Deputetja e Kosovës, Time Kadrijaj: Ramush Haradinaj dhe partia e tij, do të jenë surpriza e zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë!

885
Sigal

INTERVISTA/ Deputetja e Kosovës, Time Kadrijaj analizon situatën politike dhe marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë e ndërkombëtarët

Deputetja Time Kadrijaj është lindur në vitin 1965 në një fshat të Komunës së Deçanit. Në një qytet të vogël dhe të bukur të Kosovës. I vogël për nga madhësia, por i madh nga rëndësia, sepse i ka dhënë patriotë dhe njerëz të mëdhenj Kosovës. Pra, ajo është një vajzë e Dukagjinit dhe Deçanit. Me profesion znj. Kadrijaj është mjeke, gjinekologe. Më pas ajo e ka lënë këtë profesion për të studiuar në Akademinë Diplomatike për diplomaci dhe shkollën për integrime europiane. Si mjeke ka punuar për periudhën e para luftës ndërsa gjatë luftës e ndërpreu këtë profesion për shkak të mobilizimit të drejtpërdrejtë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ku nisi edhe pasioni i politikës. Kur e pyesim së çfarë përbën politika për ‘të ajo shprehet: “Nuk duhet pyetur se çfarë bën shteti për ty, por çfarë bën ti për shtetin’. Dhe unë mburrem që kam bërë diçka për shtetin tim”. Aktualisht znj. Kadrijaj është deputete e Kuvendit të Kosovës me radhët e Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që prej vitit 2010. Synimi i saj nuk është të marrë diçka nga shteti, por të japi shumë më shumë për shtetin. “Kosova është shtet i ri dhe ka nevojë për njerëz që e duan atë dhe vazhdojnë të luftojnë për plotësimin e një ëndrre shekullore të shqiptarëve”, thotë për “Telegraf” deputetja Kadrijaj. Ndër të tjera në këtë intervistë është folur për Gjykatën e Krimeve të Luftës që pritet të krijohet së shpejti, për raportin e Dik Martit sa i përket fillimit të hetimit për vërtetësinë e faktit se ushtarë të UÇK-së, kanë transplantuar organe të ushtarëve serbe  dhe shumë çështje të tjera.   

  -Znj. Kadrijaj ju keni qenë aktiviste e drejtpërdrejtë në luftën për çlirimin e Kosovës me UÇK-në. Çfarë përbën Lufta e Kosovës për ju?

Sigurisht që, është një luftë e shenjtë. Në rrethanat, të cilat ka kaluar Kosova në dekada dhe shtypja e popullit shqiptar ndër vite me periudhën e ish-Jugosllavisë, sidomos dekadat e fundit, gjithë ai represion që është përdorur ndaj një kombi të tërë, ka qenë nevojë e kohës organizimi dhe formimi i UÇK-së. Për të gjithë qytetarët e Kosovës, kur ka dalë për herë të parë në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një ndjenjë e madhërishme që sinjalizonte se edhe për ne ka ardhur koha të luftojmë për të drejtat tona në mënyrë që të gëzojmë një liri, të cilën po e gëzojmë sot. Për mua ka qenë një ditë e veçantë, kur për herë të parë publikisht ka dalë UÇK-ja, më 28 nëntor, e cila ka përkuar me datën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ditëlindjen e komandantit legjendar të ushtrisë së Kosovës, të madhit Adem Jashari. Dhe vërtet kjo datë e bën të madhërishme. Edhe data 29 është e rëndësishme për AAK-në sepse lirohet i pafajshëm për herë të dytë komandanti ynë Ramush Haradinaj.

 -Cili ka qenë roli i Ramush Haradinaj gjatë luftës çlirimtare? Si do ta vlerësonit ju rolin e tij?

Ramushi është një ndër komandantët më të zotë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në luftën për çlirimin e Kosovës ai është mobilizuar familjarisht, duke i dhënë tre dëshmorë Kosovës. Edhe vëllai i liderit, z.Daut Haradinaj, që është aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës, është njeriu që për herë të parë kur u shpall publikisht UÇK-ja ka hequr maskën dhe doli haptas para të gjithëve. Ramushi është një person që ka ditur të mobilizojë, të afrojë, të mbajë ushtarët dhe të luftojë për Kosovën. Është personi që s’ka qëndruar kurrë jashtë territorit të Kosovës, ka luftuar deri në ditët e fundit. Mua më vjen shumë mirë që kam qenë një ushtare e Ramushit dhe në luftë kam kryer detyrën e mjekes. Ajo detyrë e shenjtë, humanitare, që ka një mjek, kam shëruar dhe shpëtuar shumë ushtarë të lënduar gjatë luftës.

 -Së shpejti në Kosovë do të zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Cili është objektivi i partisë që ju përfaqësoni? Ju vetë do të rikandidoni në këto zgjedhje?

Po, unë do të rikandidohem dhe mendoj se do të fitoj sepse gjatë gjithë mandatit tim kam qenë në krye të detyrës  dhe jam munduar që të bëj gjithmonë më të mirën për komunitetin që më ka votuar. Në Komisionin për Shëndetësinë, ku unë jam zv.kryetare, kam qenë gjithmonë zëri kritik për shëndetësinë e Kosovës. Ka pasur ngjarje nga skena sociale që në fakt nuk janë trajtuar aq mirë sa janë trajtuar në letër, siç janë asistencat sociale për personat me aftësi të kufizuar dhe aq sa kemi ndihmuar jemi munduar të jemi afër personave në nevojë. Me shpirt, kam mbrojtur të drejtat e kategorive të dala nga lufta dhe vërtet jam e lumtur që kohët e fundit është aprovuar ligji për veteranët. Sepse me kontributin që kanë dhënë janë trajtuar në mënyrë të padrejtë. Ka qenë aq i pandershëm trajtimi që i kanë bërë këtij grupi, që aq shumë ka dhënë për Kosovën. Po punohet që ta kenë të siguruar një pagë, jo aq e madhe sa do ta meritonin, por megjithatë, një pagë e dinjitetshme e plus disa benificione të tjera.

 -Si qëndron korrupsioni në radhët e shëndetësisë në Kosovë, sepse të gjitha raportet ndërkombëtare e tregojnë shëndetësinë në Shqipëri me korrupsion të lartë? Duke qenë se ju jeni pjesë edhe e komisionit për shëndetësi, mirëqenie sociale. Cili është qëndrimi juaj?

Meqenëse, Kosova është një shtet i ri dhe qëllimi i saj është të bëhet sa më shpejt pjesë e familjes evropiane, ligjet që aktualisht bëhen dhe amendatohen në Kosovë, janë ligje që duhet të jenë të përafërta, ose plotësisht të përafërta, me ligjet europiane sepse për të qenë pjesë e BE-së, duhet bërë harmonizimi i ligjeve. Ndoshta kjo pjese dhe gjithçka ka kaluar Kosova bën që shkalla e korrupsionit në shëndetësi, krahasuar me Shqipërinë, të jetë më e ulët. Në fakt njerëzit i frikësohen lidhjeve dhe kanë filluar të implementohen metoda të reja. Kështu në Ministrinë e Shëndetësisë është Inspektorati Shëndetësor, që në fakt në Shqipëri nuk ekziston, që ekskluzivisht mbikëqyr punën në përputhje me ligjshmërinë e institucioneve shëndetësore publike apo private. Megjithatë nuk e mohoj që ka edhe praktika të korrupsionit edhe në Kosovë. Kështu para disa ditësh ndodhi arrestimi i një mjeku, i cili u kap në flagrancë. Në si profesionistë e kemi kundërshtuar këtë praktikë sepse ka institucione të tjera, të cilat janë shumë më shumë të korruptuar se sa shëndetësia, mirëpo gjithmonë shteti i ikën korrupsioneve të mëdha dhe merret me korrupsionet e vogla në mënyrë që ta paraqesë vetën sikur po merret me luftën kundër korrupsionit.

 -Para disa ditësh u vendos që Kosovës t’i jepet statusi i vëzhguesit në NATO ndërkohë që, ende nuk është vendosur dhe ka një ngecje, për liberalizimin e vizave? Si i shikoni këto dy ngjarje?

Dhënia e statusit të vëzhguesit sigurisht që është një element pozitiv. Të gjitha këto ngjarje që ndodhin i japin shpresë Kosovës që së shpejti do të jetë pjesë e familjes së madhe europiane. Është e padrejtë në fakt që qytetarët e Kosovës duhet t’i nënshtrohen shumë procedurave për të marrë një vizë të thjeshtë. Edhe ne si deputete, që jemi të pajisur me pasaportë diplomatike, gjithsesi vuajmë burokracitë e gjata kur duhet të kryejmë një udhëtim personal, jo zyrtar. Të gjitha këto veprime janë diskriminuese dhe mendoj që Kosova e meriton liberalizimin e vizave, që t’i bashkohet vendeve të tjera për lëvizjen e lirë të qytetarëve. Më këtë veprim kishim shpëtuar edhe nga ikjet, dhe eksodi, që po ndodh në Kosovë në rrugë ilegale. Sepse në fakt ikin, por rrezikohet jeta e qytetarëve nga rrugët anësore që gjejnë për të dalë.

 -Cili është synimi i partisë AAK për zgjedhjet e ardhshme?

Sigurisht që zgjedhjet po afrojnë dhe synimi i parë është që kryeministër në mandatin ardhshëm të jetë lideri jonë Ramush Haradinaj. E meriton një shans të tillë, e meriton votën e qytetarëve, sepse në historinë e njerëzimit nuk mbahet mend që një kryeministër e lë detyrën dhe shkon e ballafaqohet me Gjykatën e Hagës, kthehet fitimtar dhe mbahet mend në Kosovë për tremujorin e tij të qeverisjes.

 -Shqiptarët e të gjitha trevave shqiptare duket se janë lodhur nga politikanët e pabesë dhe tanimë duan politikanë që dinë të mbajnë fjalën dhe punojnë fort për vendin e tyre. Ju si mendoni z. Ramush Haradinaj është nga ata politikanë që do të bënte më të mirën për Kosovën?

Definitivisht po! Nuk ka lider në Kosovë që e do Kosovën më shumë se Ramush Haradinaj. Nëse vlen të votohet një lider që e ka dëshmuar në të gjitha periudhat kohore dashurinë e tij për Kosovën ky është Ramushi, sepse me fjalë kanë qenë të shumtë, por vepra asnjë. Ramushi e ka dëshmuar me faktin që ka qenë një komandant trim dhe i zoti. Komandat që për sakrificë të luftës, u plagos vetë, familjarët e vetë dhe komandant që Kosovës i ka dhënë tre dëshmorë. Ku ka fakt më të madh që e do Kosovën se sa fakti që të mobilizohesh të gjithë si familje për të luftuar për çlirim. Dhe ka dëshmuar me punën e mirë për tre muaj qeverisje si Kryeministër i Kosovës.

 -A mund të na tregoni se cilat janë marrëdhëniet e zotit Haradinaj sot me Kryeministrin Thaçi dhe me liderët e tjerë të Kosovës?

Duhet thënë se në Kosovë marrëdhëniet mes liderëve politikë nuk janë kaq të tensionuara sa janë në Shqipëri. Ndasitë politike dhe ekstremizmit politike nuk janë kaq të theksuara në Kosovë. Për këtë pyetje sigurisht që, duhej pyetur Ramushi, por duhet ta pranoj se ai ka marrëdhënie të mira me të gjithë liderët e partive politike dhe ekskluzivisht, kur bëhet fjalë për çështjen e Kosovës, veprimet në të mirë të Kosovës është gjithmonë solidar.

 -A ju jep kënaqësi fakti që sa herë politikanët nga Shqipëria dhe jo vetëm, vijnë për vizita zyrtare në Kosovë, një nga stacionet absolute do të jetë edhe shtëpia e zotit Haradinaj?

Në fakt aty tregohet një traditë e traditës dukagjinase dhe Ramushi me të gjithë liderët që vinë nga Shqipëria, por edhe treva të tjera shqiptare, tregon traditën e mikpritjes në kullën e Haradinajve. Dihet në Kosovë që vizitohet memoriali në Prekaz, vizitohet memoriali dhe varrezat e dëshmorëve. Është një stacion ku të gjithë duhet të përulen për dëshmorët e rënë për çlirimin e Kosovës. Siç e vutë re këtë gjë bëri z.Haradinaj edhe me Kryeparlamentarin e Shqipërisë zotin Ilir Meta.

 -Si e shikoni situatën e vështirë që po ndodh me shqiptarët në Mal të Zi dhe organizimin e shqiptarëve në politikë në diasporë?

Gjatë vizitës që isha në Amerikë kam njohur personalisht deputetin shqiptar Mark Gjoni dhe jam habitur për mirë, që komuniteti shqiptar në Amerikë është aq mirë i organizuar sa ka arritur që në Nju Jork të nxjerri një deputet shqiptar. Shpeshherë bëjmë një krahasim që, Amerika një shtet aq i madh ka dy parti, ndërsa të shohësh Shqipërinë dhe Kosovën kanë aq shumë parti sa dhe emrat nuk ja di të gjithave. Megjithatë Shqipëria dhe Kosova dallojnë nga Maqedoni, Presheva, Medvegja, Mali i Zi etj., sepse ata jetojnë në një shtet, ku nuk janë shumicë dhe e vetmja formë që ata të arrijnë diçka është të bashkohen në një parti të vetme politike në mënyrë që të fitohen të gjitha komunat ku është shumica shqiptare dhe t’i përfaqësojnë interesat e tyre sa më mirë. Përçarja e shqiptarëve në diasporë për mua është egoizëm i personave të veçantë, të cilët vënë para interesit kombëtar, interesin e tyre personal.

 -Duke kaluar paska në fushën personale, ju vazhdoni ta ushtroni pasionin dhe profesionin e mjekes?

Aktualisht nuk e ushtroj më profesionin e mjekes. Kam pas punuar në Ministrinë e Shëndetësisë, kam qenë Kryeinspektore dhe në momentin që jam zgjedhur deputete në 2010 e kam pezulluar punën dhe profesionin e mjekes. Por në fakt në spital shkoj shpesh, jo për vetë, por shkoj për bashkëqytetarët e mi, kolegët, mundohem që t’i ndihmoj njerëzit që vinë sidomos nga treva ime, kur kanë ndonjë nevojë për ekzaminim ose gjithçka tjetër.

 -Si është marrëdhënia juaj me gjumin?

Nuk jam tipi që e dua shumë gjumin. Fle vonë dhe zgjohem herët në mëngjes. Përgatitem për punë dhe stacioni i parë, normal, që do të jetë partia. Kafen e parë e përgatis vetë në shtëpi dhe tjetrën e pi me kolegët e mi në parti.

 -A gatuani në shtëpi?

Di të gatuaj, mirëpo gatuaj rrallë sepse puna dhe aktiviteti i madh më kushtëzojnë që të ha jashtë më shumë. Fundjavat më së shumti i kaloj në fshat tek familja dhe atje kënaqem me gatimet tradicionale të familjes time. Ushqimet nga mielli i misrit janë të preferuarat e mia.

 -Përveç politikës dhe mjekësisë, çfarë pasionesh të tjera keni që i ushtroni në kohën e lirë?

Më pëlqen shumë të lexoj. Ndërsa kohë më parë kam qenë edhe sportiste aktive e sporteve të volejbollit dhe basketbollit. Gjatë kohës së studimeve në Prishtinë kam pasur oferta të shumta për t’u aktivizuar me sportet në Prishtinë por s’mund ta braktisja ekipin e Deçanit. Edhe tani në rastin më të parë që më jepet luaj me kënaqësi gjatë pushimeve apo fundjavave.

 -Çfarë pijesh konsumoni?

Në darkat zyrtare mund t’ia toleroj vetes një gotë verë të kuqe, por normalisht nuk e përdor alkoolin fare. Gjithashtu edhe duhanin.

 -Pushimet ku i kaloni më së shumti?

Pushimet dimërore zakonisht i kaloj në Gjermani, sepse atje kam familjarë të mi. Këtë vit kam vizituar dhe shumë vende të tjera, si Austri, Amerika, Turqia, por nëse nuk kaloj disa ditë në Shqipëri më duket sikur nuk kam pushuar fare. Rruga e Kombit na ka bashkuar dhe mjafton që vi dhe për një fundjavë të thjeshtë.

-Kemi dëgjuar që jeni gjithmonë e afërt dhe në praninë e grave intelektuale shqiptare. Si e konsideroni miqësinë me ‘to?

Për mua është një nder i vërtetë të njoh nga afër intelektualet dhe artistet e vërteta shqiptare. Kam qenë e nderuar, kur kam takuar për së afërmi të madhen Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Roza Anagnosti, poeten e mirënjohur Vitore Stefa Leka, e shumë të tjera prej tyre. Kosova edhe pse e ka pasur të ndaluar marrëdhënien me Shqipërinë, ne, gjithmonë, e kemi përcjellë punën e këtyre artistëve të mëdha.

-Znj. Kadrijaj, kohët e fundit faktori ndërkombëtar ka kërkuar të rinisin hetimet në lidhje me disa ngjarje sipas raportit të Dik Martit, ku janë transplantuar organe të disa shtetasve serbë të kryera nga UÇK. Çfarë komenti keni ju për këtë, a mendoni se është e vërtetë?

Në fakt është një padrejtësi e madhe që i është bërë popullit kosovar, duke akuzuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për këtë gjë, sepse në këtë rast barazohet krimi që kanë kryer forcat serbe në Kosovë me një luftë të drejtë dhe të pastër të UÇK-së. E gjithë kjo është dëshmuar sepse kemi rastet e dëshmimit të pafajësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës siç është rasti i liderit tim, z.Ramush Haradinaj, ish-Kryeministër i Kosovës, i cili e ka dëshmuar pafajësinë  dhe ka qenë një rast unikal në Gjykatën e Hagës, sepse pas shpalljes së pafajësisë u rikthye sërish atje për gjykim dhe sërish u kthye i pafajshëm. Ai dhe të gjithë bashkëluftëtarët e tjerë të UÇK-së, që janë ballafaquar me këto akuza, janë të pafajshëm. Mendoj se e gjithë kjo është një kamuflazh, diçka politike që duan të ndodhi në Kosovë sepse të gjitha ato raste, nëse do të ketë një dëshmi që tregon se UÇK-ja ka kryer krime, duan thjesht ta diskreditojnë Kosovën dhe figurat çlirimtare të saj. Ky është një raport i çuditshëm i Dik Martit në lidhje me atë çka presupozohet se ka ndodhur gjatë luftës në një shtëpi malore, që janë kryer transplantet e organeve, që për mua si profesioniste është e pakuptimtë. Gjatë luftës nuk më ka rastisur të shoh çudi të tilla. Edhe nëse bëjmë vetëm një krahasim, në Kosovë në institucionet aktuale shëndetësore sot nuk i kemi kushtet për të kryer transplante me një mori profesionistësh, me salla dhe infrastrukturë të avancuar, atëherë si do të mund të kryenin transplante organesh ushtarët në një shtëpi të varfër malore.

 -Duke qenë në këtë kuadër ju si e shikoni pranimin që i bëri z.Thaçi kërkesës për të ngritur një komision për hetimin e kësaj çështjeje? Gjithashtu dhe Presidentja Jahjaga e deklaroi pranimin e këtij hetimi.

Asnjë lider politik, por as ne, si qytetarë, deputetë, nuk do ta ndalonim që të hetohet një çështje e tillë. Edhe nëse supozojmë që të gjitha këto gjëra kanë ndodhur, për ne nuk është e drejtë të bëhet një barazim i luftës çlirimtare të Kosovës me luftën e padrejtë, vrastare të Serbisë. Në fakt po pritet që shumë shpejt që në Kosovë të formohet gjykata për dënimin e krimeve të kryera nga UÇK, e cila na sjell para një akti të kryer dhe shumë të dhimbshëm sepse ajo do të sillet të votohet në Parlamentin e Kosovës dhe unë, në radhë të parë si deputete, por edhe si një pjesëtare e UÇK-së, jam para dilemës se si të veprohet në këtë rast. Sepse thuhet që gjykata me apo pa aprovimin e Kuvendit të Kosovës do të formohet, por tani jemi duke bërë analizën do ishte mirë që vetë parlamenti të votonte për këtë apo të lejohet që Këshilli i Sigurimit të OKB-së të formojë një gjykatë për këtë luftë çlirimtare. Pra aktorët ndërkombëtarë na kanë sjellë para një akti të kryer dhe të dhimbshëm.