Dëshmitari i pazakontë – Gjyqtarja spanjolle thërret qenin në gjyq që të dëshmojë kundër pronarit të dhunshëm

491
Sigal

Një gjyqtare ka thirrur si dëshmitar në gjyq, një qen Pit Bull kundër ish-pronarit, të akuzuar për mbylljen e qenit në një valixhe dhe hedhjen e tij në mbeturina.

“Daily Mail” shkruan se gjyqtarja Sandra Barrera në Gjykatën Penale 1, në qytetin e Santa Cruz, Tenerife, i habiti të gjithë të pranishmit kur e quajti qenin “dëshmitari i dëmtuar, qeni me emrin Milagros”.

Prokurori Francisca Sanchez i tha gjykatës  se ‘padyshim, dëshmitari nuk mund të flasë’ përpara mjekut ligjor, pasi vetëm ai mund t’i shpjegonte dëmtimet që kishte pësuar qeni.

Një zëdhënës i gjykatës shpjegoi se vendimi për të thirrur Pit Bullin në seancë nuk është i zakonshëm në Spanjë, por palët e konsideruan si një ‘gjest i vullnetit të mirë’ dhe për ta bërë shoqërinë të vetëdijshme për problemet e abuzimit me kafshët.

I pandehuri, i identifikuar si Sergio M.J., pranoi se e kishte hedhur qenin në mbeturina në tetor të vitit 2012, por pretendoi se e bëri këtë sepse mendonte se Pit Bulli kishte vdekur.

Megjithatë, banorët e dëgjuan qenin duke qarë nga brenda koshit të mbeturinave dhe kontaktuan shërbimet e emergjencës. Plagët e tij janë shëruar dhe tanimë ka një pronar të ri. I pandehuri do të përballet me një vit burgim nëse shpallet fajtor.