Dalip GRECA/ 1280 shqiptarët, rol të rëndësishëm në biznes dhe jetën shoqërore në Alaskë

986
Sigal

Si e bashkoi Televizioni Kultura shqiptare në New York komunitetin e Alaskës me pjesën tjetër të diasporës në Amerikë

(Vijon nga numri i kaluar)

Shqiptarët në Alaskë, sot janë gjithsej 1280 banorë. Ata janë ingranuar mjaft mirë në komunitetin e atjeshëm, duke pasur rol të rëndësishëm në biznes e fusha të tjera… Ata janë taksixhinj, pronarë lokalesh të mëdha, e deri drejtues avionësh…

 SHQIPTARËT NË ALASKA NGASIN JO VETËM TAKSI, POR EDHE AVIONË

Shqiptari që shoqëronte ekipin e Televizionit Kultura Shqiptare gjatë filmimeve në Alaska, kur mbërritën në Aeroport, tha:- Shqiptarët nuk ngasin vetëm taksi, siç kanë shkruar gazetat, por edhe aeroplanë.

 Në njërin nga aeroplanët po bënte shërbimet e mirëmbajtjes piloti Nexhati Tifeku. Ai është shumë i njohur në rrethet shqiptare të Amerikës me historinë e aeroplanit-ambasador për njohjen e Republikës së Kosovës, në vendet e Amerikës Qendrore dhe asaj Jugore, që tashme e kanë të njohur mbarë shqiptarët, kur së bashku me pilotin tjetër prej Kosove, James Berisha, ndërmorën aventurën më të çuditshme; fluturuan nëpër shtetet e Amerikës së Jugut me banderolën në krah të avionit “Njiheni Republikën e Kosovës”. Një histori sa interesante aq edhe me të papritura, duke përfshirë edhe aventura që ushqyen median botërore. Nexhati ka bërë një karrierë të shkëlqyer si drejtues aeroplani. Ai është tepër i respektuar dhe ka punuar shumë për ngritjen profesionale. Ai njihet si një pilot i kualifikuar me avionët e transportit, inxhinier i fluturimeve, mekanik tepër i kualifikuar.

Është dhe një familjar shumë i mirë. Nexhati, përmes ekranit të Televizionit Kultura Shqiptare, në një emision një orësh përcolli shumë informacion rreth avionëve, historikut të tyre,tipave të tyre, mënyrës së manovrimeve, rreziqeve ne fluturim. Në Alaska avionët përdoren për të kryer shumë shërbime për qytetarët, nga që rrugët këmbësore janë të shkurtra, ndërsa në vend të tyre përdoren rrugët ajrore, madje edhe për peshkim, për furnizimit të banorëve të Alaskës me anë të kargove shumëtonëshe, që ai transporton me avionin e tij etj.. Nexhati Tifeku, baba i tre fëmijëve, ka shtëpinë e vet në Fairbanks dhe ndjehet i lumtur, edhe pse i mungon Atdheu.

NJAZI MUSLIU, ZEMRA E KOMUNITETIT SHQIPTAR NË ALASKA

Njeriu që mundësoi sjelljen e zërit dhe imazhit të shqiptarëve të Alaskës për të parën herë përmes një TV Shqiptar, ishte Njazi (Jesse) Musliu. Ai së bashku me familjen jeton në Anchorage. Kur erdhi në Amerikë,më 1978,  mendoi se do të kthehej shpejt. Pat ardhur për studime, por me sot e me nesër, “po rri dhe pak”, “ja të kalojë dhe kjo verë”, “ja dhe ky Dimër”, kaluan vite dhe ai mbeti në Amerikë. Këtu krijoi edhe familjen. Edhe pse bashkwshortja e tij është amerikane, fëmijët flasin edhe gjuhën e bukur shqipe. Verës i dërgon përherë në Kosovë për ta përvetësuar gjuhën shqipe. Ata mezi e presin stinën e Verës. Njaziut, që njihet tek amerikanët me emrin Jesse, ia dëgjojnë shumë fjalën bashkatdhetarët. Ai është kyçi i organizimit të shqiptarëve në Alaskë, zemra e komunitetit. Para kamerës së TV Kultura Shqiptare, ai flet për domosdoshmërinë e organizimit të Shqiptarëve. Thotë fjalë zemre për Vatrën e Shqiptarëve të Amerikës. Vatra, për Njazi Musliun, është Kulla e shqiptarizmit në Amerikë dhe e ka qenë avokatja e Kombit tonë, prandaj duhet ta mbajmë e ta forcojmë edhe në këtë shekull të dytë të  jetës së vet. Kush kritikon Vatrën se ka bërë pak për çështjen Kombëtare, ai nuk është shqiptar i mirë. Vatra është legjendë e gjallë. Ata që e krijuan qenë parashikues se Kombit tonë për të shpëtuar nga fqinjët grabitqarë, i duhej mbështetja e këtij vendi të madh, të drejtë e demokratik,i duhej mbështetja e Amerikës. Dhe Kombi ynë mbijeton sot se është Amerika. Për z. Musliu, krijimi i një dege të Vatrës për t’i mbajt bashkë shqiptarë në Alaska, është i nevojshëm. Kontributi që ka dhënë Njazi Musliu gjatë mbledhjes së ndihmave për luftën në Kosovë është i jashtëzakonshëm. Kur u mblodhën ndihmat në restorantin e Bruno Selimajt në Manhattan, ai nuk përtoi, por fluturoi 12 orë prej Alaske dhe u bë pjesë e fushatës për mbledhjen e ndihmave të luftës për liri. E ka përmendë këtë edhe shtypi amerikan, Gazeta “Daily News”, “The Washington Post”, pa përmendur gazetat dhe televizionet në Alaska. Shumë ngarkesa me armë drejt Kosovës janë nisë prej Alaske. Edhe snajperët më të fundit këndej u nisën. Kujton një moment Njaziu: Po paketonim arkat me municione. Një djalë prej Kosove, e mori snajperin, e përkëdheli, i puthi tytën dhe uroi:-Dalshi faqebardhë vëllezër të Kosovës! Pastaj kishte vazhduar paketimin. Historia vazhdon: Pasi kishte mbërritur armatimi në Kosovë, armën-snajper, ia kishin besuar një trimi të ri kosovar. Ai i kishte kërkuar lejë komandantit, që ta zhdukte atë serbin paramilitar, që çdo mëngjes dilte atje majë kodre dhe u tregon prapanicën vëllezërve dhe motrave tanë. Kishte kohë që e bënte paramilitari këtë rit pervers. Ai e dinte se luftëtarët nuk kishin armë që të qëllonin aq larg….Por nuk e dinin se një ditë vëllezërit nga Alaska e kishin paketuar një snajper që qëllonte paq edhe më shumë se 1 km larg. Dhe atë ditë serbi kishte dalë të ushtronte ritin pervers. Djaloshi e futi në shjekzën e snajperit dhe e përplasi për tokë!… Lajmi kishte shkuar edhe në Anchorage tek shqiptarët e Alaskës. Ata e kishin festuar ngjarjen. Shqiptarëve të Alaskës u shkoi nami deri në Beograd. Njëra nga gazetat më të njohura “Politika” e Beogradit, pat shkruar se Shqiptarët e Alaskës kanë një fabrikë armësh dhe ata po na e marrin Kosovën prej duarsh! Natyrisht, kjo nuk ishte e vërtetë, thotë Njaziu, fabrikë s’kishim; është lajm i ekzagjeruar, por e vërteta është se shumë armë janë nisë që këndej. Shqiptarët e Alaskës,sipas Njazi Musliut, edhe pse nuk përbëjnë komunitet të madh numerik krahasuar me komunitetet e tjerë, pavarësisht se statistikat tash tregojnë për rritje të numrit, vjet ishin 1280, sivjet duhet të ketë rritje të mëtejshme, ata gjithë sesi gëzojnë një autoritet të madh tek politikanët dhe qeverisësit vendorë në Alaska. Kongresmenët dhe senatorët e Alaskës përherë nxitojnë të kenë ndihmën dhe përkrahjen e komunitetit shqiptar. Pavarësisht numrit, kontributi i tyre ka qenë i rëndësishëm. Tregon një rast Njaziu:  “Kur ndodhën sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, ne shqiptarët u ndjemë shumë të prekur. Jo pse ata që e kryen aktin ne emër të fesë Islame, dhe se shqiptarët në Alaska, në përbërje janë 90 për qind të besimit mysliman, por u ndjemë të prekur për viktimat e pafajshme të atij sulmi çnjerëzor. Ku ka fe që të predikojë vrasje? U mblodhëm si komunitet dhe pavarësisht numrit të vogël, ishim komuniteti që dhamë dhjetëfishin e kontributeve që dhanë komunitetet shumë herë më të mëdhenj se ne në numër.

– Ja, ne jemi shqiptarët e Alaskës,- thotë,jo pa krenari Njaziu.

Duke qenë larg pjesës tjetër të diasporës shqiptare në Amerikë, komunitetit të Alaskës, largësia ia ka shtuar vëllazërimin dhe bashkëpunimin mes vetes. Në Festa, siç është ajo e Ditës së Flamurit, apo Festa e Pavarësisë së Kosovës, komuniteti bashkohet dhe feston së toku. Ai tregon se si u bashkuan shqiptarët me 28 Nëntor nga mesvitet ’80. Festa u bë në një banesë me pronar gjerman. Ai kur e pa komunitetin shqiptar aq të bashkuar, aq entuziast, aq dinamik, nuk i shkëputi lidhjet më me shqiptarët. Edhe sot në atë banesë qëndron e gdhendur një shqiponjë e Flamurit Shqiptar, në shenjë vlerësimi. Këtë shqiponjë gjermano-amerikani ia porositi një artist drugdhendës prej Shkodre. Njaziu ndjehet krenar që është shqiptar. Ai mburret me cilësitë e shqiptarëve. Tregon një rast të pas luftës kur ka shkuar në Kosovë. Vëllai i ka prezantuar një amerikan që mbante në kokë një plis, në dorë një çifteli, quhej Bryan. E pyet vëllain, po ky? Është amerikan,ia kthen vëllai, por dëgjoje sa mirë i bie çiftelisë! Njaziu është habitë me mjeshtërinë e amerikanit, i cili paskësh ngritur dhe një shoqëri kulturore atje dhe e drejtonte vetë. Fqinjët tanë na kanë trajtuar me urrejtje, asnjë herë nuk e kuptuan shpirtin tonë, aftësitë tona, ndërsa amerikanët, janë tjetër, thotë Njazi Musliu.

Njaziu, si shumë shqiptarë të tjerë, fëmijët i ka të shkolluar. “E kam amanet të trashëguar, thotë, se, baba nuk pati shkollë, por të gjithëve na shkolloi.” Musliu vjen nga një familje prej pesë vëllezërish e tri motrash. Por këtu në Alaska fëmijët e shqiptarëve janë të gjithë të dhënë pas shkollimit. Vetëm në Universitetin në Anchorage janë më shumë se 100 studentë shqiptar. Pa t’i shohësh se si i stolisin makinat e tyre me Flamuj shqiptar dhe me emra qytetesh nga vijnë! Ndonjë prej tyre, i lindur këtu, mund të mos e dijë shqipen, por ndjehen shqiptarë deri në asht dhe e manifestojnë publikisht.

-Ne, thotë Njazi Musliu, nuk jetojmë mërgimin e kohës së Faik Konicës e Fan Nolit. Teknika na afron me vendlindjen dhe ua mundëson edhe fëmijëve tanë këto kontakte. Ai shton se shqiptarët e Alaskës kanë lidhje e miqësi jo vetëm me senatorë e Kongresmenë të këtij shteti, por shumë të tjerë, që janë me zë e me peshë në politikën Amerikane dhe botërore.

TAKIM ME SHQIPTARËT E DIBRËS DHE TË TJERË

Një takim shumë i veçantë ishte ai që mundësoi Njazi Musliu me një grup të madh shqiptarësh tek, Sicily’s Pizza Restaurants, me pronar Atli Dobrova me vëllezër nga Dibra. Atliu me vëllezër ka në pronësi tetë pizzeri-restorante dhe janë bërë shumë të famshëm,jo vetëm në Alaskë. Edhe pse nuk kanë më shumë se 20 vjet në Amerikë, ata kanë arritur majat e suksesit. Vëllezërit nga Dibra kanë në pronësi dhe një hotel,që e kanë emërtuar”Eagel- Hotel”, “Hotel-Shqiponja”. Vëllezërit dibranë kanë arrit të punësojnë më shumë se 120 punëtorë, ndër ta shumë shqiptarë nga trojet amtare. -Të mos ishin shqiptarët, zor se do të ishim këta që jemi, thotë Atliu. Shqiptarët punojnë pa hile. Një investim të shkëlqyer kanë bërë ata edhe në vendlindje duke ndërtuar një linjë fabrike për prodhimin e  shporeteve-sobave, të cilët askush nuk i prodhon në Ballkan. Kanë punësuar edhe atje 60 shqiptarë. Faiz Lena, që ka  26 vjet që jeton në Anchorage, ndjehet mirë mes shqiptarëve. Qemal Aliu nga Kërçova kishte 20 vjet, Ramazan Nasufi nga Kërçova, ishte ndër më të rinjtë, kishte vetëm 2 vjet, që kishte ardhur, por ndjehej sikur të kishte ardhur prej kohësh, aq i respektohej nga komuniteti shqiptar; ishte dhe pjesë e Shoqatës “Nënë Tereza”. Shqiptarët që u mblodhën në këtë restorant tregonin para kameras histori të jetës së tyre dhe ndjeheshin krenarë që punonin bashkë. Kur vijnë të rinj nga vendlindja ata punësohen në bizneset e shqiptarëve dibranë, sigurojnë fjetje nga ata dhe dalëngadalë përshtaten. Ata dalin radhazi para kamerave dhe prezantohen:

– Sali Imeri, nga Kosova

-Ramazan Nasufi nga Kërçova…

-Kastriot Nasufi nga Kërçova, prej 9 vitesh punon këtu…

-Besim Shabani, nga Kërçova, ka 22 vite që punon në Anchorage…

-Gjon Selimi nga Kërçova, Sara Dobrova, e lindur në Anchorage…

– Astrit Çeku, menaxher…

-Arjan Velija është nga Durrësi. Ka provuar shumë punë, por tash është taksist. Para kameras në makinën e tij lexohet “Durrësi”, çka tregon qytetin nga vjen… I biri i tij Engel, s’ka shumë që ka ardhur, por krahas studimeve punon në Shertaon Hotel…

– Familja e Arban Dobrovës prej 4 vitesh ka hapur një dyqan të madh për riparim TV, kompjuterash dhe ndërtim uebsite-sh për bizneset e atyshme… Egzona Dobrova, ndjehet mirë tek punon në biznese shqiptare, Sefedin Koçi, punon taksist, ndjehet shumë mirë që fëmijët janë shkolluar, vajza për mjekësi e djali financë, ndërsa e shoqja punon në spitalin e qytetit.

– Na mungon vetëm Atdheu, thotë Sefedini.

 

PAK FJALË PËR SHQIPTARËT QË JETOJNË NË BETHEL

Bethel  është një qytet  i vendosur në afërsi të bregut perëndimor të Alaskës, rreth 400 milje (640 km), në perëndim të Anchorage. Është një qytezë, ku mund të shkosh vetëm nga ajri dhe uji. Betheli është porti kryesor në lumin Kuskokwim dhe është një qendër administrative dhe transportit për 56 fshatra në deltën e Yukon-Kuskokwim. Ka një popullsi prej 6080 banorë, sipas Censusit të vitit 2010. Pikërisht këtu jetojnë rreth 100 familje shqiptare. Edhe pse ka  pak kilometra rrugë makine, ka shumë taksi, që përcjellin eskimezët në lëvizjet e tyre drejt minierave ku punojnë. Është e vërtetë se këtu ka shumë taksixhinj, kryesisht shqiptar dhe koreanë. Shqiptarët janë më të preferueshëm. Shqiptari nga Maqedonia Maxhid Lena e ka të vetën taksinë dhe pohon se nxjerr deri në 200 dollarë në ditë. Ai tregon se ka edhe disa shqiptarë të tjerë që e ushtrojnë këtë profesion. Kjo qytezë ka kushte tepër të veçanta klimaterike. Nuk rriten normalisht bimë e pemë. Mirëpo një shqiptar i këtushëm u bë i famshëm sepse bëri një veprim që tërhoqi vëmendjen e vendasve. Taksiti Mexhid Lena që e tregon ngjarjen, sjell detaje: Shqiptari me emrin Skënder,vendosi të sfidonte natyrën. Ai, pasi kishte ndërtuar shtëpinë, solli me anije gurë, tokë dhe e ngriti vendin para shtëpisë. Më pas  solli pemë e bimë nga zona të tjera dhe i mbolli. Ato mbinë, u rritën, dhe krijuan habi tek vendasit. Si ka mundësi? Po këtu nuk rritej asgjë. Po këtu është ftohtë. Duhet mendja e shqiptarit që ta sfidojë edhe natyrën e Alaskës. Në Bethel, flitet shumë edhe për një shtëpi fare të veçantë që ka ndërtuar shqiptari Mersin Sh. Është fare e veçantë dhe ka hyrë në katalogët e qytetit. Shqiptarët janë ndërtues të jashtëzakonshëm. Grupet e inspektimit gjatë kontrollit që u bëjnë banesave në ndërtim e sipër, sapo e shohin se ndërtuesi është shqiptar, nuk merakosen për standardet sepse e dinë se shqiptarët janë meraklinj dhe gjithçka e ndërtojnë me parametra të lartë.

INXHINIERI ALKET MICI

Një ndër djemtë e suksesshëm në Alaska është inxhinieri Alket Mici. Ai është menaxher dhe ia kanë shumë nevojën këtu. Altini është diplomuar në Tiranë, por kur erdhi në Amerikë nuk mendoi se do të kishte mundësi të gjente punë sipas diplomës. Nisi studimet për tjetër gjë në Nju York, por më pas kaloi në Hjuston, Texas, atje i rekomanduan Alaskën. Dhe nuk është penduar që erdhi në Alaskë, punët i shkojnë mbarë. Ai punon në skajin më verior të Alaskës. Udhëton më shumë se dy orë me aeroplan deri tek vendet e puseve, ku krahas kompanisë së tij ka dhe kompani të tjera, jo vetëm nga Amerika, por edhe nga Spanaj e shtete të tjera. Bashkëshortja e Alketit, Edlira, ka qenë mësuese e Letërsisë në Fier, por këtu iu desh të studionte për mjekësi. Fqinjë me të është edhe inxhinierja Rudina Berberi, me origjinë nga Durrësi, e larguar në Maqedoni pas moshës 8 vjeçe, dhe ka ardhur në Alaska në moshën 16 vjeçe. Rudina ka një pozicion kyç në një ndër kompanitë e mëdha internacionale vaji, ku është analiste për kontratat. Ajo ka dhe një vajzë të vogël që e do shumë, Fjona. Bijtë e shqiptarëve kanë pozicione të lakmishme në kompanitë amerikane; Fadil Limani prezanton një kompani internacionale të fuqishme në Amerikë e Europë….

 … Ja pra se kush janë shqiptarët e Alaskës, nuk janë vetëm taksixhinj, as vetëm ndreqësit e çative të shtëpive, janë të suksesshëm në shumë fusha. Kur të shkruajmë herën tjetër do të sjellim më shumë detaje nga jeta e tyre, më shumë histori, më shumë ngrohtësi shqiptare, që vjen nga akullnajat e Alaskës së largët. Faleminderit shqiptarë të Alaskës!  Faleminderit Adem Belliut të TV Kultura Shqiptare, që na i solle pranë shqiptarët e Alaskës!