Dogji fabrikën e tij të tapetave për 1.2 mln euro, në burg siriani

46
Raghed Hajjaz, biznesmeni Sirian i tapetave që i vuri zjarrin fabrikës së tij për të përfituar nga siguracioni, është lënë në arrest në burg nga Gjykata e Apelit në Tiranë. Vendimi është marrë ditën e sotme, ku trupa e gjyqtarëve kanë lënë në qeli sirianin të akuzuar për akuzën e “Mashtrimit me siguracionet”. 
Kjo pasi ka tentuar të mashtrojë një kompani sigurimi, duke kërkuar t’i marrë asaj një shumë prej 1.2 milionë euro. Shifra financiare do të transferohej në llogaritë e biznesmenit si motivacion për dëmin e shkaktuar në fabrikën e tapetave që ndodhet në autostradë, biznes ky që u dogj nga flakët e zjarrit të rënë në ambientet brendshme të këtij biznesi.
Mirëpo pas verifikimeve të kryera nga ana e agjentëve të kompanisë private të siguracioneve, ka rezultuar se zjarri i rënë katër muaj më parë në fabrikën e tapetave ka qenë i qëllimshëm.
Sipas burimeve të prokurorisë një fakt i tillë është vërtetuar nga ekspertiza dhe disa dëshmitarë, të cilët kanë nxjerrë se zjarrëvënia ka shumë gjasa të ketë qenë e qëllimshme, dhe jo të ketë ardhur nga ndonjë anomali në rrjetin elektrik apo nga ndonjë pakujdesi. Mësohet se biznesmeni sirian Hajjazi, e ka ngritur këtë skemë me qëllim përfitimin e siguracionit, skemë nëpërmjet së cilës edhe një herë tjetër ka dalë me sukses.