CIA: “Avioni i godit nga filorusët”

493
Sigal

Kryeministri ukrainas Arsenij Yatsenyuk fajësoi “terroristët” për rrëzimin e avionit malajzian dy ditë më parë

Rrëzimi i avionit malajzian ku gjetën vdekjen 298 persona, është qëlluar nga separatistët filorusë. Deklaratat janë bërë nga një zyrtar i Shërbimit të Inteligjencës Amerikane (CIA) për CNN, ku fillojnë të dalin edhe pistat e para të hetimit. Sipas CNN një analizë sekrete paraprake e zbulimit amerikan ka arritur në përfundimin se raketa që goditi fluturimin MH17 më shumë gjasa është qëlluar nga separatistët pro-rusë. Zyrtari nuk pranoi të identifikohet për shkak të ndjeshmërisë së informacionit ndërsa më herët, një tjetër zyrtar i lartë amerikan tha se Shtetet e Bashkuara kanë arritur në përfundimin se aeroplani është rrëzuar pasi është goditur nga një raketë. Kryeministri ukrainas Arsenij Yatsenyuk fajësoi “terroristët” për rrëzimin e avionit malajzian dy ditë më parë. Sipas tij, çështja e rrëzimit të avionit Malaysia Airlines MH17 të hetohet nga gjykata ndërkombëtare e Hagës, duke e cilësuar rrëzimin e tij një krim kundër njerëzimit.

Edhe separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës janë shprehur pro investigimeve ndërkombëtare në vendin e rrëzimit të avionit. Rebelët janë zotuar të sigurojnë vendin si dhe kthimin e trupave. Aktualisht, të dyja palët në konfliktin ukrainas fajësojnë njëri-tjetrin për rrëzimin e avionit. Vetë presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se Ukraina është përgjegjëse për tragjedinë.

Ndërsa zëvendës presidenti amerikan i shtetit, Joe Biden ka thënë se aksidenti nuk ka ndodhur rastësisht. Sipas Biden, avioni mund të jetë qëlluar nga dikush i cili mund ta ketë marrë atë për avion ushtarak. Po ashtu edhe Bashkimi Europian ka kërkuar hetime gjithpërfshirëse ndërkombëtare në lidhje me rrëzimin e avionit.

Administrata e aviacionit Federal të SHBA ka publikuar sot një urdhër në të cilin aeroplanët amerikanë e kanë të ndaluar të udhëtojnë në pjesën lindore të Ukrainës. Pothuaj të gjitha kompanitë ajrore ndërkombëtare kanë shmangur fluturimet mbi Ukrainën lindore, pas rrëzimit të aeroplanit. Shërbimi i inteligjencës ukrainase është shprehur se avioni është goditur nga filorusët ku sipas një telefonate që ka arritur të zbulojë dyshohet se avioni është rrëzuar nga separatistët filorusë. Bashkimi Europian dhe Komisioni Evropian kërkuan hetime gjithpërfshirëse ndërkombëtare.

BISEDA E PËRGJUAR

Shërbimi ukrainas i sigurisë publikoi në llogarinë e tij në “Youtube” një video ku dyshohet se zhvillohen bisedat mes separatistëve filorusë ku pranojnë se kanë sulmuar një avion civil. Filorusi Igor Bezler i ka thënë një funksionari të sigurisë ruse për sulmin ndaj avionit. Në regjistrime dëgjohet edhe një bisedë mes dy ushtarëve. Ndërkaq, Malajzia dërgon një ekip prej 62 personash për të hetuar tragjedinë. Sipas regjistrimeve të thirrjeve telefonike të përgjuara, të publikuara nga Agjencia ukrainase e sigurimit (SBU), biseda ku flitet për rrëzimin e avionit është zhvilluar mes oficerëve rusë të inteligjencës ushtarake dhe anëtarë të grupeve terroriste.

Një telefonatë me sa duket është bërë në orën 16:40, ose 20 minuta pas aksidentit ajror, nga Igor Bezler, për të cilin Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës thotë se është një oficer rus i zbulimit ushtarak dhe komandantit kryesor i Republikës së vetëshpallur popullore të Donetsk. Ai raporton për një person të identifikuar nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës si një kolonel në departamentin kryesor informativ të selisë së përgjithshme të forcave të armatosura të Federatës Ruse, Vasili Geranin, lidhur me rrëzimin e aeroplanit malajzian, i cili u mbikëqyr nga militantët.

 PRESIDENTI OBAMA

Presidenti i Shteteve të Bashkuaram, Barak Obama, shprehu keqardhje për rrëzimin e avionit të linjës “Malaysian Airlines”. “Kjo është një tragjedi e tmerrshme, SHBA ofron ndihmë në zbardhjen e ngjarjes dhe shkaqet e tragjedisë”. Obama pati edeh një bisedë telefonike me Presidentin rus, Putin.

 TRAGJEDIA E DYTË

Kjo është tragjedia e dytë që ndodh për kompaninë “Malaysia Airlines” brenda pak muajsh. Në muajin mars fluturimi MH370 u zhduk me 239 persona në bord, pak pasi u nis nga Kuala Lumpur në kufi me Pekinin duke u përplasur në fund në Oqeanin Indian dhe ende nuk është gjetur asnjë gjurmë e tij.

 KOMBËSITË E UDHËTARËVE

Tashmë dihen edhe kombësitë e pasagjerëve dhe anëtarëve të bordit. Shumica e pasagjerëve ishin holandezë, 154 vetë, 43 malajzianë, 27 australianë, 12 indonezianë, 9 anglezë, 4 gjermanë, 4 belgë, 3 nga Filipinet dhe 1 kanadez, dhe 18 janë ende të paverifikuar. Në bordin e avionit malajzian udhëtonin dhe 23 amerikanë.

Meta, mesazh ngushëllimi homologut malajzian

 Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i ka dërguar një mesazh ngushëllimi Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Malajzisë, Sh. T.Z. Tan Sri Pandikar Amin Haji Mulia pas rrëzimit të avionit të Malaysia Airlines, si pasojë e të cilit humbën jetën 298 persona. “Me hidhërim dhe keqardhje të thellë mësova lajmin tronditës për rrëzimin e avionit të Malaysia Airlines, si pasojë e të cilit humbën jetën 298 persona. Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur të gjithë opinionin publik shqiptar dhe atë mbarëbotëror. Në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe timin personal më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta ju dhe të gjithë familjarëve që humbën njerëzit e tyre më të shtrenjtë. Dëshiroj të ndaj me ju dhimbjen dhe të bashkohem në lutjen tuaj që shpirtrat e tyre të prehen në paqe, sikurse uroj që të zbulohen sa më shpejt shkaqet e rrëzimit të avionit”, shkruan në mesazhin e ngushëllimit Kryetari i Kuvendit.