Dënohet me 1 vit burg me kusht ish-rektori i Universitetit të Prishtinës

561
Gjykata Themelore e Prishtinës e dënoi me një vit heqje lirie me kusht ish rektorin e Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani dhe me nga gjashtë muaj dy persona të tjerë për veprën penale “mashtrim në detyrë”.

Në një njoftim të gjykatës thuhet se “i akuzuari E.H është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër penale në periudhën prej 2 vitesh“.

Dy të akuzuarit e tjerë, Hakif Veliu, ish shef i zyrës së prokurimit në Universitetin e Prishtinës dhe Albert Rakipi, drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare nga Tirana, janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me nga gjashtë muaj heqje lirie. Të dyve, thuhet në njoftimin e gjykatës, “dënimi me burgim u zëvendësohet me dënim me gjobë prej 10 mijë eurosh, që duhet ta paguajnë në afatin prej 60 ditësh pas hyrjes në fuqi të aktgjykimit. Në rast se të pandehurit nuk e paguajnë dënimin në afatin e caktuar nga gjykata do të mbetet në fuqi dënimi me burgim“.

Po ashtu, tre të akuzuarit detyrohen që “Universitetit të Prishtinës t’ia kompensojnë dëmin në mënyrë solidare në shumë prej 70 mijë eurosh në afatin prej 90 ditësh pas hyrjes në fuqi të aktgjykimit”.

Sipas akuzës së prokurorisë së Posaçme të Kosovës, të ngritur në korrik të vitit 2015, të tre të akuzuarit “me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për Institutin për Studime Ndërkombëtare në Tiranë, kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe, për nevojat e Universitetit të Prishtinës”. Sipas marrëveshjes paraprake, të pandehurit kanë hartuar një kontratë të re, në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale, duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit 12.65 euro për një mijë fjalë kanë shënuar çmimin 12.65 euro për një mijë karaktere. Në këtë mënyrë të pandehurit i kanë mundësuar Institutit për Studime Ndërkombëtare nga Tirana përfitim kundërligjor në shumën prej 70 mijë e 426 eurosh”.

Enver Hasani ishte rektor i Universitetit të Prishtinës nga viti 2006 deri në vitin 2009. Me pas ai deri në vitin 2015 drejtoi Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Sigal