Dhuna në parlamentin maqedonas, ministri i Brendshëm jep dorëheqjen: Ndjej përgjegjësi

165
Ministri i Brendshëm në Maqedoni, Agim Nuhiu ka njoftuar përmes një deklarate për mediat se ndihet përgjegjës për dhunën në Parlamentin e Maqedonisë dhe për këtë arsye ka paraqitur dorëheqjen e tij nga ky post.
“Unë si ministër, në emër të ministrisë, i dënoj ngjarjet që ndodhën mbrëmë në Kuvendin e Maqedonisë. Dua të ju njoftoj se pjesë të MPB-së nuk e kanë kryer punën, për të cilën do të kenë përgjegjësi. Unë si ministër insistova që të formohet shtab të krizës ku janë përfshirë udhëheqës të policisë. Ishin të përfshirë tre skenare: protesta të qeta, kur do të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe kur do të zgjidhet qeveria. Përgjegjës të këtyre skenarëve ishte Mitko Çavkov i cili nuk ishte i kapshëm për mua, edhe pse e kam kërkuar. Për fat të keq, strukturat e MPB-së ishin të ndikuar politikisht që të respektojnë detyrat dhe ligjin. Këto struktura kanë respektuar urdhrat e partisë. Kontrolla e Brendshme do të kërkojë përgjegjësi për të gjithë që nuk respektuan vendimet. MPB është institucion që patjetër të ruaj rendin dhe sigurinë e jo që do të punojë për urdhrat politike. Dua që edhe personalisht të falënderoj gjithë zyrtarët që kanë bërë punën e tyre duke futur situatën në binarë. Prej mbrëmë kemi nisur bashkëpunimin me Prokurorinë Themelore Publike që të gjejmë fajtorët dhe bëj thirrje deri tek prokuroria që të dënojë fajtorët. Fakti që policia nuk e kreu detyrën ka nxitur konflikt para Kuvendit. Disa struktura as që kanë lejuar që Ndihma e Shpejtë nuk ka lejuar që të futet në oborrin e Kuvendit për të dhënë ndihmë. Ndjej përgjegjësi për mos heqjen e ndikimit të politikës në ministri. Për këtë tërhiqem nga posti, duke kërkuar edhe përgjegjësi nga strukturat që nuk kanë bërë punën”-tha Nuhiu.