E ardhmja e NATO -s, europianët samit me Obamën

537
Sigal

Presidenti
amerikan Barack Obama përfundoi vizitën e tij të fundit zyrtare në Gjermani,
pas një takimi me udhëheqës evropianë, ku u ra dakord që të vazhdojë
bashkëpunimi përmes NATO-s. Bisedimet me udhëheqësit e Gjermanisë, Britanisë,
Francës, Italisë dhe Spanjës u përqendruan tek sfidat e sigurisë dhe ato
ekonomike.

 

Shtëpia e Bardhë tha përmes
një deklarate, se Presidenti Obama, Kancelarja gjermane Angela Merkel,
Presidenti francez Francois Hollande, kryeministri italian Matteo Renzi, ai
spanjoll Mariano Rajoy dhe kryeministrja brianike Theresa May, ranë dakord se
duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku në organizma ndërkombëtare si NATO-ja
dhe të çojnë përpara programin transatlantik.

“Udhëheqësit ranë dakord për
nevojën për të punuar së bashku për të çuar përpara axhendën transatlantike,
veçanërisht për të sjellë stabilizim në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut,
si edhe për të siguruar zgjidhjen diplomatike të konflikteve në Siri dhe
Ukrainën lindore”, thuhej në deklaratë.

Marrëveshja e tyre vjen pas
fitores në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara, të Republikanit
Donald Trump, i cili gjatë fushatës tha se nëse Rusia sulmonte një vend anëtar
të NATO-s, ai do të shqyrtonte nëse vendi që ishte vënë në shënjestër kishte
plotësuar angazhimet e mbrojtjes, para se të vendoste nëse do ta mbronte apo
jo.

Udhëheqësit ranë dakord që të
vazhdojnë t’i mbajnë sanksionet ndaj Rusisë lidhur me konfliktin në Ukrainën
Lindore.

Takimi i zotit Obama me udhëheqësit
evropianë, pasonte bisedimet që ai mbajti me një ditë më pare me kancelaren,
Angela Merkel.

Ai i bëri thirrje zotit
Trump, që t’i bëjë qëndresë Rusisë, duke thënë se shpreson që presidenti i
zgjedhur të mbajë një “qëndrim konstruktiv” të ngjashëm me të tijin, “duke
gjetur fusha bashkëpunimi me Rusinë, kur vlerat dhe interesat përputhen”.

“Shpresoj që të mos përqafojë një qëndrim realpolitik dhe
të lërë të kuptohet se ne bëjmë disa pakte me Rusinë, nëse na intereson për
momentin edhe nëse dëmtohen njerëz, apo shkelen normat ndërkombëtare apo
ekspozohen vendet e vogla apo shkaktohen probleme afat-gjata në rajone si
Siria”.

Udhëtimi i fundit i zotit
Obama në Evropë si president, përfshiu vizita në Greqi dhe Gjermani.

Ai u nis sot për në Peru për
të marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë të Bashkpunimit të
Azi-Paqësorit.