Dy anije me 500 klandestinë mbyten në Mesdhe, dyshohet për qindra viktima

436
Tjetër tragjedi në detin Mesdhe për klandestinët. 2 anije të tejmbushura me rreth 500 emigrantë nga Afrika dhe që ishin nisur drejt Italisë, janë mbytur pranë brigjeve libiane duke shkaktuar më shumë se 200 të vdekur.
Një zyrtar nga qyteti Zuvara, prej ku ishin nisur anijet , tha se në bordin e njërës ishin rreth 400 persona.
Sipas autoritetve shumë prej tyre ishin bllokuar nën ujë dhe nuk mundën të shpëtonin.
Roja bregdetare libiane arriti të shpëtonte 200 prej klandestinëve, pjesa më e madhe e të cilëve u transportuan në një qendër pritje perëndim të Tripolit.
Një prej të mbijetuarve tha për Reuters se ishte i vetëdijshëm që udhëtimi do të ishte i rrezikshëm, por nuk kishte asnjë rrugë tjetër.
Ai tha se anija nuk ishte në kushte të mira dhe e tejmbushur me klandestinë.
Roja bregdetare italiane që po koordinon operacionet në Mesdhe nuk mundi të konfirmonte ngjarjen, por një zëdhënës i Hënës së Kuqe tha se 198 persona ishin shpëtuar nga mbytja. Sipas tij numri fillestar i viktimave ishte 66, por bilanci do të rritej në orët në vijim.
Ndërkohë të mërkurën trupat e rreth 50 klandestinëve të tjerë u gjetën në brigjet libiane.
Një anije e rojës bregdetare suedeze transportoi viktimat në portin italian të Palermos, ndërsa arriti të shpëtonte edhe 400 klandestinë të tjerë që rrezikonin të mbyteshin.
Mijëra emigrantë nisen çdo ditë nga brigjet libiane drejt Europës në një udhëtim që nga shumë refugjatë konsiderohet si rruga e vdekjes.
Roja bregdetare e Libisë nuk është e përgatitur për të përballur me fluksin e klandestinëve pasi kapacitetet e saj me anije janë të pakëta.
Ndërkohë mijëra emigrantë të tjerë po qendrojnë në qendrat e përshtatura nga qeveria e Tripolit, të cilat nuk ofrojnë as kushte më minimale të jetesës.
Sigal