Darka e madhe e shqiptarëve të Nju Jorkut, ku Rama e Nishani do jenë në një tryezë pranë Hillari Klintonit

660
Sigal

Sot Rama niset drejt SHBA-ve për sesionin e OKB-së. E vërteta e ftesës së Presidenti që ia dorëzoi Kryeministrit

Sot Kryeministri Edi Rama niset drejt destinacionit të SHBA-ve, ku do të marrë pjesë në sesionin e përvitshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Historia e ftesës për në OKB ka një epilog më vete, pasi kjo ftesë mbërriti nga OKB-ja, për Presidentin Nishani, por Kryeministri Rama, pas fitores së ndjeshme elektorale, bëri disa negociata me Nishanin nëpërmjet ndërmjetësve të tjerë. Në këto bisedime Rama u tha ndërmjetësve që ftesa e Nishanit, duhet t’i kalojë Ramës. Sepse Presidenti Nishani, aktualisht, sipas Ramës, nuk përfaqëson më shumicën e popullatës shqiptare. Dhe pas kësaj kërkese, Nishani pranoi t’ia dorëzonte ftesën Ramës, duke i dhënë atij të drejtën e përfaqësimit të Shqipërisë në OKB, meqenëse në bazë edhe të numrit të votave të 23 Qershorit, Rama është përfaqësuesi legjitim i shumicës. Ndërkaq, në adresë të Nishanit ka mbërritur një ftesë tjetër nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro -Amerikan, KKSHA, e cila më 27 shtator do të organizojë darkën e 27-të, gala, në sallën Cipriani, ku do të dekorojë dhe nderojë, zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit, Filip Riker me çmimin prestigjioz, “Duart e Shpresës”. KKSHA do të nderojë, gjithashtu, me çmimin për “Arritje Jetësore” edhe profesorin Muhamadd Yunus, që është edhe fitues i çmimit “Nobel”. Në këtë mënyrë darka e KKSHA-së, rastisi me takimin vjetor të OKB-së, duke mundësuar kështu ardhjen e dy liderëve kryesorë ët politikës shqiptare siç janë Presidenti dhe Kryeministri.

Tryezat

Por ndërkaq, në darkën e KKSHA-së janë ftuar edhe personalitete të larta shqiptare nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, apo disa trevave të tjera. Për ardhjen e këtyre personaliteteve zyra protokollare e KKSHA-së, ka menduar edhe mënyrën se si ata do të pozicionohen nëpër tryeza. Kështu Nishani dhe Rama janë planifikuar nga organizatorët që do të ulen në një tryezë të përbashkët, kur në tryezën pranë tyre do të jetë Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi si edhe të tjerët me radhë. Në këtë pozicionim tryezash, ku të gjithë e konsiderojnë veten miq, natyrisht që, Presidenti dhe Kryeministri shqiptar, e quajnë njëri- tjetrin kundërshtar politik. Madje Rama, para pak ditësh i hoqi edhe fotografinë nga zyra, por nuk dihet se si do të veprojë në atë tryezë të përbashkët. Parashikimet e specialistëve dhe analistëve thonë se, Rama do të pranojë të ulet me Presidentin Nishani, vetëm e vetëm për të dhënë idenë e tolerancës dhe bashkëpunimit, para amerikanëve. Por padyshim kjo duhet parë në ditët vijuese, sepse askush nuk mund të bëjë një parashikim të saktë për liderët shqiptarë, të cilët jo radhë kanë dhënë edhe surpriza. Gjithashtu, duhet thënë se më datën 24 shtator të dy drejtuesit e lartë do të zhvillojnë takime me shoqatën “Vatra” dhe komunitetin shqiptar të Amerikës.

Hillari Klinton mes shqiptarëve

Evenimenti më i rëndësishëm i këtij takimi në KKSHA, është konfirmimi i zonjës Hillari Klinton, në darkën e madhe mes shqiptarëve. Pra, ish -sekretarja e shtetit amerikan,  Hillary Clinton do marrë pjesë në darkën e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.. Konfirmimi prej saj, ndaj ftesës së bërë prej KKSHA-së, i bën nder jo vetëm kësaj darke, por mbarë komunitetit shqiptar në të gjithë botën, si edhe vetë shtetit amë të shqiptarëve. Sepse gruaja e “hekurt” e shtetit të madh amerikan, i cili historikisht i ka ndihmuar shqiptarët, pra, bashkëshortja e ish- Presidentit Klinton do të jetë e pranishme në sallë, më 27 shtator, kur do të bëhet edhe dekorimi i zëvendësndihmës Sekretarit të Shtetit, zotit Filip Riker

Presidenti Bill Klinton është padyshim politikani më i rëndësishëm për historinë e Kosovës, sepse në prillin e vitit 1999, ai urdhëroi ndërhyrjen dhe sulmet ushtarake të NATO-s mbi Beogradin, e Milosheviçit. Me këtë veprim, ai ndaloi kataklizmin barbar që kishte projektuar kasapi i Ballkanit, Sllobadan Millosheviçi, për popullatën e pambrojtur kosovare. Bill Klinton është figura më e madhe dhe mbrojtësi më i madh i shqiptarëve në Kosovë, duke i dhënë qeverisë së Beogradit mësimin më të mirë në historinë e shekullit të kaluar. Dhe këtë përgjigje dinjitoze, Klinton ua dha serbëve të Milosheviçit, kur ata kishin vendosur dëbimin e shqiptarëve nga trojet e veta. Më tej, pas çlirimit të Kosovës, Klinton u prit në Prishtinë ashtu siç i ka hije çlirimtarëve. Dhe gjatë kësaj periudhe ai është nderuar me të gjitha vlerësimet e nderit nga shteti kosovar, por sidomos nga populli shqiptar në të dyja anët e kufijve tanë. Ndërsa në Prishtinë, ngrihet gjithashtu, një bust madhështor i ish- Presidentit që vuri në lëvizje të gjithë botën për të garantuar mbijetesën e popullit kosovar. Nga ana tjetër, zonja Hillari Klinton, kur ishte sekretare e Shtetit Amerikan, ka zhvilluar një axhendë të ngjeshur takimesh për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe BE. Ajo ka qenë kurdoherë e palodhur për të mbrojtur çështjen e shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë, prandaj të dy bashkëshortët kanë merituar vlerësimet dhe dekoratat më të larta të kombit tonë. Dhe këto vlerësime janë bërë gjithmonë prej shqiptarëve, duke përfshirë këtu edhe nderimet nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro -Amerikan