Çudia në Beograd, një restorant u shërben vetëm njerëzve nga vendet që s’kanë njohur Kosovën

70
Pavle Korcagin është një restorant i vendosur në qendër të kryeqytetit të Serbisë, Beograd. Ky restorant shërben ushqime tradicionale serbe, por edhe të kuzhinave të shteteve botërore si Spanja, Angola, Iraku apo Maroku.
Por, restoranti Pavle Korcagin ka vetëm një rregull: Të shërbejë ushqim vetëm për njerëzit që vijnë nga shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës.
Në një intervistë për mediumin Vice News, pronari i këtij restoranti, Vojin Çuçic thotë se restorantin e ka të trashëguar nga babi i tij, i cili, kishte qenë një adhurues i Republikës Federale të Ish-Jugosllavisë, shkruan Insajderi.
Çuçic deklaron se të gjithë njerëzit në Serbi e mbështesin idenë e tyre, dhe se nuk kanë asgjë kundër restorantit.
“Unë nuk e imagjinoj dot dikë që jeton në Serbi dhe ka diçka kundër restorantit tonë. Përveç disa organizatave joqeveritare, njerëzit janë mbështetës ndaj nesh – e kemi gjithmonë të mbushur lokalin” thotë Çuçic.