Davutoglu: Prioritet lufta kundër ISIS, do punojmë për uljen e tensioneve me Rusinë

483
Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu deklaroi se Turqia do mbrojë sovranitetin e saj, por nga ana tjetër do punojë për uljen e tensioneve me Rusinë. Në një shkrim të publikuar në gazetën “Times”, kushtuar marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve, pas rrëzimit të avionit rus, Davutoglu pohon ndër të tjera se primare ngelet lufta kundër ISIS.
Kryeministri turk nënvizoi se: “Rrëzimi i një mjeti të paidentifikuar në hapësirën ajrore turke nuk ishte dhe nuk është një akt kundër një vendi të caktuar. Turqia veproi sipas rregullave dhe masat që kemi për mbrojtjen e hapësirës sonë nuk do të ndryshojnë”, ka shkruar Davutoglu.
Sipas tij vendet duhet të bashkohen kundër ISIS. “Ashtu si goditja terroriste, përgjigja globale duhet të kapërcejë interesat e ngushta”- citohet në shkrim. Davutoglu tha se shtetit i Kalifatit Islamik ‘adhuron vdekjen dhe refuzon jetën, dhe kjo nuk ka të bëjë asgjë me fenë’. Ndër të tjera ai shtoi se: “Bota jomyslimane, gjithashtu, duhet të bëjë dallimin midis terroristëve dhe kërkesës se tyre të rreme për legjitimitetin, dhe jo të nxirren në një të ashtuquajtur përplasje së qytetërimeve”- tha ai.
Tensionet mes Rusisë dhe Turqisë pas rrëzimit të avionit rus janë rritur ndjeshëm, me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, që paralajmëroi “pasoja të rënda”.
Sigal