Dhjetëra të vdekur në Evropë për shkak të temperaturave ekstreme

452
Sigal

Temperaturat e skajshme kanë përfshirë të gjithë
Evropën dhe kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 24 vetëve gjatë dy ditëve të
fundit, duke përfshirë edhe disa emigrantë dhe njerëz të pastrehë.

Pesë turistë portugezë vdiqën dhe 27 të tjerë u
lënduan sot para agimit, kur autobuzi i tyre u përplas jashtë një rruge të
akullt në Francë.

Autobuzi 40-vendësh po shkonte në Zvicër. Sipas
autoriteteve, dukej se shoferi humbi kontrollin e automjetit, për shkak të
akullit në rrugë.

Dhjetë vetë vdiqën në Poloni, ku temperaturat kanë
qenë aq të ulëta dhe kanë arritur minus 14 gradë Celsius.

Në Itali njoftohet nga autoritetet se i ftohti është
arsyeja për shtatë të vdekur, duke përfshirë pesë të pastrehë, dy prej tyre
polakë.

Dëbora e madhe në Italinë qendrore dhe juglindore
detyroi mbylljen e aeroporteve në Bari dhe Brindizi si dhe në Siçili.

Shërbimet emergjente të Pragës njoftuan tre vdekje –
dy njerëz të pastrehë dhe një roje parkingu.

Temperaturat në Moskë ranë në minus 30 gradë gjatë
natës dhe në minus 24 në Shën Petersburg, ku policia gjeti trupin e një njeriu
i cili kishte vdekur nga hipotermia.

Dëbora e madhe ka paralizuar Stambollin, dhe
kompania ajrore Turkish Airlines ka anuluar qindra fluturime.

Autoritetet parashikojnë që numri i të vdekurve të
rritet sepse temperaturat e ulëta priten të mbeten të pandryshuara në ditët e
ardhshme.