Sigal

Një kirurg nga Kalifornia në SHBA dhe e dashura e tij janë akuzuar për dy sulme seksuale dhe hetuesit dyshojnë se mund të ketë edhe gra të tjera që mund të jenë viktima të abuzimit.

Grant William Robicheaux 38 vjeç dhe Cerissa Laura Riley 31 vjeç, sulmuan seksualisht dy gra të cilat i njohën në një bar dhe në një restorant në vitin 2016.

Prokurorët amerikanë thënë për BBC se në telefonat e të pandehurve kanë gjetur mijëra video të viktimave të abuzimeve të çiftit amerikan. Hetuesit po përpiqen të identifikojnë gratë që shfaqen në video.

“Besojmë se të pandehurit shfrytëzonin paraqitjen e tyre të jashtme të mirë për t’iu afruar grave.

Ka disa video ku gratë dukeshin të ishin shumë të dehura dhe të pafuqishme për të reaguar ndaj abuzimeve seksuale të të pandehurve.

Bazuar në këto prova, besojmë se mund të ketë shumë gra të abuzuara që nuk janë të identifikuara“, thonë autoritetet amerikane.

Hetuesit thonë se çifti amerikan i drogonte ose i detyronte gratë të konsumonin sasi të mëdha alkooli për t’i dehur, dhe më pas shkonin në apartamentin e kirurgut, ku dhe i sulmonin seksualisht.

Deri tani, dy prej grave kanë pohuar se ishin takuar me dy të pandehurit dhe ishin droguar prej tyre, e më pas ishin abuzuar.

Grant William Robicheaux dhe Cerissa Laura Riley akuzohen për përdhunim dhe përdorim të drogës.