Çfarë po ndodh me qytetin hermetik të Alepos?

471
Sigal

Merlin BAKIASI

Përtej
interesave të fshehta politike, ekonomike dhe sociale fshihen sekrete të
tmerrshme e lojëra të ndyra

ÇFARË
PO NDODH ME QYTETIN HERMETIK TË ALEPOS?

Para 5 mijë vjetësh lindi një
qytet i bukur në zemër të një shteti të bekuar, të quajtur Siri.

Ende sot flaka e këtij qyteti nuk është shuar megjithëse
ai po shkrihet çdo ditë para syve tanë si një qiri. Çfarë
po ndodh sot me Alepon? Në çfarë kohërash po jetojmë?

Siria ky shtet i lashtë po shkatërrohet brutalisht
dhe kriminalisht çdo ditë para syve të të gjithë botës dhe
askush nuk reagon. Alepo qyteti i saj i dytë më i rëndësishëm po kthehet në një
gërmadhë të frikshme. Të gjitha institucionet ligjore dhe organizatat ndërkombëtare
po dështojnë. Përse? A është vërtet pushteti i qeverisë së Assadit dhe mbështetësve
të tij kaq i fortë, sa nuk zmbrapset nga sulmet e vazhdueshme apo pjesës tjetër
të botës (spektatorëve) u intereson kjo gjë? Pushteti i kësaj qeverie nuk është
i justifikueshëm për aq kohë sa nuk heq dorë nga forca. Heqja dorë nga forca është
një akt thellësisht i matur, por askush nuk heq dorë prej saj. Përtej interesave
të fshehta politike, ekonomike dhe sociale fshihen sekrete të tmerrshme e lojëra
të ndyra që ruhen me fanatizëm dhe me çdo kusht. Vërtet vendet
e Gjirit Arabik, organizatat terroriste si ISIS apo HEZBOLLAH, shtetet si Rusia
apo Irani kanë një “dashuri” të veçantë për Sirinë? Nuk e
besoj këtë gjë. Megjithatë ato kanë në dorë të financojnë dhe të përdorin “sulmet”,
të cilat janë një lloj fuqie.

 

Të drejtat dhe
liritë e qytetarëve

Ndërkohë që në mendimet politike në Republikën Arabe
të Sirisë, qeveria synon të sigurojë të drejtat dhe liritë e qytetarëve, por në
të vërtetë po i shkel ato. Supozohet një bashkëpunim midis presidentit dhe
popullit, por shumica e popullit atje ka vdekur ose dergjet rrugëve.

Gjuha e bashkëpunimit midis shteteve dhe organizatave
ndërkombëtare ka dështuar. Kombet e Bashkuara dështuan që të shpëtojnë jetët e
pafajshme të mijëra civilëve, shtetet e botës ende nuk kanë gjetur një gjuhë të
përbashkët me njëri-tjetrin për të ndihmuar qytetarët e pafajshëm.

Gjuha e tyre është kthyer në një gjuhë “shtazore” që fillon dhe mbaron në tavolinat e rrumbullakëta. Tashmë portat
dhe tunelet e qytetit të Alepos u mbyllën duke mos lejuar asnjë

dalje të qytetarëve. Të pashpresë dhe të mbyllur brenda
qytetit si zogjtë e zënë në kafaz, ata vdesin çdo ditë.
Qyteti i mbyllur hermetikisht në të gjitha anët është kthyer në një fantazmë.

Kjo luftë civile, e cila ka marrë përmasat e një genocidi,
nuk është një gabim rastësor.

Jo, sepse ajo është paralajmëruar herët dhe i ka
shfaqur shenjat e saj që në 2012, para 4 vjetësh. Tashmë çdo
sulm i kryer brenda Sirisë është kthyer në një problem irracional që shumica prej
nesh nuk e kupton. Ne shohim imazhe duke i komentuar ato dhe realiteti që perceptojmë
është krejt ndryshe. Imazhe dhe video irreale që paraqesin një jetë të vërtetë,
një arsye të palogjikshme, e cila na afron më pranë me zonat e konfliktit. Çdo
ditë njerëz që theren, gra dhe vajza që vetëvriten për të mos rënë në duart e rebelëve
apo të terroristëve, fëmijë të mbetur jetimë, jetë që shuhen. Të gjithë duke u
lutur dhe duke lypur mëshirë nga ne. Ne që i shohim por nuk reagojmë, ne që komentojmë
nga shtëpitë tona të ngrohta ulur mbi divanet e lëkurës. Ne kemi kaluar një përvojë
të tillë, të ngjashme me ta gjatë luftës civile në 1997 dhe në 1999 kur strehuam
vëllezërit tanë kosovarë për t’i shpëtuar nga genocidi serb, por prapë heshtim.

Përse?

Përse kur faktet na përplasen para syve? Përse asnjë
pikë dhembshurie për ata?

Të gjithë qajmë dhe sensibilizohemi kur çdo shtet tjetër perëndimor dhe më i fuqishëm sulmohet, ndërsa
kur flitet për Sirinë bëjmë sikur nuk dëgjojmë, sikur nuk kuptojmë!

Kjo luftë e çmendur për pushtet
e ka kthyer Alepon në një fushë betejë të përgjakshme ku orekset e mëdha të
organizatave terroriste, Rusisë, Iranit, vendeve arabike dhe heshtja neutrale e
Jordanisë dhe ShBA po zbraz të gjitha pasojat shkatërrimtare mbi popullin
sirian.

Në thelb a nuk i shërben interesave të arsyes, kjo
luftë irracionale?

Arsyeja na tregon, se Alepo është shndërruar në një
qytet fantazmë edhe pse de facto Siria ekziston si një shtet. Një shtet
me profilin e një fantazme. Edhe ata që mundohen të flasin përtej kamerave me
anë të notave moraliste, mbeten thjesht në teori të fjalëve të tyre. Ndërgjegjja
morale e tyre ndodhet pikërisht para zgjedhjeve që ata duhet të bëjnë, duke iu
referuar një sistemi hierarkik vlerash universale. Mirëpo për aq kohë sa ata
nuk e ushtrojnë të drejtën e zgjedhjes duke vepruar, për aq kohë sa ata përdorin
standarde të dyfishta duke mbrojtur “vlerat” në shtetet perëndimore dhe duke
shkelur me këmbë vlerat dhe të drejtat bazike (si p.sh. të drejtën e jetës) në
Siri, konfliktet do të ekzistojnë.

Askush nuk gjykon, askush nuk reagon, askush nuk vepron.

 

Në kufijtë e
fundit të ekzistencës

Populli sirian i mbërthyer në kufijtë e fundit të ekzistencës,
lutet për ndihmë duke u shuar çdo ditë para syve tanë. Dëshmi
rrëqethëse vijnë nga Alepo ku prindi mban në dorë fëmijën e vdekur, fëmija i
gjakosur del nga rrënojat duke kërkuar prindërit e vrarë,
vajzat dhe gratë përdhunohen duke vrarë veten në fund dhe burrat kapen si pengje
nga terroristët gjuetarë. Shpresa është ajo që i mban gjallë këta njerëz. Shpresa
që dikush do të vijë t’i shpëtojë, shpresa që do të jetojnë edhe një ditë më
shumë të fshehur poshtë rrënojave, shpresa që Zoti i tyre do t’i ndihmojë. Në të
vërtetë dua të pyesim njëri-tjetrin, se si do të ndjeheshim, nëse do të ndodheshim
çdo ditë në mes të një katrahure, të rrethuar nga trupat e
pajetë, flakët, plumbat dhe frika. Frika për të humbur jetën, frika për t’u
kapur rob. Le të reflektojmë për një moment dhe të gjykojmë nga pozita e këtyre
njerëzve të pafajshëm. Të gjykojmë me drejtësi dhe objektivitet duke peshuar jetën
e të pafajshmëve dhe veprimeve tona. Të realizojmë një bilanc dhe të marrim një
vendim të gjithë së bashku, të bashkuar. Gjithmonë propagandohet, që ne jemi
qytetarë të lirë të kësaj bote dhe anëtarë të shoqërive tona “demokratike”, por
për aq kohë sa i “hapim” rrugën e lirisë sundimit të autokratëve dhe krijimit të
Deklaratave të rreme të Pavarësisë, gjithmonë do të mbetemi kukulla në duart e
pushteteve.