“Do t’ua thyejmë eshtrat”, Armata e Veriut kërcënon pjesëtarët serbë të FSK-së

796
Autoritetet në Kosovë thonë se po i trajtojnë seriozisht disa pamflete të shpërndara në Komunën e Zubin Potokut në veri të Kosovës, përmes së cilave janë kërcënuar pjesëtarët serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kërcënimet pasojnë parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës nëpër sheshet e Prishtinës për shënimin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ku ishin të pranishëm edhe pjesëtarët serbë të FSK-së.
Pamfletet janë shpërnda nga e ashtuquajtura “Armata e Veriut”. Në pamflete, shkruhej: “Do t’ua thyejmë eshtrat”, duke iu referuar pjesëtarëve serbë të FSK-së. Të tilla pamflete janë hasur në objektin e Komunës së Zubin Potokut, pastaj janë gjetur të hedhura nëpër rrugë si dhe nëpër automjetet e parkuara në këtë qytet.
Sipas këtyre kërcënimeve, objekt sulmi nuk do të jenë vetëm ata serbë që janë bërë pjesë e FSK-së, por edhe vetë Komuna e Zubin Potokut dhe të gjitha dyqanet dhe degët që do t’u ofrojnë shërbime pjesëtarëve serbë të FSK-së.
Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës së Veriut, tha për Radion Evropa e Lirë se janë duke u kryer hetime rreth kësaj çështjeje.
“Sa u përket këtyre pamfleteve, Policia e Kosovës i ka gjetur ato në disa lokacione në qytezën e Zubin Potokut dhe si të tilla ne i trajtojmë me seriozitetin më të lartë. Për këtë çështje dhe me gjithë përmbajtjen kërcënuese të kësaj letre është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit. Nga aspekti hetimor, do të punohet në identifikimin e kryerësve dhe autorëve të këtij teksti. Policia edhe në aspektin operativ merr edhe masa shtesë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike”, tha Hoti.
Nga hetimet e bëra deri më tani rreth këtij rasti, sipas Hotit, nuk ka ende ndonjë të dyshuar.
“Nuk ka deri më tani të dyshuar. Situata është e qetë nuk ka ndonjë zhvillim të jashtëzakonshëm, por sidoqoftë format e tilla të kërcënimeve ne i trajtojmë me seriozitet të lartë”, tha ai.
Forca e Sigurisë së Kosovës është forcë shumë-etnike dhe mbi 10 për qind e përbërjes së saj janë nga komunitetet pakicë, përfshi pjesëtarë të komunitetit serb, boshnjak, rom, kroat e të tjerë.
Aktualisht, Forca e Sigurisë së Kosovës ka mandatin e një force emergjencash dhe ngritët nën mbikëqyrjen e NATO-s. Ajo synon që në të ardhmen të shndërrohet në Forca të Armatosura të Kosovës.
Burim Ramadani, zëvendësministër i Forcave të Sigurisë së Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se thirrjet kërcënuese që i kanë bërë pjesëtarëve serbë të FSK-së janë akte të izoluara dhe nuk përfaqësojnë interesin e askujt.
“Jam i bindur se angazhimi i pjesëtarëve serbë në institucionet e sigurisë së Kosovës është një kontribut i madh për ofrimin e sigurisë edhe për komunitetin e atjeshme, edhe për lokalitetet ku jetojnë edhe për Kosovën në tersi dhe rajonin në përgjithësi”.
“Ne kemi parë një kontribut të mirë të serbëve të Kosovës që janë përfshirë në të gjitha institucionet në Kosovës si në polici, gjykata…. dhe si të tilla thirrjet e tashmë që kanë ndodhur janë akte të izoluara dhe nuk përfaqësojnë as interesin e qytetarëve dhe as synimin për jetë më të mirë që kanë politikanët serbë të Kosovës”, tha Ramadani.
Pjesëtarët serbë të FSK-së edhe në të kaluarën kanë qenë cak i sulmeve nga persona të panjohur. Në nëntor të vitit të kaluar ishte raportuar se persona të panjohur kishin hedhur pajisje shpërthyese në shtëpitë e dy pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Zubin Potok.
Sigal