Dr. Apostol Kotani/Vështrim Historik mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke ndër vite

477
Sigal

 Shkollat, kishat greke, së fundi edhe varrezat, pararendëse, armë në duart e shovinistëve greke në synimet e tyre ndaj trojeve shqiptare

Historia e Shqipërisë, që nga shekulli i 19-të, është e mbushur plot fakte të përpjekjeve të shovinistëve grekë të “Megali Idhese”(Greqisë së Madhe), për të depërtuar në trojet shqiptare, me anë të gjuhës, shkollës dhe kishës greke, për t`i përdorur këto, në momente të caktuara si “argument” për t’a paraqitur popullsinë shqiptare të krahinave të Jugut si popullsi greke.

Po më mirë për këto, t’u referohemi fakteve historiko-dokumentare: Para se gjithash të skanojmë të vërtetën e fjalës “Vorio Epir”(Epir i Veriut). Epir ose Eperios, do të thotë stere, ose tokë kontinentale. Pra është një shprehje gjeografike me të cilën banorët e ishujve të Greqisë të Detit Jon, duke u nisur nga pozita e tyre ishullore, kanë quajtur krahinat përballë tyre, d.m.th. krahinat e banuara nga ilirët.

Vetë Tuqidhidhi, një historian i lashtë grek i ka quajtur “Barbarë” banorët e Epirit, pra jo grekë. Edhe studimet dhe zbulimet arkeologjike, përfshi edhe fushën e Dropullit, kanë zbuluar me shumicë emra njerëzish, fisesh dhe emra gjeografike, me prejardhje ilire.

Gjuha dhe kultura greke në brigjet detare të Ilirisë janë përhapur në gjysmën e dytë të shekullit të 8-të kur filloi ngritja e kolonive greke. Megjithë këtë qarqet shoviniste greke nuk kanë pushuar edhe sot e këto ditë, dhe përpjekjet e tyre, deri edhe me forcën e armëve për të shkëputur gjithë krahinat e Shqipërisë Jugore. Më të shfrenuar në këto synime ata, janë treguar pasluftës Ruso-Turke të vitit 1877, duke pasur edhe mbështetjen e Rusisë. Ata, më 1878 me forca të shumta sulmuan kalanë e Lëkurësit por vendasit e mbrojtën atë me heroizëm. Në ndihmë të tyre shkuan edhe himarjotët. Lind pyetja, si është e mundur që himarjotët, që Greqia i konsideron popullsi greke, të shkojnë e të luftojnë kundër “vëllezërve” të tyre?! Kështjella u mbrojt dhe ushtritë greke u tërhoqën.

Qysh në kohën e sundimit turk, nëpërmjet Patrikanes së Stambollit, dhe më vonë të Fanarit Grek të Athinës, përpjekjet e tyre u bënë gjithnjë e më të mëdha. Me fitoren e Revolucionit Grek të 1820, ku një kontribut mjaft të madh dhanë edhe shumë figura shqiptare, dhe me disfatën që pësoo Perandoria Osmane në luftën Ruso-Turke të 1829, dhe me hyrjen e saj në rrugën e shthurjes, kish nevojë për mbështetjen e Greqisë, për të vazhduar sundimin mbi Shqipërinë. Për t’i dhënë këtë mbështetje, plotësoi kërkesën e Greqisë dhe e lejoi të hapte shkolla dhe kisha greke, të përhapte gjuhën dhe letërsinë greke në krahinat e Jugut. Për të justifikuar pretendimet e mëvonshme për këto troje, duke i paraqitur si popullsi greke. Duke parandjerë rrezikun që i paraqitej kombit, Udhëheqësit e Rilindjes Kombëtare, pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vunë si detyrë parësore lëvrimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, shtypjen dhe sjelljen nga jashtë të abetareve, librave dhe gazetave në gjuhën shqipe si dhe çeljen e shkollave shqipe. Por kundër këtyre përpjekjeve legjitime, u sulën me gjithë forcat dhe mjetet, deri edhe me terror, shovinistët grekë. Ata propagandonin me të madhe se “Gjuha greke është gjuhë e Zotit, kurse gjuha shqipe është gjuhë e të paudhit”. Në fushatën e greqizmit nuk munguan edhe grekomanët e vendit, armiqtë e kombit shqiptar, siç ishte edhe dhespoti i Korçës, Foti, i cili kish dhënë urdhër të ndalohej lëçitja e ungjillit në gjuhën shqipe. Por këtyre iu be një demaskim i fortë nga patriotët shqiptarë. At Stath Melani, që guxoi të predikonte në gjuhën shqipe në Kishën e Përmetit më 1899, u mallkua, u shkishërua dhe më në fund u masakrua deri me prerje të kokës dhe çuarjen e saj në Greqi te Fanari Grek. Kështu e pësoi edhe Petro Nini Luarasi më 1911, që punoi për përhapjen e gjuhës shqipe. Forca e fjalës së tij për gjuhën dhe autoktoninë e shqiptarëve shprehet prej tij në vargjet: “Edhe Krishti ne na thente,/ Unë jam grek, eni pas meje./ Do t`i themi: Pa mblidh mentë!/        Se shqiptari s`vjen pas teje”.

Presionet dhe burgosjet e shovinistëve grek ndaj përhapësve të gjuhës shqipe nuk kanë të numëruar. Në dhjetëvjetorin e parë të shekullit të XX-të, kur Fuqitë e Mëdha të Evropës do të vendosnin mbi kufijtë e Shqipërisë, qarqet shoviniste greke, dërguan në këto krahina mësues e ushtarakë të veshur civile, për të përhapur në nxënësit e shkollave, por edhe në të rriturit gjuhën greke, për t’a përdorur më pas si provë ndaj Komisionit Ndërkombëtar, se popullsia e këtyre krahinave ishin grekë. Gjatë vitit 1913 grekërit u sulën kundër teqeve dhe klerikëve të tyre, ndërtesat i shkatërruan kurse klerikët i masakruan si, Baba Aliun e Gjirokastrës, Dervish Sulejmanin dhe Dervish Lamçen në Golem, Baba Afis Ahmetin dhe dervish Shefkiun e Kuçit etj. Ata nuk kursyen as priftërinjtë. Këto do të pasoheshin pastaj edhe me ndërhyrjen ushtarake dhe me organizimin e të ashtuquajturës “Kryengritje Vorio Epirote” në vitet 1913-1914, gjatë së cilës u përshkuan gjithë fshatrat e Jugut me masakra, me vrasje të burrave, grave, pleqve dhe fëmijëve deri edhe në barkun e nënave, me plaçkitjen dhe djegien e rreth 300 fshatrave. Ushtritë greke që në tetor 1912 pushtuan Himarën dhe i prenë qeverisë së Vlorës Kabullin ndërlidhës, për ta izoluar me boten e jashtme.

Megjithë këto, populli shqiptar, si kurdoherë, ka ditur të bëjë dallimin e popullit grek nga qarqet shoviniste qeveritare dhe klerikale dhe ndaj popullit, të mbajë qëndrim miqësor, sikurse u vërtetua edhe në kohën e agresionit fashist italian kundër Greqisë, të cilin populli shqiptar jo vetëm që e dënoi dhe e sabotoi, por edhe mirëpriti ushtritë greke kur hynë në trojet shqiptare në ndjekje të fashistëve italianë. Kjo dëshmohet edhe nga përmbajtja e letrës së Musolinit, që i dërgoi atëherë Hitlerit si dhe, pavarësisht se ishte një hyrje e paligjshme dhe e qëllimshme nga lajmet e agjencive të ndryshme të informacionit. Populli shqiptar i pranoi ushtarët grekë nëpër shtëpitë e veta, dhe i ndihmoi me mënyra të ndryshme deri në mbarim të luftës italo-greke. Ai bashkëpunoi me forcat antifashiste greke dhe Greqia është i pari vend me të cilin u hapën kufijtë më 1985 dhe për miqësinë midis dy popujve u shkruajt më 1984 edhe një libër i posaçëm nga Enver Hoxha. Megjithë këto qarqet shoviniste greke kanë mbajtur dhe mbajnë ende në fuqi Ligjin e Luftës me Shqipërinë. Mbajnë të shkruar në monumentin e ushtarit të panjohur grek, të ngritur përpara Parlamentit me mbishkrim se këta dhanë jetën e tyre për mbrojtjen e qyteteve heleniste të Gjirokastrës, Sarandës, Tepelenës, Përmetit, Korçës e Pogradecit. Vazhdojnë të predikojnë se trojet e Shqipërisë së Jugut u përkasin Greqisë. Ata edhe sot e këtë ditë janë përpjekur të hapin shkolla greke edhe aty ku nuk ka banorë të kombësisë greke, të ndërtojnë kisha edhe aty ku nuk ka popullsi ortodokse, si në Riban të Këlcyrës, apo në Menkulas të Korçës etj., të përhapin materiale propagandistike, të predikojnë gjuhën greke nëpër kisha, kur i madhi Fan Noli e ka përkthyer në gjuhën shqipe të gjithë ungjillin, të detyrojnë emigrantët shqiptarë  të fesë myslimane që të nderojnë fenë dhe të mbajnë kryqin në qafë, të joshin popullsinë e krahinave jugore me pensione nëse deklarohen se janë “Vorio Epirotë”, që duan bashkim me Greqinë, pa përmendur këtu provokacionet e hapëta, si në rastin e Himarës në fushatën zgjedhore, apo çelja e shkollave grekë në mënyrë arbitrare në gjithë jugun e Shqipërisë deri edhe universitetin grek të Korçës. Uzurpuan Kishën Ortodokse autoqefale shqiptare duke dërguar këtu si kryepeshkop Anastas Janullatosin dhe një serë priftërinjsh të tjerë. Dhe pasi e panë se me gjithë këto përpjekje dhe metoda nuk ja dolën dot të bindnin popullsinë e jugut që të deklarohet si popullsi greke, filluan uzurpimin e trojeve të jugut me të vdekurit duke ngritur varreza vend e pa vend siç është rasti i varrezave dhe manastirit në gryken e Këlcyrës që kanë zënë një hapësirë të madhe, varret e Boboshticës dhe tani kërkojnë edhe dhjetëra e qindra pika të tjera me qellim që nesër të thonë së këto janë troje greke. Nuk kanë munguar edhe kërcënimet e hapura për sulme ushtarake. A i dinë këto dhe të tjera fakte politikanët dhe pushtetarët tanë. Në mos i dinë le të studiojnë dokumentet historike, për të kuptuar synimet dhe qëllimet e shovinistëve grekë dhe të mos lejojnë shtrembërimin e të vërtetave historike, aq më pak fshirjen e të vërtetave nga historia, me komisione të përbashkëta për rishikimin e historisë. Historia jonë i ka mese të qarta dhe mese të vërteta ato që janë fiksuar në të. Politikanët greke do të bënin mirë t`i kërkonin të falur popullit shqiptar dhe jo të vazhdojnë me avazet e vjetra të pretendimeve territoriale, sidomos sot kur në botë ka hyrë fryma e mirëkuptimit, miqësisë, vëllazërimit dhe bashkëpunimit midis popujve në dobi të paqes, dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Pushtetarët të mos lejojnë shitjen e tokave të huajve. Të mbajnë qëndrim ndaj provokimeve të ndryshme. Shqiptarët, asnjëherë në historinë e tyre, shumë shekullore, nuk u kanë rënë në qafë të tjerëve, sidomos fqinjëve. Atëherë perse të tjerët i bien në qafë!?