Deputeti shqiptar flet për herë të parë pas sulmit: Atentat ndaj shqiptarëve në Maqedoni

567
Kreu i LR PDSH-së Ziadin Sela në paraqitjen e tij të parë në opinion pas dhunës barbare të ushtruar ndaj tij në Kuvend, tha se sulmi ndaj tij ishte atentat ndaj kërkesave të shqiptarëve. Sela tha se në 27 prill shqiptarët u vranë, për t’u ringjallur sërish.
“Ndodhia që ndodhi më 27 prill ishte atentat ndaj nevojave të cilat shqiptarët i kanë këtu në Maqedoni. Ishte atentat ndaj artikulimit politik të këtyre reformave, që ne si Lëvizje për Reforma i kemi bërë gjatë gjithë kësaj periudhe. Ne na vranë më 27 prill dhe ne u ringjallëm përsëri më 27 prill. Ne do të vazhdojmë që nevojat e shqiptarëve këtu në Maqedoni t’i artikulojmë politikisht akoma më fuqishëm – deklaroi kreu i LR-PDSH-së Ziadin Sela.
Ai u shpreh i prerë se para se të kërkojë përgjegjësi politike për ngjarjet e 27 prillit, do të kërkojë përgjegjësi për Sopotin, zbardhjen e Monstrës dhe të vrasjes së Harun Aliut. Ai gjithashtu tha se vendimin për pjesëmarrje në qeveri do ta marrin organet e partisë. Megjithatë konfirmoi edhe një herë mbështetjen ndaj qeverisjes së ardhshme.
“Jemi për qeverisje të re dhe qeverisja e re do të ketë përkrahjen tonë. Pak rëndësi ka a do të jemi ne fizikisht prezent pjesë e qeverisë ose jo, sepse për këtë do të duhet të marrin vendim organet e partisë” – tha Sela.
Ndërkohë në kuadër të marrjes në pyetje të deputetëve të sulmuar barbarisht në 27 prill në Kuvend, edhe kreu i LR PDSH-së Ziadin Sela para konferencës për shtyp ka dhënë dëshminë e tij në Prokurori. Nga ana tjetër për ngjarjet e së enjtes së përgjakshme është ngritur edhe një padi Penale për pjesëmarrje në turmë ndaj 28 vjeçarit me inicialet J.Ç nga Prilepi.
Sigal