Deputeti Ismaili 48 orë në paraburgim, seanca vijon pa opozitën

458
Partitë opozitare bllokuan sërish të hënën seancën e parlamentit të Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve me Serbinë dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Deputetët e partive opozitare hodhën sërish gaz lotsjellës në sallën e mbledhjeve të parlamentit duke pamundësuar fillimin e saj.
Policia e Kosovës, shoqëroi deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fisnik Ismaili, pasi që tek ai u gjetën dy bombola, që dyshohen të jenë gaz lotsjellës.
Deputetët e opozitës hodhën gaz edhe në korridorin e parlamentit.
Pas disa orësh, deputetët e shumicës vazhduan seancën pa praninë e deputetëve të opozitës.Kryesia e parlamentit tha se “mori vendim për përjashtimin individual ditor të deputetëve të opozitës që kanë rënë ndesh me Rregulloren e Kuvendit, me përjashtim të deputetëve Shukrije Bytyqi dhe Ilir Deda”.
Parlamenti u mblodh dy ditë pas një operacioni të forcave të posaçme të policisë së Kosovës në selinë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, me ç ‘rast u arrestuan mbi 90 aktivistë të kësaj lëvizjeje, përfshirë këtu edhe deputetin Albin Kurti.
Ora 14: 32 Nis seanca pas tensioneve
Deputetët e mazhorancës nisin seancën e Kuvendit pa praninë e opozitës
Ora 13:58 Opozita gaz lotësjellës edhe në hollin e Kuvendit
Konfrontim mes deputetëve të opozitës me sigurimin. Visar Ymeri ka tentuar të çajë kordonin e sigurimit për tu ngjitur në katin lartë ku pritet të mbahet seanca e Kuvendit.
Deputetët e opozitës kanë hedhur gaz lotsjellës. në ambientet e hollit të Kuvendit. Sigurimi ka vendosur maska kundër gazit dhe nuk lejon opozitën që të hyjë në sallë.
Ora 13:28 Prokuroria cakton 48 orë paraburgim për deputetin, Fisnik Ismaili
Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar përmes një postimi në Facebook, për masën e paraburgimit që i është caktuar deputetit Fisnik Ismaili.
Ora 12: 34 Veseli: Seanca vazhdon në 13:00
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka përfunduar. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se çështjet janë politike dhe zgjidhja duhet të jetë politike.
“Opozita po e dëmton vendin dhe vetën. Nuk e ka forcën e as fuqinë që të protestoj jashtë pos Kuvendit. Kuvendi po abuzohet nga pafuqia dhe nga dështimet jashtë Kuvendit”, tha ai.
Ai tha se seanca do të vazhdojë pas 30 minutave.
Aida Dërguti, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka marrë pjesë në këtë mbledhje të Kryesisë dhe ka thënë se ka pasur propozim nga Partia Demokratike të Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që të votohet për përjashtimi i forcave politike në opozitë nga punimet e Kuvendit.
Raportohet gjithashtu se ndaj këtij propozimi ka pasur kundërshtime nga disa anëtarë të Kryesisë së Kuvendit.
Ora 12: 20 Policia konfirmon arrestimin e deputetit, Fisnik Ismaili
“Policia e Kosovës me zyrtarët e saj policor, ka filluar me kontrollin e personaliteteve në hyrje të Kuvendit të Kosovës, ku gjatë kontrollit tek deputeti Ismaili janë gjetur në posedim dy (2) bombola gazi, që dyshohen të jenë gaz lotsjellës”, thuhet në komunikatën e policisë.
Ora 11:55 Vetëvendosje konfirmon arrestimin e Ismailit: Të lirohet menjëherë
Vetëvendosje përmes një njoftimi në Facebook, ka deklaruar se është arrestuar deputeti Fisnik Ismaili, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.
Sigal