Audiopërgjime/ Jep dorëheqjen kryeministri i Ukrainës

444
Sigal

Audiopërgjimet detyruan të premten, 17 janar, kryeministrin e Ukrainës, Oleksi Honçaruk, të paraqiste dorëheqjen pas vetëm katër muajve në pushtet.

Shkak u bë incizimi i një takimi informal me ministra dhe zyrtarë të bankës kombëtare për të diskutuar zhvillimet ekonomike të vendit.

Në tri bisedat e postuara të mërkurën në media, Honçaruk fliste me përçmim për veten por edhe për njohuritë e presidentit të vendit, Volodimir Zelenski, kur bëhej fjalë për ekonominë.

“Zelenski ka një perceptim primitiv për ekonominë. Por as mua nuk ma pret shumë për këtë temë,” do u shprehej Honçaruk vartësve të tij më 16 dhjetor, duke shtuar se konceptin pse po forcohej valuta e vendit nuk mund t’ia shpjegonte presidentit, i cili vetë e filloi karrierën politike pas roleve si aktor komik në televizion.

Të premten, nëpërmjet një postimi në Facebook kryeministri 35-vjeçar tha se kishte respekt dhe besim te presidenti, ndaj edhe i kishte shkruar letrën e dorëheqjes.

Formalisht, largimi i kreut të qeverisë duhet të pranohet ose refuzohet nga parlamenti, ku partia e presidentit Zelenski ka shumicën.

Honçaruk një ditë më parë hodhi dyshime edhe mbi vërtetësinë e përgjimeve, duke thënë se bisedat janë manipuluar për të krijuar ide të gabuara, dhe se sulmet personale dhe ndaj qeverisë liberale tregonin se ekipi i tij po punonte si duhet.