Deklarata nacionaliste e Vuçiç: “Kosova është djepi i Serbisë”

476
Sigal

Me të mbërritur në Kosovë, pas përurimit të Klinikës Gjinekologjike në Pasjan, kryeministri serb Aleksandër Vuçiç shfrytëzoi fjalimin e tij para qytetarëve të mbledhur për të bërë deklarata nacionaliste, duke përmendur edhe frazën e ngahershme se ‘Kosova është djep i Serbisë’.
 
“Kosova është djep i Serbisë dhe ne nuk do ta harrojmë kurrë, pasi kemi fëmijët tanë të lindur këtu. Ne si qeveri e Serbisë do të angazhohemi vazhdimisht që të krijojmë sa më shumë vende pune për të rritur mirqenien e serbëve. Ne synojmë të hapim zyrën tonë këtu në Grançanicë dhe Mitrovicë”, iu tha Vuçiç serbve duke theksuar se ata duhet të kenë marrëdhënie të mirë me ‘fqinjët shqiptarë’.
 
Drejtuar serbëve, ai tha se nuk duhet ta shesin pasurinë e tyre, që sipas tij shitja është shpërngulja e serbëve.
 
Vuçiç mbylli fjalimin e tij me fjalët “Rroftë Serbia”. Kjo është vizita e parë e një kryeministri serb që nga viti 1999. Më herët, të rinj kosovarë organizuan një protestë paqësore me pankarta ku i kërkonin Vuçiç të japë llogari për krimet e luftës në Kosovë. Një ditë më parë, në Mitrovicë janë grisur një nga billbordet e vendosura për t’i shprehur mirëseardhjen Vuçiç.