Darka e “pajtimit”, Thaçi: U kërkua njohja e Kosovës

523
Prishtina dhe Beogradi u vunë përballë në Bruksel në nivelin më të lartë të përfaqësimit, pas një serie tensionesh që u duk sikur do t’i çonte dy vendet në një përplasje të pakorrigjueshme.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe homologët serbë Tomislav Nikoliç dhe Aleksandër Vuciç, qëndruan gati 2 orë në tryezën e shefes se diplomacisë europiane Federica Mogherini. 
Takimi që erdhi pas incidentit me trenin serb me parrullat provokuese dhe arrestimit të kreut të AAK-së Ramush Haradinaj në Francë mbi bazën e një fletë arresti serb, u cilësua si me i vështiri deri më sot nga Aleksander Vuçiç. 
Edhe për presidentin Thaçi nuk ka qenë një takim i lehtë, por ai theksoi se edhe pse nuk pati rezultat konkret, palët u angazhuan që të vijojnë bisedimet në nivele të larta. Po ashtu Thaçi pohoi atë që homologu i tij Nikoliç deklaroi me herët, se Serbisë i është kërkuar që të njohë Kosovën dhe të heqë dorë nga pretendimet territoriale. 
Hashim Thaçi tha gjithashtu se Prishtina do të përgjigjet në mënyrë institucionale ndaj çdo provokimi të Beogradit. 
Lidhur me murin serb në veri te Mitrovicës, kryeministri Isa Mustafa theksoi se nuk ka asnjë negociate dhe se ai do të shembet. Mustafa kërkoi edhe mbështetjen e opozitës kosovare, me qëllim që dialogu me Beogradin të përmbyllet sa më shpejt, pasi siç tha ai, nuk mund te vazhdojë pa fund. 
Po ashtu kryeministri kosovar tregoi për mediat e Prishtinës, se pati zotim nga pala serbe që të ketë përmbajtje në deklarata, me qëllim që të mos nxisë urrejtjen dhe destabilizimin e situatës në rajon. 
Nikoliç i tha gazetareve se Mogherini nuk prezantoi asnjë dokument që duhej nënshkruar, por shprehu shqetësimin për pengesat në dialogun Kosovë-Serbi. 
Presidenti serb nënvizoi se shefja e diplomacisë evropiane ka kërkuar që palët të reagojnë qetësisht dhe të diskutojnë për çështjet që duhen zgjidhur në këtë situatë të nxehtë
Sigal