktësisht dhe arsyeja mbeten të paqarta.

Në median shqiptare thuhet se misioni ishte shkatërrimi i minave nga Lufta e Dytë Botërore. Ndoshta aleatët kishin vendosur të merreshin me trashëgiminë ushtarake, pasi ka shumë mina të tilla në Letoni. Në pranverë toka kontrollohet imtësisht. Javën e shkuar, vetëm xhenierët letonezë neutralizuan 343 mjete shpërthyese.

Sidoqoftë duhet të kemi parasysh se poligoni Adazi është duke u përdorur në mënyrë intensive, ndaj ekziston mundësia që të bëhet fjalë për një mjet shpërthyes me origjinë më të re se koha e Luftës së Dytë Botërore. Në rast se njësitë e tjera, si e jona, janë larguar nga zona, ky aspekt i përgjegjësisë duhet të merret në konsideratë.

Në Letoni, grupi shqiptar është relativisht i vogël, kështu që nuk pati asnjë nga kontigjenti shqiptar në konferencën për shtyp. I gjithë lidershipi ishte angazhuar me hetimet. Natën erdhën edhe atasheu ushtarak shqiptar dhe përfaqësuesi në Bruksel. Pala letoneze ka ofruar mbështetje për shqiptarët, duke përfshirë edhe transportin e oficeres së vdekur dhe të ushtarëve të dëmtuar në shtëpi.

Komandanti Kalninsh shpreh keqardhjen për atë që ndodhi. Ky është një mjedis i rrezikshëm, një profesion i rezikshëm dhe një në 10 milionë raste fatkeqësisht ndodhin pavarësisht profesionalizmit të lartë të ushtarëve. Ngushëllime për Shqipërinë kanë shprehur zyrtarët më të lartë të shtetit. Sigurisht kanë reaguar edhe liderët shqiptarë.

Kjo nuk është hera e parë që një ushtarak vritet në Letoni gjatë paqes. Rastet janë të ndryshme- si për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, ashtu edhe për shkak të aksidenteve të trafikut. Ose hedhjet e gabuara me parashutë. Por rasti më i rëndë u regjistrua në vitin 2011, me një shpërthim në të njëjtën bazë ushtarake, në Adazi, të shkaktuar nga papërgjegjshmëria totale e një roje kombëtare. Ai gjeti një granatë të pashpërthyer dhe nuk e raportoi menjëherë gjetjen tek drejtuesit, por e vuri atë në një qese në një autobus finlandez. Shtatë ushtarë u plagosën gjatë shpërthimit. Një nga të plagosurit ndërroi jetë menjëherë. Një tjetër është i paaftë për të vazhduar jetën. Dhe gjëja më e tmerrshme është se fajtori ishte nën ndikimin e alkoolit në stërvitje, por askush nuk e vuri re. Ose pretenduan se nuk e vunë re.