Davutoglu: Nuk ka kompromis me sigurinë kufitare

469
Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, deklaron se sulmet ajrore ruse në Siri kanë dobësuar luftën kundër Shtetit Islamik dhe paralajmëroi se Turqia nuk do të bëjë asnjë kompromis mbi sigurinë kufitare, pasi avionët luftarakë rusë kanë shkelur hapësirën ajrore të vendit.
Avionët rusë kanë shkelur hapësirën ajrore të Turqisë dy herë në dy ditë radhazi.
Moska tha se shkelja ka ndodhur gabimisht, deklaratë e cila u hodh poshtë nga NATO, duke shtuar se madje Rusia po dërgon më shumë trupa tokësore dhe armë në Siri.
Pavarësisht se Ministria e Jashtme turke e ka thirrur tre herë Ambasadorin rus në Ankara për sqarime, Davutoglu shprehet:
“Nuk duam të krijojmë tensione me Rusinë, por është e drejtë e Turqisë ti kërkojë Rusisë të respektojë hapësirën tonë ajrore, kufijtë dhe interesat e Turqisë në Siri. Kriza në Siri nuk është një krizë mes Turqisë dhe Rusisë dhe kjo nuk duhet të bëhet një. Nuk duam që kjo situatë të ndezë një tjetër krizë midis Rusisë dhe NATO-s, por siç është theksuar edhe në deklaratën e Aleancës, hapësira ajrore e Turqisë është pjesë e hapësirës ajrore të NATO”-s.
Davutoglu u shpreh i hapur për bisedime me Rusinë, por me kushtin që këto takime të mbahen në Ankara.
Ai shtoi se vetëm dy nga 57 sulmet ajrore të Rusisë në Siri kishin goditur militantët e Shtetit Islamik, ndërsa pjesa tjetër ka qenë kundër forcave të opozitës siriane.
Sigal