Dilaver GOXHAI:Po provohet se liria nuk dhurohet por fitohet

154

Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si kërkesë jetike e popullit shqiptar në Kosovë

  KOMUNIKATË NR. 78

PËR MJETET E INFORMIMIT PUBLIK

Ne luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës jemi shumë të indinjuar nga fyerja që vazhdon të përsëritet nga shumë dashakeqës tanë, duke na cilësuar si ekstremistë, pse e kërkojmë pavarësinë e Kosovës me armë në dorë, kërkesë, të cilën e kanë shprehur dhe vënë në programet e tyre edhe ata që na akuzojnë si ekstremistë.

Dihet se lufta e armatosur për liri është aktiviteti jetësor më ekstrem për të fituar lirinë dhe pavarësinë, por atë nuk mund ta bëjnë as frikacakët dhe as tartufët. Luftën për liri e pavarësi e bëjnë bijtë më të mirë, më tolerantë dhe më besnikë të popullit, të cilët rrëmbyen armët atëherë kur pushtuesi sërb kish tendenca për të zhdukur çdo gjë shqiptare në Kosovë. Po provohet se liria nuk dhurohet por fitohet.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si kërkesë jetike e popullit shqiptar në Kosovë, kur të gjithë ata që kërkonin lirinë me rrugë pacifiste kishin dështuar. Nëpërmjet pacifizmit tetëvjeçar u bënë shumë manipulime politike, për të mashtruar popullin shqiptar në Kosovë e për të frenuar çdo shkëndijë force për liri, pasi manipulatorëve politikë ua helmonte shpirtin frika e mosmarrjes së pushtetit, prandaj dhe solidaritetin me bijtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e zevendësuan me qëndrimin cinik, fyes e indiferent. Pasojë e këtij qëndrimi ishin edhe bisedimet në Beograd, kur ushtria serbe digjte tërë Kosovën dhe po shpërngulte 1.400.000 shqiptarë të Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si domosdoshmëri historike, ku luftëtarët e parë të saj ishin idealistët më të zjarrtë për pavarësinë e Kosovës, të cilët një pjesë të jetës së tyre e kaluan nëpër burgjet e Jugoslavisë, të akuzuar si antikomunistë dhe ekstremistë. Ne i kemi rrëmbyer armët as për interesa personale, as për interesa klasore dhe as për qëllime ideologjike, sikundër duan të na akuzojnë disa shqipfolës.

Populli shqiptar i Kosovës e formoi Ushtrinë e vetë Çlirimtare jo për revolucion shoqëror kundër qeverisjes me ngjyrë kombëtare, por po bën luftë për t’u çliruar nga pushtuesi shekullor. T’i ngatërosh këto të dyja, do të thotë të jesh qëllimkeq. Ne, luftëtarët e UÇK-së, të udhëhequr nga Qeveria e Pëkohëshme e Kosovës, si produkt i Marrëveshjes së Rambujesë, e kemi më se të qartë se është shteti ai që lind nga gryka e pushkës, dhe jo pushteti. Ne po luftojmë për të bërë shtet të lirë, ndërsa pushtetin e lirë e bën vota e lirë. Për këtë qëllim strukturat e UÇK-së janë duke u përsosur drejt objektivit tonë strategjik, në përshtatje me misionin e shënjtë: çlirimin e Kosovës, si ushtri me standarte të demokracive perëndimore. Këto përsosje, Shtabi i Përgjithëshëm shumë shpejt do t’i bëjë të njohura për opinionin.

Për Shtabin e Përgjithëshëm të UÇK-së                                                                                                          Agim   Çeku

Shefi i Shtabit

UÇK-ja MBRETËRIA E HEROIZMIT SHQIPTAR

 (Iintervistë me gazetaren e Radios “Kososva e Lirë”, Merjeme Mara – Berisha,në 28, 29 dhe 30 Dhjetor 2003)

 Radio Kosova e Lirë (RKL): Zoti Kryetar i Shoqatës “Vullnetari i Lirisë”, është hera e parë që radioja e jonë bën intervisë me ju, në cilësinë e kryetarit të kësaj shoqate. Ju faleminderit që pranuat ftesën tonë dhe do të dëshëroja të dinim se cila është përbëria e shoqatës, misioni i saj dhe a do të kini organin tuaj si shoqatë?

Dilaver Goxhai: Ju faleminderit për ftesën. Në shoqatën tonë, të cilën e kemi emërtuar “Vullnetari i Lirisë” bëjnë pjesë vullnetarët nga trevat shqiptare jashtë kufijve administrativë të Kosovës, si dhe nga diaspora jonë e të huaj, që iu përgjigjën thirrjes së Qeverisë së Përkohëshme të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për çlirimin e Kosovës prej pushtuesit shekullor. Gjithashtu, në këtë shoqatë bëjnë pjesë të gjithë ata vullnetarë, që nuk kanë qënë qytetarë të territoreve ku u krijuan dhe luftuan UÇPMB-ja dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe, që mbushën radhët e tyre. Nëpërmjet kësaj shoqate dhe gazetës së saj, me të njëjtin emër, do të zgjojmë nga gjumi mbrojtësit e statukuosë së heshtjes hermetike të institucioneve shtetërore e politike të Tiranës dhe Prishtinës ndaj vullnetarëve që shkuan në luftën për çlirimin e Kosovës e të trevave të tjera shqiptare, me mesazhin se do të jetë në nderin e tyre e të historisë sonë, në rast se e vlerësojnë kontributin e vullnetarëve të lirisë.

Eshtë vepra e këtyre vullnetarëve të të gjitha trevave shqiptare dhe të diasporës sonë të hershme e të tashme, që e ngacmoi ndërgjegjen kombëtare, për zëvendësimin ndërgjegjes së internacionalizmit proletar, (që ka mbizotëruar te shqiptarët deri në fillim të viteve ’90-të), si dhe ndërgjegjen e globalizmit, (që ekziston te politikanët tonë sot), me ndërgjegjen kombëtare shqiptare të hershme, e cila ka ekzistuar në luftrat e Skëndërbeut, Lidhjen e Prizërenit e deri në përfundimin e Rilindies sonë e që u manifestua triumfalisht në Kongresin e Lushnjës, e sidomos në zbatim të vendimeve të tij, ku idealizmi kombëtar i treguar në atë vit të zbatimit të atyre vendimeve bëri më shumë se ç’kishin bërë shqiptarët gjatë më shumë se 10 shekujve më parë. Dhe, së dyti, në rast se nuk do të ekzistonin këta dy kategori luftëtarësh, UÇK-ja doshta do të ish vlerësuar shumë më dobët ose hiç fare, pasi prezenca e tyre i dha asaj lufte karakter kombëtar. Këto janë dy nga arsyet rrënjësore pse e krijuam shoqatën tonë, me qëllim që në 5 vjetorin e përkujtimit të mbarimit të Luftës për Çlirimin e Kosovës t’u jepet vendi dhe nderi që i takon kësaj kategorie luftëtarësh.

 HOMAZH PËR ALI ALIUN – PRESHEVA

 Të gjithë ata që e kanë njohur Ali Aliun – Presheva, ose qoftë edhe sikur të kenë dëgjuar për të, sot që morën lajmin e ndarjes së tij nga jeta, jam më se i bindur se për momentin kanë heshtur, kanë ndalur punën apo bisedën apo ushqimin, në kujtim të jetës dhe veprës të këtij Njeriu të Mirë dhe Patriot deri në grahmën e fundit të jetës së tij. Të gjithë ata që e kanë njohur nga afër apo që kanë punuar me Bacën Ali Presheva janë krenuar dhe krenohen me atë njohje. Ndërsa unë kujtoj një nga momentet më mbresëlënëse në jetën time kur jam njohur dhe si jam njohur me Bacën Ali, dy vjet pas mbarimit të Luftës Çlirimtare në Kosovë.Gjatë luftes në Luginën e Preshevës, 2000-2001, nga Shteti amë, në radhët e UÇPMB-së ishte edhe një djalë nga Laberia, të cilin e ndaloi dhe e dënoi qeveri e Tiranes, me kryeministër Ilir Metën, me 13 muaj burg, me motivacionin: dezertoi nga ushtria e Republikes se Shqiperise dhe shkoi e luftoi në Preshevë. Arestimi iatij djali u bë dy muaj para se të ndalej lufta në Luginën e Preshevës dhe, pas 9 muajve iu bë gjyqi në Tiranë. Çuditërisht, gati disa minuta pasi pat filluar seanca gjyqësore, vjen në sallën ku zhvillohej gjyqi një prej policëve të shërbimit dhe njofton trupin gjykues se, kish ardhur një plak nga Presheva dhe dëshironte të ndiqte atë seancë gjyqësore. Trupi gjykues urdheroi që të lejohej plaku. Me të hyrë në sallë, plaku, pasi e falnderoi trupin gjykues që ia mundesoi kërkesën, u kërkoi që mundesisht ta lejonin të takonte ish luftëtarin e UÇPMB-së. Edhe këtë kërkesë ia plotësuan. Pasi e puthi në balle “te pandehurin për tradhëti”, u kthye nga trupi gjykues dhe u tha:

“U faleminderit shumë që më dhatë këtë mundesi që unë të mund ta njihja e ta puthja në ballë këtë djalë. Dhe, meqenëse ma dhatë këtë mundësi, ndoshta do të më lejoni t’ua shpjegoj, psenë.”  Dhe kryetari i trupit gjykues e lejoi, duke i dhënë shënjë me lëvizjen e kokës. “Une, vijoi plaku Preshevar, tanë jetën teme kam luftu me mënyrat e mia me çlirue trevat shqiptare, sidomos Preshevën teme, dhe me i bashku me Shqipninë amë. Për këtë edhe jam dënuar e kam kry mbi dy dekada burg, por kur erdhi dita me rremby armët, sikundër e shihni, nuk kisha ma  kambë. Por ja që, midis të rinjve nga Presheva, Bujanovci e Medvegja erdhën edhe shumë djem nga Kosova, Maqedonia e Shqipnia, madje edhe nga Labëria e largët, duke u mundu me bë realitet ëndrën dhe deshirën e qindra-mijëra shqiptarëve të vrarë e të burgosur nga Serbia e Jugosllavia. Ju bani ashtu si u thonë ligjet apo qeveritë tuaja, unë i them këtij djali: Faleminderit shumë në emër të të gjithë të gjallëve dhe të patrioteve të vrare e te vdekun, që erdhe për të na çliruar, duke qenë i gatshëm të japesh edhe jetën për çlirimin e Preshevës teme. Faleminderit!”

Dhe ai plaku nga Presheva ishte baca Ali Aliu. Pasi tha këto fjalë, baca Ali nderoi me grusht, dhe ashtu, çuk-çuk me bastunin në dorë, u largua nga salla e gjyqit. Në sallën e gjyqit, e cila ishte cip më cip me të afërm të të pandehurit për tradhëti pse pat shkuar me luftue në Preshevë, dhe gazetarë, nuk dëgjohej as miza. Edhe pasi doli Baca, heshtja vijoi. Atë e theu kryetari i trupit gjykues, i cili me vështirësi  i mbante emocionet, dhe tha: “Seanca për sot mbyllet. Ajo vijon nesër në të njëjtën orë”.

Kjo që unë tregova, nuk përbën as edhe një të miliontën e veprimtarisë së Bacës Ali Aliu, por ajo që unë dëshiroj të theksoj, është se vajtja e atij djalit nga Labëria në luftë për çlirimin e Preshevës, nuk ishte rastësi. Qysh në periudhën e Lidhjes së Prizerenit, në Labëri është kënduar dhe vijon të këndohet një këngë, tekstin e së cilës unë e kam kuptuar pasi filloi lufta në Preshevë, kur mesova se kufiri i atij territori me Srbinë është te Molla e Kuqe.

Ja se çfarë thotë kënga: “Moj Hanko buzë kutia/ Varu poshtë nga xhamia/ Të të shohin djemuria. / O djema mos më ngacmoni/ Merrni armët edhe shkoni/ Te Mollë e Kuqe qëndroni/ Me vëllezërit luftoni/ Pastaj eni e këndoni”. Por historia nuk mbaron me kaq. Në periudhën e çetes së Çerçis Topullit, pat ardhur në Labëri edhe një djalë nga Presheva dhe qe reshtuar për një periudhë disa mujore në atë çetë patriotike. E quanin Hasan Kadriu Presheva, i ati i Arben Presheves, sipas librit “Tradhëtia” të Kapllan Resulit, farefis me Bacën Ali Aliu.  Kështu që, djali i ardhur nga Labëria në luftën për çlirimin e Kosovës Lindore, në radhët e UÇPMB-së, ishte një domosdoshmëri e caktuar nga fuqi madhore atdhetare dhe jo rastësi. Kjo, edhe për një fakt tjetër. Hasan Kadriu pat qenë bashkluftëtar me  Hito Labin, që vrau Bimbashin turk në Gjirokastër, e cila është përjetuar te kënga: “Doli shkurti, hyri marsi / Gjirokastër u vra Bimbashi / Te rrapi në Mashkullorë / Foli Çerçizi me gojë…./ Të vranë o Bimbash të vranë / Çerçizi me Hito Labnë…” Mirëpo Hito Labi është stërgjyshi i djalit nga Labëria në radhët e UÇPMB-së. Ja që u vërtetua ajo që thotë filozofia se, domosdoshmëria e çan rrugën përmes rastësive.  Por kemi edhe një ngjashmëri tjetër. Çetën e kohës së Çerçizit e luftonte Perandoria e Sulltanit, ndërsa “çeten”-ushtri të Preshevës e luftonte Perandoria e Solanës, ndaj edhe ai djalë u dënua. Pra, historia përsëritet, por në një shkallë më të lartë. Dhe intuita e patriotit Ali Aliu e thirri dhe i tha: “Shko e falndero luftetarët”, dhe ai mori rrugën dhe erdhi prej Prishtine në Tiranë për të shprehur atë mirënjohje domethënëse para trupit gjykues të Tiranës. Sepse, patriot nuk është vetëm ai që rrëmben armët për liri e pavarësi, por gjithkush që e mbron popullin e tij nga padrejtesitë, hajnitë dhe poshtersitë e qeverisë së tij. I tillë ishte dhe do të mbetet në kujtesën e popullit shqiptar Baca Ali Aliu-Presheva.