Çështja e emrit, Mogerini dhe Han vizitojnë Shkupin këtë muaj

76
Përfaqësuesja e lartë e BE-së Federika Mogerini, dhe eurokomisari Johanes Han pritet të qëndrojnë në Shkup më 18 dhe 19 prill. Kështu informoi kryeministri Zoran Zaev, në konferencën e përbashkët për media me homologun e tij slloven, Miro Cerar, i cili po qëndron për vizitë dy ditore në Shkup.
Zaev thotë që Qeveria e Maqedonisë pret që në gjysmën e dytë të këtij muaji të marrë rekomandim të pastër nga komisioni evropian, që do të krijonte kushte për marrje të datës për fillim të bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE.
Zaev është optimist edhe për çështjen e emrit, ndërkaq beson që rezoluta e Kombeve të Bashkuara do të kalojë, madje edhe me pëlqimin e Kinës dhe Rusisë, duke i konsideruar ato si vende mike të Maqedonisë .
Kryeministri slloven, Miro Cerar tha se Sllovenia e mbështet Maqedoninë në tentimet për anëtarësim në BE dhe në NATO. Të dy kryeministrat folën mbi ngjashmëritë e të dyja vendeve sa i takon tejkalimit të krizave me të cilat janë ballafaquar si dhe reformave në të dyja shtetet. Ata paralajmëruan thellim të bashkëpunimit në të ardhmen në fushën politike, ekonomike dhe në fushat tjera.