Deportimi i gylenistëve nga Kosova, krerët e shtetit ‘habiten’ me operacionin

645
Autoritetet në Kosovë arrestuan dhe deportuan të enjten 6 shtetas turq, punonjës të kolegjit ‘Mehmet Akif’, pronë e klerikut Fetullah Gylen, të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje për grusht shteti në Turqi.
Por operacioni është përcjellë me paqartësi dhe informacione të pakta. Krerët e shtetit thanë se nuk kishin qenë në dijeni të këtij operacioni dhe gjatë mbrëmjes zhvilluan një takim lidhur me çështjen, shkruan tch. Përmes një deklarate të publikuar më herët, presidenti Hashim Thaçi tha se ishte informuar nga organet kompetente, pasi shtetasit turq ishin deportuar me arsyetimin se nuk kanë pasur lejë qëndrimi në Kosovë.
“Ne duhet të sqarojmë arsyet që kanë çuar deri në deportimin e tyre”, pohoi Thaçi. Ai shtoi se Kosova do të mbrojë me çdo kusht vlerat e saj kushtetuese, të cilat i mundësojnë çdo individi që të shprehë pa frikë identitetin, besimin, kulturën, ideologjinë, mendimin dhe fjalën e lirë.
Edhe kryeministri Ramush Haradinaj pretendon se ka qenë i painformuar për operacionin. Numri një i ekzekutivit të Kosovës thotë se ka disa elementë që e bëjnë të paqartë operacionin dhe kërkoi sqarime të detajuara nga institucionet përgjegjëse, në lidhje me arrestimin e 6 shtetasve turq.
Ministria e Punëve të Jashtme e dënoi rastin përmes një deklarate, ndërsa Behgjet Pacolli premtoi se brenda dy ditësh do të kenë të gjitha informacionet për arrestimin dhe deportimin e gylenistëve. Mbrëmjen e së enjtes, nxënësit e Kolegjit “Mehmet Akif” protestuan kundër ndalimit të shtetasve turq.
Nga ana tjetër, mediat kosovare bëjnë me dije se nesër pritet shkarkimi i të paktën dy zyrtarëve të lartë të shtetërorë, pasi dyshohet se vepruan pa miratimin e krerëve të shtetit, mbi arrestimin dhe deportimin e gylenistëve.
Sigal