Dramë e xhelozi, aksidentohet për vdekje shqiptari në Itali

447
”Një stalker i dhunshëm” ky është motivi i vdekjes së një emigranti shqiptar mëngjesin e së hënës në Bergamo të Italisë.

Shqiptari Agron Beshmata 44 vjeç rezident prej vitesh në komunën Chiari në Itali i martuar dhe baba i 2 fëmijëve është aksidentuar për vdekje mëngjesin e së hënës nga shtetasja italiane Donatella Chiari, 44 vjeçe , gjithashtu rezidente në qytezën Chiari në provincën e Bergamos.

Sipas versionit të shtetases italiane , emigranti shqiptar prej vitesh e persekutonte me mesazhe fyese në telefon.

Emigranti shqiptar kishte punuar kohë më parë në sipërmarrjen e ndërtimit të babait të saj. Kishte mundur të merrte numrin e saj të telefonit duke nisur t’i shkruante mesazhe ofenduese e kërcënuese .

Të dielën në mbremje shtetasja italiane kishte kaluar mbrëmjen në kinema e në shoqërinë e djalit dhe të një mikut të saj. Ky fakt kishte shkaktuar xhelozinë e shqiptarit i cili e kishte kërcënuar deri me vrasjen e të birit. Me anë të një sms shqiptari i shkruan “nëse nuk bën atë që them unë do të djeg djalin”.

Italiania Donatella Chiari ka denoncuar këtë fakt në polici . I marr në pyetje natën e së dieles nga autoritetet italiane , shqiptari Agron Beshmata është përgjigjur se djali është i tij e se shtetasja italiane e ka lindur pas një marrëdhënie dashurie që ata kanë pasur në të shkuarën.

Një ditë më pas, mëngjesin e së hëmës, në ora 8.30, 44 vjeçari shqiptar ka pritur Donatella Chiari pranë vendit të saj të punës, në bibliotekën e zonës. Mes tyre ka nisur një grindje e dhunshme. Sipas rrëfimit të italianes shqiptari ishte i armatosur me thikë duke e plagosur në duar. Nga frika ajo është mbyllur në makinë e në tentativën për tu larguar ka aksidentuar për vdekje shqiptarin.

Emigranti shqiptar Agron Beshmata 44 vjeç ka ndërruar jetë në spitalin e qytetit. Ai ishte i martuar me një shtetase shqiptare e baba i 2 fëmijëve.
Sigal