DASH, demarkacioni në përputhje me kushtetutën e 1974

621
Përderisa në Kosovë opozita po e kundërshton marrëveshjen e Kosovës me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit, në Mali të Zi po vazhdon procesi që do të çojë te ratifikimi i kësaj marrëveshje që është nënshkruar në gusht të këtij viti në Vjenë.
Komiteti këshill-dhënës i Kuvendit të Malit të Zi, ka vlerësuar njëzëri se duhet të vazhdohet me procedurën e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje.
Shënjimi aktual i kufirit me Malin e Zi po kundërshtohet fuqishëm nga subjektet politike opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, të cilat thonë se ” marrëveshja dëmton tërësinë territoriale të Kosovës”.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pati theksuar se do të ofrojë për ekspertët e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qasje në dokumentacionin për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, për të parë nëse Kosova është dëmtuar, ashtu siç pretendon opozita.
Por, Milan Paunoviç, kryetar i Komisionit Qeveritar të Malit të Zi për caktimin e vendkalimeve kufitare me shtetet fqinje, ka theksuar se kufiri i caktuar është në përputhje me kufirin administrativ të Kosovës dhe Malit të zi, të vitit 1974.
Sipas tij, iniciativa e Qeverisë së Kosovës vetëm se e vërteton marrëveshjen.
“As Kosova e as Mali i Zi nuk e vënë në dyshim këtë marrëveshje dhe Qeveria e Kosovës nuk ka treguar gatishmëri që ta shqyrtojë këtë marrëveshje. Për shkak të ngjarjeve politike në Prishtinë, keni parë se Qeveria e Kosovës ka kërkuar ndihmën e SHBA-së dhe BE-së, që t’i vërtetojnë qëndrimet e tyre që kjo marrëveshje është bërë me kënaqësinë e ndërsjellë dhe se kufijtë e dikurshëm janë vërtetuar”, ka thënë Paunoviq.
Në anën tjetër, Departamenti Amerikan i Shtetit, përmes një komunikate ka deklaruar për shtyp se “pas shqyrtimit të hartave nga vitet 1940-ta e deri më tash, përfshirë këtu edhe ato që janë shfrytëzuar nga komisioni për demarkacionin e kufirit, Departamenti Amerikan i Shtetit ka përcaktuar se kufiri i shënjuar së voni është në përputhje të ngushtë me Kushtetutën e vitit 1974”.
“Kufijtë që ne i kemi përshkruar që nga viti 2008, përputhen në detaje me kufirin e propozuar në vitin 2015”, thuhet në një komunikatë të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një komunikate për shtyp, ka thënë se “pavarësisht prej kësaj, ka një numër jo të vogël të ekspertëve të kësaj fushe, që nuk janë persona partiakë, që kanë gjetur parregullsi të mëdha në shënjimin e kufirit me Malin e zi.
Për më tepër edhe vetë Mali i zi, në disa raste e ka shprehur gatishmërinë që të korrigjohen gabimet që janë bërë”.
Analisti i çështjeve politike në Kosovë, Halil Matoshi, vlerëson se komunikata e Departamentit Amerikan të Shtetit për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, është në vazhdën e deklaratës së Sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Sipas tij, të dy këto deklarata, i hedhin poshtë, si i quan ai “kauzat” e opozitës, mbi të cilat tash e sa kohë po i mbështetë kundërshtimet e saj.
“Amerikanët, përveç që janë sponsor të çlirimit të Kosovës, janë edhe sponsor të pavarësimit të vendit. Prandaj, siç tha, sekretari i shtetit (Kerry), investimi i tyre është aq i madh sa që nuk do të lejonin që të cenohej integriteti tokësor, përkatësisht, sovraniteti i Kosovës”.
“Kur kemi parasysh edhe deklaratën e fundit të Departamentit të Shtetit rreth demarkacionit, përfundimisht e le opozitën pa ‘kauzë’, pa kërkesa politike, por vetëm me ultimatume, që si të tilla janë të parealizueshme”, tha Matoshi.
Analisti Matoshi ka shtuar se vet fakti që deklarata vjen nga një vend që është mik i madh i Kosovës, por edhe për fakti që Qeveria e Malit të Zi është dëshmuar bashkëpunuese në procesin e demarkacionit të kufirit, tregojnë se nuk mund të bëhet fjalë për humbjen e 8 mijë hektarëve të Kosovës, në përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
“Unë po mendoj se opozita ka krijuar ‘kauza’ të paqena dhe tash, praktikisht po ndjehet e humbur dhe nuk po mund të tërhiqet aq lehtë nga këto dy ‘kauza’. Opozita ka pasur mijëra e qindra probleme, të cilat do të mund t’i ngrihte si kauza të vërteta dhe në këtë situatë, unë mendoj se opozita, praktikisht, e ka humbur më arsyetimin racional”, tha Matoshi.
Ndryshe, autoritetet e Malit të Zi, kanë theksuar se për dy vjet do të bëhet shënjimi definitiv i kufirit me Kosovën, ndërkaq që komisionet e përbashkëta do të kenë duart e lira që të korrigjojnë pjesë të caktuara, në mënyrë që pronat apo parcelat kadastrale të mos copëtohen, por të bëhet kompensimi, sipas principit “metër për metër”.
Sigal