“Cikloni bombë” godet verilindjen e SHBA, 17 të vdekur si pasojë e stuhisë

93
17 persona kanë humbur jetën si pasojë e një stuhie të fuqishme dimërore të cilësuar nga meteorologët si ‘cikloni bombë’ i cili ka shkaktuar kaos në pjesën veri lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Rreth 4000 fluturime u anuluan të enjten ndërsa dëbora mbuloi shumë qytete në veri lindje të SHBA-së dhe Kanadasë lindore.
Stuhia parashikohet të vazhdojë të godasë Amerikën Veriore lindore gjatë fundjavës ndërsa temperaturat do ulen edhe më tepër. Ekspertët paralajmërojnë se shumë zona të SHBA-së mund të regjistrojnë temperaturat e tyre më të ulëta ndonjëherë në fundjavë.
Shërbimi Kombëtar i Motit në SHBA bëri të ditur se reshjet e dendura të dëborës do të përhapen në veri, në New Hampshire dhe në pjesën jugore dhe qendrore që herët të premten.
Guvernatori i New Yorkut Andrew Cuomo, i cili shpalli gjendjen e emergjencës të enjten, tha se situata vazhdon të përkeqësohet. Shkollat janë mbyllur në New York, Filadelfia, Boston, Virginia dhe shumë qytete të tjera për shkak të rrezikut nga hipotermia, ngrirja dhe aksidentet e trafikut.
Sakaq tre persona humbën jetën si pasojë e stuhive dimërore që përfshinë pjesën më të madhe të Europës perëndimore të enjten. Dhjetëra mijëra shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike në Britani ndërsa transporti është bllokuar në disa rrugë në Europë.