Dështon grushti i shtetit, nisin arrestimet në radhët e ushtrisë

504
Turqia u zgjua e trazuar nga ngjarjet e natës, ku qeveria dhe Presidenti Erdogan denoncuan një përpjekje për grusht shteti nga fraksione të ushtrisë së vendit. Mbeten ende shumë gjëra për t’u zbardhur mbi rrjedhën e ngjarjeve, por ajo që është e sigurtë, të paktën sipas Ankarasë zyrtare, është se grushti dështoi, por jo pa kosto. Të paktën 90 persona kanë gjetur vdekjen dhe mbi 1 mijë janë plagosur nga trazirat e natës, përfshirë këtu ushtarë dhe civilë. Qeveria turke thotë se ka marrë kontrollin e institucioneve që u mësynë nga ushtarakët rebelë dhe se ka arrestuar mbi 1500 persona, pjesa më e madhe e të cilëve ushtarakë.
Kryeministri Yildirim deklaroi në orët e para të mëngjesit se situata ishte pothuajse nën kontroll. Më herët ai kishte urdhëruar forcat ushtarake besnike që të shënjestronin helikopterët, avionët dhe tanket e përdorura nga grupi i ushtarakëve pjesëmarrës në grushtin e shtetit. Një helikopter i tyre u qëllua teksa po fluturonte mbi Ankara, duke vrarë të gjithë pjesëtarët në bord. Të shtëna sporadike raportohen ende në disa qytete të vendit dhe ka raportime se grupe ushtarësh pjesë e grushtit të shtetit po vijojnë rezistencën. Mediat vendase thonë se ata zotërojnë ende disa tanke dhe helikopterë dhe kanë refuzuar deri më tani që t’u dorëzohen autoriteteve. Edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë turke, Hulusi Akar, që u raportua i marrë peng më herët nga anëtarët e grushtit të shtetit, është liruar. Presidenti Erdogan u shfaq në orët e natës në Stamboll mes qindra mbështetësve. Ai i quajti “akte tradhëtie” ngjarjet, premtoi vendosjen para drejtësisë të autorëve dhe tha se ushtria “ka nevojë për pastrim”.
Sigal