Diplomacia amerikane në kërkim të zgjidhjeve për Afganistanin

589
Ndërsa administrata e Presidentit Donald Trump po studion objektivat për vazhdimësinë e pranisë ushtarake amerikane në Afganistan pas 16 vitesh luftë, zyrtarët amerikanë po shqyrtojnë edhe opsionet për stabilizimin e konflikteve në rajon. Një prej tyre është mundësia e dialogut për procesin e paqes.
Ndërsa vazhdojnë sulmet vetëvrasëse dhe dhuna në Afganistan, Shtetet e Bashkuara po rishikojnë strategjinë e tyre në luftën më të gjatë në historinë e vendit.
Kryediplomati amerikan Rex Tillerson po shqyrton paralelisht mundësinë e lehtësimit të një dialogu ndërmjet Kabulit dhe talibanëve.
“Si në shumë vende të tjera, opsioni ushtarak apo strategjia jonë ushtarake ndoshta nuk do të triumfojë për të rivendosur paqen. Është pjesë e procesit, por në fund të fundit palët duhet të ulen në një tryezë për të vendosur bashkarisht të ardhmen”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert.
Kur Presidenti Trump u pyet nëse do të dërgonte ushtarakë të tjerë amerikanë në Afganistan, ai u përgjigj se “do të shohim”.
Disa analistë vënë në dukje rrezikun e vendosjes së prioriteteve të sigurisë mbi diplomacinë, dhe se administrata Trump mund të ketë pasoja politike nga një angazhim pa afat i njësive në Afganistan. Ata thonë se Uashingtoni duhet të gjejë një strategji gjithëpërfshirëse që do të trajtojë shumë nga sfidat me të cilat përballet Kabuli.
“Duhet të mendojmë vërtet për strategjinë diplomatike dhe në veçanti, se si do të angazhohemi me qeverinë afgane, e cila përballet me shumë telashe. Është një krizë madhore”, thotë Michael Kugelman, i Qendrës “Wilson”.
Gjatë një interviste me Zërin e Amerikës, ish-Presidenti afgan Hamid Karzai kundërshtoi me forcë një politikë që dërgon mesazhin për të intensifikuar luftën. Ai tha se mbështet një strategji amerikane që punon për paqen, nxit unitetin dhe marrëdhëniet e mira të Afganistanit me vendet fqinje.
Duke reaguar ndaj një raporti që arrin në përfundimin se depozitat e mëdha minerare të Afganistanit mund ta inkurajojnë Presidentin Trump të vazhdojmë angazhimin ushtarak, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert, refuzoi të komentojë për vendimet e mundshme që do të marrë presidenti amerikan.
Sigal