Sigal

Kryeministri Ramush Haradinaj sot ka treguar zyrtarisht se kush do ta përfaqësojë Kosovën në dialogun me Serbinë.

Kryeministri Haradianaj, gjatë mbledhjes së rregullt të Qeverisë, ka thënë se ky ekip është një delegacion për bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Si Qeveri me këtë delegacion po marrim përsipër dhe përgjegjësitë tona për dialog. Kjo është një mundësi e mirë që Qeveria ta kryejë punën e vet dhe Parlamenti punën e vet”, ka thënë Haradinaj.

Por, normalisht, Shef i tij dhe i krejt ekipit vazhdon të mbetet Hashim Thaçi.

Vendimi është nënshkruar sot nga ana e kryeministrit Ramush Haradinaj. Ndërkohë data e përpilimit të vendimit është 20 shkurt të këtij viti, por ky po del të ketë qenë një gabim nga Zyra e Kryeministrit. Ndryshe, në po këtë datë liderët kosovarë kanë marrë vendim që të hyjnë në fazën e fundit të bisedimeve në Bruksel.

Ndërkohë që dokumenti është përditësuar me emrat e personave të cilët do të marrin pjesë në ekipin e udhëhequr nga Thaçi.

Gazeta Express ka siguruar vendimin e Qeverisë ku përshkruhen emrat të cilët do ta përbëjnë ekipin negociator në Bruksel, ndonëse i njejti ende nuk e ka marrë vulën e të parit të Qeverisë, Ramush Haradinaj.

Sipas vendimit Fatmir Limaj emërohet kryesues, ndërsa Enver Hoxhaj-zv’kryesues.

Ekipi tutje do të përfaqësohet nga anëtarët si Behxhet Pacolli, Dardan Gashi, Mahir Yagcilar si dhe Avni Arifi. Por, jo vetëm.

Kësaj liste, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka shtuar edhe nga një përfaqësues nga partitë opozitare: LDK, VV, PSD dhe Alternativa. E përveq tyre, në procesin e dialogut do të marrin pjesë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, shkruan Gazeta Express.