Deklarata e Vladimir Putin: “Mbështetje opozitës siriane”

530
Deklarata e Vladimir Putin se, Rusia po i ofron mbështetje ushtarake një grupi të opozitës sirianë, gjeti pasqyrim të gjerë në mediat ndërkombëtare. Nëse të tilla pretendime të shefit të Kremlinit rezultojnë të vërteta, atëherë kjo përbën një pikë të rëndësishme kthese të politikës ruse, thotë shtypi i huaj. Putin u shpreh një ditë më parë se Moska është duke i ofruar Ushtrisë Çlirimtare Siriane mbështetje nga ajri, ndërsa po e furnizon edhe me armë e municione, veprime këto të ndërmarra në kuadër të operacioneve të përbashkëta me trupat siriane kundër militantëve islamikë.

“Disa njësi me mbi 5.000 vetë në total, krahas trupave të rregullta, kanë ndërmarrë një ofensivë ndaj terroristëve në provincat e Homsit, Hamës, Alepos dhe Rakës”, tha kreu i shtetit rus gjatë një fjalimi të mbajtur përpara oficerëve ushtarakë. I kemi dhënë ndihmë këtij grupi, shtoi ai, ashtu siç i kemi dhënë edhe ushtrisë siriane. Organizata në fjalë është përfshirë prej kohësh në luftime me forcat e regjimit, ndaj dhe deklarata e Putin ishte disi e papritur.

Moska është akuzuar nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara se, në vend që të mësyjë objektivat e ISIS-it, në shënjestrën e sulmeve të saj ka vënë pikërisht kryengritësit e moderuar në përpjekje për të mbështetur aleatin e vet të vjetër në rajon, presidentin Bashar al Assad. Vetë Ushtria Çlirimtare Siriane, luftëtarët e së cilës janë goditur më parë nga avionët luftarakë rusë, nuk i kanë konfirmuar pretendimet e kreut të Kremlinit.
Sigal