Sigal

“Google” ka vendosur që të mbyllë pjesën më të madhe të rrjetit social “Google+”, pasi duket se të dhënat e përdoruesve kanë mbetur të ekspozuara.

Sipas kompanisë, një problem në softuerin e saj ka bërë që informacione që njerëzit besonin se ishin private, të ishin të aksesueshme nja një palë e tretë.

Gjithashtu bëhet e ditur se rreth 500 mijë përdorues janë prekur nga ky problem. “Wall Street Journal” ka publikuar një raport ku thuhet se kompania ishte në dijeni të kësaj ngjarjeje që në mars, por nuk e kishte bërë publike.

Ndërkohë “Google” është shprehur se problemi nuk kishte qenë aq serioz sa për të informuar edhe publikun. Kujtojmë se “Google+” u lancua në vitin 2011 dhe menjëherë u bë e njohur si një përpjekje e dështuar për të konkurruar rrjetin social “Facebook”.

Ndërsa lidhur me dështimin e saj, kompania thotë se do të vazhdojë të ofrojë rrjete private për bizneset që aktualisht e përdorin softuerin.

Kujtojmë se në të shkuarën, kompania ka hezituar të publikojë të dhëna për përdorimin e “Google+”. Tani përballë problemit të ekspozimit të të dhënave, ajo duket se po tenton të minimizojë pasojat.