Dimitris Avramopoulos: Të heqësh dorë nga Shengeni, fillimi i fundit të projektit evropian

416
BRUKSEL-Fundi i qarkullimit të lirë në hapësirën Shngen, rrezikuar nga kriza migratore, do të shënonte fillimin e fundit të projektit evropian, paralajmëroi sot komisioneri evropian, Dimitris Avramopoulos, i ngarkuar me imigracionin. Nëse BE-ja nuk tregon unitet, ajo rrezikon ta kthejë Evropën në të kaluarën e saj të errët”, theksoi ai para eurodeputetëve në Bruksel duke shprehur keqardhje për aplikimin, që vazhdon të jetë i ngadaltë, të planit për shpërndarjen e refugjatëve të mbërritur në Itali dhe në Greqi.
Përballë një situate, shpeshherë, të pakontrollueshme, disa shtete anëtare kanë rikthyer kontrollet e përkohshme në kufijtë e tyre këto muajt e fundit, brenda një hapësire Shengen ku qarkullimi i lirë është normalisht rregulli. “Nëse Shengeni shpërbëhet, ju them se si e mendoj këtë, ky do të jetë fillimi i fundit të projektit evropian”, deklaroi Avramopoulos, për të cilin qarkullimi i lirë është arritja më e madhe e integrimit evropian.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për migracionin dhe sigurinë, nëse kufijtë janë të mbyllur, ekonomia është në rrezik, ekonomia është e kërcënuar”, shtoi ai. Për të ruajtur këto përfitime, ai u kërkoi shteteve anëtare të aplikojnë plotësisht masat e marra këto muajt e fundit dhe veçanërisht planin e ashtuquajtur “rilokalizimi” në BE i refugjatëve të mbërritur në Itali dhe në Greqi.
“Rilokalizimi nuk funksionoi, ju e keni thënë këtë dhe e konfirmoj”, theksoi Avramopoulos përballë eurodeputetëve. “U bëj thirrje shteteve anëtare të bashkëpunojnë më shumë”, shtoi ai. “Nëse shtetet anëtare janë të burgosura në programin e tyre të politikës kombëtare, ne do të dështojmë”, theksoi komisioneri evropian. “Nuk ka alternativë tjetër, nëse nuk avancojmë si një union duke përmbushur procesin e integrimit evropian, ne e kthejmë Evropën në të kaluarën e saj të errët”, theksoi ai.
Sigal