Dalip GRECA/ Shqiptarët e Alaskës, si shkuan dhe roli i tyre në komunitetin vendas

1205
Sigal

 Si  e bashkoi televizioni kultura shqiptare në Nevv York, komunitetin e Alaskës me pjesën tjetër të diasporës në Amerikë…

Shqiptarët e Alaskës! Sa janë ata në numër. Kur shkoi atje shqiptari i parë? Me se merren ata? Si janë të organizuar! Para pak kohësh pyetje të tilla debatoheshin në forumet e të rinjve shqiptar në rrjetet sociale, por secili jepte përgjigje hamendësuese. Sinan Kamberaj, gazetari nga Kosova, ish -k/redaktori i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, që e nisi botimin në qershor 1991 dhe gazetar i hershëm i Televizionit të Prishtinës, që jeton në Nju Jork, më pati përcjellë një informacion të detajuar për shqiptarët me origjinë nga Kosova që jetonin në Alaska, por jo për pjesën tjetër,- veçanërisht shqiptarët e Maqedonisë që përbëjnë shumicën e komunitetit shqiptar në Alaskë. Gazetari së bashku me ish -kryetarin e atëhershëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrustem Ibraj, kishin shkuar në Alaskë në mars të vitit 1995. Qëllimi i udhëtimit ishte organizimi i degës së LDK-së dhe një reportazh e abonime nga gazetari.

– Ishin shumë të përmallur për të takuar shqiptarë, qofshin dhe ata që jetojnë në shtete të tjerë të Amerikës. Dolën në aeroport dhe na pritën me shumë vetura dhe flamuj shqiptar dhe amerikan, kujton gazetari. Na pritën bujarisht. Qëndruam vetëm tri ditë, e kishim problem se, nuk u mësuam me raportet natë-ditë, dielli dukej se s’perëndonte. Duhej krijuar errësira me masa artificiale. Sinani pohon se në atë kohë numri i shqiptarëve në Alaskë ishte i pakët, jo më shumë se 100 dhe gati të gjithë ishin të grumbulluar në Anchorage, një nga qendrat më të banuara të Alaskës. Por deri atë kohë askush nuk pati shkruar për ata. Tregojnë se Shqiptari i parë në Alaskë ka shkuar nga Korça dhe quhej Kosta, por ai kishte vdekur shumë kohë para se të shkonim ne dhe nuk ia gjetëm gjurmët, veç emrin. Në Alaskë ka shkuar edhe Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joe DioGuardi. Edhe ata në mes vitet ’90. Pas kësaj asgjë nuk u dëgjua për shqiptarët e Alaskës, deri në fillimet e luftës në Kosovë. Pikërisht me 26 Maj 1998, amerikania  Stacy Sullivan, krahas shqiptarëve të tjerë, do të përmendte në specialen e botuar në  The Vvashington Post, edhe emrin e një shqiptari të Alaskës, Jesse Musliu, që kishte udhëtuar 12 orë me avion nga Alaska, për të kontribuar për mbledhjen e fondeve në ndihmë të lirisë së Kosovës. Musliu kishte thënë se edhe shtëpinë e shiste për të ndihmuar Kosovën dhe se komunitetit të Alaskës do t’ia dëgjoni zërin. Dhe e mbajtën fjalën. Ishte komuniteti i shqiptarëve në Alaskë, ai që nisi më shumë armatime drejt Kosovës, përfshi dhe prodhimet më të fundit të snajperëve. Jesse Alias Njazi Musliu, u kthye në Alaskë dhe iu fut punës, duke bërë për vete edhe amerikanët. Askush nuk foli më pas për Njaziun me shokë. Askush nuk i falënderoi për avionët e ngarkuar që andej me armë e municione, me ndihma e medikamente. Por ata nuk u zemëruan, nuk e morën mëni Kombin, vazhduan të punojnë për çështjen Kombëtare. Po mbetën ashtu të pazëshëm, të pafjalë. Dhe sërish në rrjetet sociale shtrohej pyetja: – A ka shqiptarë në Alaska? Sa janë? Askush nuk përgjigjej. Vjen një moment tjetër dhe, agjencia INA, si dhe gazeta e komunitetit Shqiptar në Nju Jork, “Illyria” dhe “Shekulli” në Tiranë, si dhe shumë blogje, në gusht 2013, publikuan një artikull për shqiptarët e Alaskës. Gazetari i komunitetit Beqir Sina përpiqej që t’i jepte përgjigje në distancë pyetjeve rreth shqiptarëve Alaskës, nisur nga burimet e internetit. Gazetat që e publikuan shkrimin u përpoqën të krijonin publicitetin me shqiptarët taksixhinj e ata që ndreqnin çati. Kjo sikur ua vrau pak veshin shqiptarëve të Alaskës dhe njëri prej tyre i telefonoi Televizionit më të hershëm, që kanë shqiptarët në Nju Jork, TV Kultura Shqiptare, prej nëntorit të vitit 1997. Mesazhi i përcjellë ishte:- Shqiptarët e Alaskës nuk janë vetëm taksixhinj e çatindreqës. Ejani t’na shihni! Pronari i Televizionit, Adem Belliu, u dha fjalën se do të shkonte vetë në Alaska me ekipin e tij. Dhe ashtu bëri, bashkoi pjesën e izoluar të komunitetit shqiptar në skaj të botës, Alaska, me pjesën tjetër të diasporës. TV Kultura Shqiptare do të do të sillte me figurë e zë shqiptarët e Alaskës.  Më 11 shtator, ekipi i TV Kultura Shqiptare, mori avionin dhe kamerat dhe pas dymbëdhjetë orë fluturim u gjendën mes shqiptarëve të Alaskës, të cilët për një javë ofruan miqësi, bujari, ngrohtësi e shqiptarizëm dhe përcollën copëza nga jeta e përditshme dhe treguan historitë e tyre.

SA ËSHTË NUMRI I SHQIPTARËVE NË ALASKA

Më tregon Adem Belliu:- Para se të nisesha dikush më pat thënë se duhet të jenë nja 200-300 shqiptarë në Alaskë, dikush pat shkruar në internet se numri i shqiptarëve shkonte deri në 500, ndërsa Njazi Musliu nga Kosova, aktivist ndër më të njohurit atje, i papërtuar dhe tepër bujar, pohoi para kamerave se jetojnë më shumë se 1200 shqiptarë atje dhe gjeografikisht ata përfaqësojnë Shqipërinë Etnike pasi kanë shkuar aty edhe nga Shqipëria, edhe nga Kosova, shumë nga Maqedonia e më pak nga Mali i Zi. Alaska ndodhet në skajin veriperëndimor të Kontinentit të Amerikës së Veriut, në kufi me Kanadanë në Lindje, Oqeanin Arktik në Veri, dhe Oqeanin Paqësor në Perëndim e Rusinë (Siberinë) në Jug. Alaska është shteti më i madh në SHBA, por më pak i populluar. Gjysma e popullsisë jetojnë në zonën metropolitane të Anchorage, ku banojnë aktualisht dhe shumica e shqiptarëve. Ekonomia e Alaskës dominohet nga nafta, gazit natyror, minierat e arit; banorët merren me peshkim etj.. Turizmi është gjithashtu një pjesë e rëndësishme e ekonomisë në Alaskë, atje organizohen kampionate me ski dhe gara me qen. Dikur Alaska ishte e dominuar nga indigjenët, të cilët sot gëzojnë privilegje të jashtëzakonshme, nuk paguajnë taksa, mjekohen falas etj.. Ata punojnë në minierat e arit.  Shtetet e Bashkuara arritën ta blejnë Alaskën nga Rusia më 30 mars 1867, për $ 7.200.000, që i bie rreth dy cent për acre. Emri “Alaska” në rusisht (Аляска) ishte huazuar gjatë periudhës koloniale ruse. Adme Belliu thotë se, mes shqiptarëve të Alaskës ndjehesh tepër i respektuar. Të lënë jashtë vëmendjes të shteteve nga vijnë, larg diasporës shqiptare, larg vendlindjeve, edhe pse kanë dhënë shumë kontribut, veçanërisht financiar dhe material, ata u ndjenë tepër të vlerësuar para kamerës të Televizionit Kultura Shqiptare. Njazi Musliu, më i njohuri mes tyre, ishte fare i palodhur. Ai la punët e veta, bizneset dhe u bë bashkëshoqërues në filmimet nëpër komunitetin shqiptar të Alaskës. Njaziu ishte tepër i njohur në tregtimin e makinave dhe kishte disa dyqane shitjesh. Ai kishte punësuar në kompaninë e vet shqiptarë të tjerë, madje dhe studentë. Shqiptarët e Alaskës janë tepër të integruar në jetën e shtetit të Alaskës dhe kanë arritur suksese befasuese. Ka ndër ata pronarë restorantesh me emër, ka  pilotë, inxhinierë nafte, mësues, hotelierë, taksistë etj. Në përgjigje të pyetjes se sa është numri i shqiptarëve në Alaska?- nuk ka vend për hamendje, janë 1280 shqiptarë nga të gjitha trevat, shumica nga Maqedonia, kryesisht Struga, Kërçova dhe Dibra, por edhe nga Kosova, e Shqipëria- Fieri, Durrësi, Shkodra dhe Tirana. E pohojnë statistikat që ka vetë komuniteti shqiptar i atjeshëm.

SHQIPTARI I STRUGËS, NJË NDËR 40 DIAMANTET E ALASKËS

Një ndër shqiptarët që është bërë shumë i njohur në Alaskë është edhe Ylber Ferhati me një histori tepër interesante personale dhe familjare. Ai ishte student në Prishtinë në vitet ’80-të, kur nisën demonstratat studentore dhe ndodhej në ballin e demonstruesve. Humbi dhe vëllanë atje, pengu i shpirtit të tij dhe familjes. Një dhimbje që ia ka plagosë shpirtin. Kujtimet që sjell rreth demonstratave janë me aq detaje sa të krijohet përshtypja se sapo i ka përjetuar, jo 34 vite të shkuara. Ai tregon para kamerave se emigroi këtu nga që toka e vendlindjes nuk e mbajti dot. Iku që andej ngaqë kurthet, intrigat, rreziqet, i kishte përherë mbi kokë. Veçse Atdheun, Kombin Shqiptar e do fort edhe këtu në Alaskë. Dhe kontributet i ka të shumta. Pati ardhur në Amerikë më 25 gusht të vitit 1985. Kur e sheh se sa popullor është, sa i respektuar është në komunitetin shqiptaro-amerikan, sa i suksesshëm, të krijohet ideja se ka lindur këtu, në Amerikë. Në restorantin e tij, Fiori D’Italia, me emër dhe kuzhinë italiane(nuk mungojnë as ushqimet shqiptare), klientela është e shumtë. Restorantin e hapi që në shtator 1986. Prej natyre bujar e human, z. Ferhati ka shtruar më shumë se njëmijë darka e dreka pa pagesë për amerikanët, kryesisht në ditët të shënuara, si Thanksgiving, por  jo rrallë ai ka ftuar edhe personalitete të larta të politikës dhe shtetit amerikan, kongresmenë e senatorë, guvernatorë, e politikanë lokalë, duke ua shpërblyer atyre në mënyrë simbolike kontributin për përkrahjen e çështjes shqiptare. Ka një Pllakë mirënjohje të veçantë në restorant,dhuruar nga Batalioni ushtarak 297 Amerikan. Vetëm për ushtarakët Ferhati ka shtruar rreth 300 darka e dreka falas. Këtë e ka bërë në mirënjohje të kontributit amerikan në Kosovë.  Për suksesin e tij, gazeta e Biznesit të Alaskës, e ka shpallur restorantin e Ylber Ferhatit si një ndër 40 Diamantet e Alaskës. Gazeta ka intervistuar zotin dhe zonjën Ferhati, ka përcjellë historinë e tyre familjare dhe suksesin në Alaska. Ka një jetë tepër të suksesshme ky  atdhetar i përkushtuar. Dikur z. Ferhati hapi dhe një shkollë shqipe në Alaska. E ka peng atë shkollë. Ishte viti 1987 kur e hapi shkollën. I mblodhi bashkatdhetarët e trojeve amtare dhe i pyeti:-Vëllezër na duhet një shkollë shqipe pse fëmijët tanë po asimilohen. Si ta mësojnë gjuhën shqipe? Kishte rreth 30 fëmijë të moshës 7 deri 12 vjeç.

Bashkatdhetarët ia miratuan idenë e hapjes së shkollës.

-Po mësues?- pyetën ata.

-E gjej unë,-tha Ylber Ferhati dhe mori në telefon të atin mësues që jeton në Konnektikat:-Eja baba, t’u japësh mësim shqip vajzave dhe djemve shqiptarë këtu në Alaska.

 I ati nuk ia bëri fjalën dysh.

-Po Abetaret dhe librat e tjera?- pyetën bashkatdhetarët.

– I gjej unë,- tha Ferhati dhe me miqtë e tij dërgoi fjalë në Tiranë dhe ia sollën librat. E hapën shkollën me 28 nxënës. Gjithçka shkonte mirë. Fëmijët po përparonin, por të rriturit ua prishën rregullsinë e mësimit. Futën një tavolinë bilardoje në shkollë. Ferhati u tërhoqi vëmendjen:- O shkollë, o bilardo, të dyja s’bëhen bashkë. Dikujt i mbeti qejfi. Kryeviti shkolla u mbyll. Tash po flitet prapë që të rihapet shkolla.

Në një kënd të restorantit Ylber Ferhati ka ekspozuar shumë pllaka me çmimet që ka fituar, fotografi të shumta me kongresmenë e senatorë, Guvernatorë, me drejtues të shtetit, artistë, sportistë të njohur, ka aty edhe fotografi të sukseseve të fëmijëve të tij, veçanërisht të djalit të vogël, Artanit në Uashington, që ka qenë i pranishëm në shumë takime e ceremoni, deri në ato të presidentit, dhe ka dalë në fotografi me politikanë të rangjeve të larta të Amerikës. Edhe me djalin e madh krenohet Ylber Ferhati. Ai është një biznesmen i shkathët që ka lidhje biznesi në Europë, Amerikë. Ka në restorantin e tij edhe një përmendore në miniaturë të heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ia sollën pesë studentë të Shqipërisë që studionin në Sofje të Bullgarisë, të cilëve ai u mundësoi punë gjatë verës në Alaska,kur ata kishin ardhur me Vizë-Studenti. Ylberi Ferhati i ndihmoi të strehoheshin dhe të punësoheshin. Kur erdhën verën tjetër i sollën heroin Kombëtar Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Amerikanëve përherë u tërheq vëmendjen dhe Ferhati ua shpjegon bëmat e heroit Kombëtar.

Në rrëfimin e tij z. Ferhati përcjell mall mërgimtari. – Shikoni, thotë, nuk janë emigrantë ata shqiptarë që jetojnë në Nju Jork, Nju Xhersi, apo Çikago, Michigan apo në Boston, jo emigrantë jemi ne që jetojmë në skaj të Botës, në akullnajat e Alaskës, pa mundësi komunikimi fizik me të tjerët, ndërsa ata janë bashkë në gëzime e hidhërime, bëjnë dasma e aktivitete. Zëre se janë në vendlindje. Ylber Ferhati është dhe nismëtar e drejtues i Shoqatës humanitare “Nëna Tereza”. Ka bërë shumë punë të mira në shërbim të shqiptarëve. Me anë të kësaj shoqate ai ka dërgua ndihma humanitare, ilaçe, pajisje të shumta mjekësore.  Ky njeri i mirë me shpirt human ka sakrifikuar për t’i ndihmuar çështjes Kombëtare. Ai ka punuar një vit falas në Providencë Alaska Medical Center. Veçse ky vullnetarizëm i dha frytet e veta. Shoqata Humanitare Nëna Terezë në Alaska e drejtuar nga Ylber Ferhati pati ndihmën e shumë amerikanëve, përfshi dhe mjekëve.

Tregon një rast të kohës së luftës Ferhati:- Më pyeti mjeku amerikan, që ndjek shëndetin tim:- Si po shkon puna në Kosovë, z. Ferhati?

– Vështirë e kemi, por po luftojmë. Po përcjellim ndihma; ilaçe, para, armë, ç’ mundim, i qe përgjigj Ferhati.

Mjeku i kishte thënë se i duhej pak kohë që të zbriste deri në kat të parë dhe do të kthehej shpejt.

Pas 5 minutash ishte kthyer me një zarf me dollarë, që i kishte tërheqë nga automati prej llogarisë së tij dhe i kishte thënë:- Merri këto, ua dhuroj për Kosovën, nëse nuk të duhen ilaçe, blej plumba për luftëtarët e lirisë.

Ndërsa pako të mëdha me ndihma shoqata ka mbledhë edhe nga amerikanët.

Ferhati tregon se, shqiptarët e Alaskës kanë dhënë shumë ndihma, por një falënderim ende s’ka mbërritur në adresën e tyre. Ne, thotë ai, kemi nevojë për një fjalë të ngrohtë, nuk duam përmendore….A e dini ju se një person i vetëm nga Alaska ka dërguar 1 milion dollarë ndihma në vendlindje?-pas kësaj hesht…

Pastaj na tregon edhe për ndonjë mashtrues, që e heq veten patriot, që kishte shkuar mes shqiptarëve të Alaskës për të kërkuar ndihma.

-Përse i do,- e kishin pyetur shqiptarët e Alaskës.

– Ndihma vëllezër për Universitetin e Tetovës. Ju e dini se maqedonasit na e kanë me hile dhe nuk na lënë të shkollojmë bijtë dhe bijat tona. Po nuk ndihmuat ju, Universiteti mbyllet.

Dhe i mblodhën shqiptarët e Alaskës, jo pak por 45 mijë dollarë.

Më pas nuk dëgjuan asnjë fjalë në Alaskë, i morën apo jo? Për falënderim nuk bëhet fjalë.

Telefonuan në Universitet me një pedagog që e kishin të tyre dhe pyetën nëse kishte shkuar ndihma e nisur nga ata. Pedagogu i Historisë shkoi dhe pyeti Rektorin:-Jo i tha ai, s’ka ardhur gjë.

I mori për vete mashtruesi i shitur si patriot, thotë para kamerës Ferhati dhe tund kokën mendueshëm:- Ka dhe të tillë! Zot na ruaj prej tyre! Ka dhe një pasion të veçantë ky shqiptari i mirë strugan; e do shumë artin, muzikën, këngën. Mbledh të pasionuarit pas muzikës dhe ka krijuar një shoqëri muzikore në Anchorage. Tri herë në javë kjo shoqëri muzikore jep koncerte në publik. Kushtet ua krijon Y. Ferhati.

 (Vijon nesër)