Dorëhiqet Presidenti Napolitano pas 9 vitesh në krye të Italisë

586
Sigal

ITALI – Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano ka dhënë dorëheqjen mëngjesin e sotëm, pas 9 vitesh në krye të Shtetit fqinj. Tashmë kompetencat e tij do t’i kalojnë kreut të Senatit, Pietro Grasso, i cili duke filluar që nga dita e sotme deri në zgjedhjet e ardhshme Presidenciale në Itali do të ushtrojë detyrën e Presidentit.

Presidenti italian, Giorgio Napolitano, 89 vjeç, dha sot dorëheqjen, njoftoi presidenca e Republikës përmes një komunikatë të shkurtër.
 
“Napolitano nënshkroi sot në mëngjes aktin  e dorëheqjes nga posti i tij. Sekretari i përgjithshëm i presidencës u ngarkua për t’ia komunikuar zyrtarisht dorëheqjen e presidentit Napolitano krerëve të Senatit, Dhomës së deputetëve dhe Këshillit të Ministrave”, thuhej në komunikatë. 

Presidenti italian, Giorgio Napolitano ka shfrytëzuar fjalimin tradicional të fundvitit për të paralajmëruar edhe dorëheqjen e tij. Ai ftoi “Dhomat” dhe forcat politike të përgatiten për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

“Unë thjesht them se kam për detyrë të mos nënvlerësoj shenjat e lodhjes”, ka thënë Napolitano duke shtuar se dorëheqja e tij nuk do të ndikojë në punën e Parlamentit, pasi është një zgjedhje personale.

Napolitano theksoi se mandati i dytë si president ishte vendimtar për t’i dhënë Italisë një qeveri dhe për të inkurajuar një ballafaqim më konstruktiv midis palëve kundërshtare.