Bylent Kenesh*/ Problemi Erdogan për komunitetin ndërkombëtar

66

 Erdogani po e bën Turqinë një vend të ngjashëm me ato të Lindjes së Mesme

*( kryeredaktor i gazetës Today’s Zaman)

 Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdoan është rikthyer në agjendën e islamizmit politik qysh prej zgjedhjeve të vitit 2011, megjithëse, e ka mohuar në të kaluarën, duke vendosur me shpejtësi që të zbatojë planin e tij, me gjasa të përgatitur më parë, për të spastruar Lëvizjen e Hizmetit. Burokratët, të cilët i qasen me dashamirësi aktiviteteve humanitare të Lëvizjes së Hizmetit dhe ideve të Fethullah Gylenit janë portretizuar, duke bërë që në emër të tyre të nisë një spastrim i tyre gradual. Pavarësisht faktit se, këta burokratë kanë marrë një edukim perëndimor të cilësisë së lartë në shkollat e drejtuara nga Lëvizja, zona kryesore e aktivitetit të së cilës është arsimimi dhe pavarësisht faktit që ishin emëruar në ato poste mbi kritere objektive të bazuara mbi meritën, ata u dëbuan fare në heshtje. Me fjalë të tjera, spastrimet filluan shumë para se tensioni mes Lëvizjes dhe qeverisë të dilte në sipërfaqe. Këto spastrim, të cilat duket se përbëjnë një praktikë diskriminuese sipas çdo kriteri ligjor, më vonë morën formën e ndalimit të burokratëve të dyshuar si simpatizantë të aktiviteteve vullnetare të Lëvizjes nga emërimi në poste të ndryshme. Thënë ndryshe, diskriminimi arriti formën e tij më të vrazhdë. U trajtuan si të dyshuar të gjithë ata që janë diplomuar nga shkollat e Lëvizjes. Me skandalet e përhapura të korrupsionit dhe mitmarrjes, të bëra publike në datat 17 dhe 25 dhjetor, qëllimet e Erdoganit për të spastruar Lëvizjen evoluuan aq sa të paramendohej një plan për zhdukjen e saj të plotë. Në fakt, Erdogani kishte planifikuar t’i jepte fund Lëvizjes publikisht, sikundër edhe në sektorin privat shumë kohë para skandalit të 17 dhjetorit. Hapi i parë i këtij plani ishte të mbyllte qendrat e kurseve, ku në fakt, afërsisht 20 për qind e tyre drejtohen nga kjo Lëvizje. Por sulmi i vërtetë i Erdoganit kundër Lëvizjes erdhi menjëherë pas hetimeve të 17 dhjetorit, teksa filloi të vinte hapur në objektiv lëvizjen, duke mobilizuar një makineri propagande të errët, e cila përdori të gjitha llojet e sulmeve, gënjeshtrave, derisa u rrek të diskreditonte, t’i kundërvihej me çdo forcë për ta demonizuar mendimtarin Gylen përgjatë 4 a 5 muajve të fundit. Në lidhje me këtë fushatë propagande të errët që synon të diskreditojë Gylenin dhe Lëvizjen, ai në mënyrë efektive shkeli Nenin 138 të Kushtetutës, i cili garanton ndarjen e pushteteve, në një përpjekje për të nënshtruar drejtësinë përballë qeverisë. U paraqit me gënjeshtrën e “shtetit paralel” në mënyrë që të hiqte nga detyra çdo cilin që përmbush detyrat e tij kushtetuese. Ndërmori ekzekutime masive ekstragjyqësore, duke spastruar mijëra oficerë policie, burokratë dhe anëtarë të sistemit gjyqësor pa hetime ligjore. Deri më tani cilësohet, se 16.000 punonjës publikë janë hequr nga detyra, për t’u emëruar në detyra të tjera në provincat gjetkë. Është ndërhyrë në sistemin gjyqësor. Prokurorët dhe gjykatësit janë kthyer në jofunksionalë. Individët e larguar nga postet e tyre me pretendime të pabaza janë zëvendësuar me njerëz që besohet se janë besnikë ndaj partisë së Erdogan. E para gjë që këta pritej të bënin ishte të ndalonin hetimet mbi pretendimet për korrupsion. Atyre iu është kërkuar të injorojnë provat e forta që janë bërë publike dhe shfajësojnë të dyshuarit për korrupsion, përfshirë ish-ministrat, të cilëve iu desh të dorëhiqeshin nga detyra si pasojë e akuzave.

Si përfundim, filloi procesi i gëlqerosjes graduale të korrupsionit

Erdogani, i cili së bashku me të birin ishte akuzuar për përfshirje në mitmarrje në shkallën e qindra milionë dollarëve, me prova të qarta kundër, nuk zgjodhi të lejonte procesin gjyqësor të kryente detyrën e tij për të verifikuar nëse këto akuza ishin të vërteta apo jo. Përkundrazi, ai minoi gjyqësorin e pavarur të gjithë njëherësh. Bëri gjithçka të ushtrojë dhe zgjerojë kontrollin e tij të plotë mbi shumë medie dhe të heshtte e frikësonte të tjerat. Në çastin që media sociale filloi të mbushte hapësirën gjithkah, ai vuri në objektiv rrjetin social “Tvvitter” dhe “Youtube”. Tvvitter u bllokua për disa javë, ndërsa aksesi në Youtube është ende i pamundur. Përgjatë këtij procesi, Erdogani dhe grupet e vogla oligarkike të ndihmësve të tij filluan të kërcënojnë gazetarët dhe intelektualët. Ngjashmërisht, ata u rrekën të falimentojnë bankat dhe grupet e bizneseve të drejtuara nga “disidentët”. Sigurisht, këto praktika arbitrare antidemokratike dhe të paligjshme nuk kaluan pa u vënë re nga komuniteti ndërkombëtar. Kësodore, administrata Erdogan mori kritika të forta. Në përpjekje të kota, ata u përpoqën t’i bëjnë bisht kritikave të Bashkimit Europian dhe shteteve të tjerë anëtare. Përkundër akuzave për korrupsion dhe mitmarrje, ata u orvatën turpshëm që të shesin gënjeshtrën e “shtetit paralel” duke argumentuar se, ato ishin përpjekje për t’i rrëzuar nga pushteti. Megjithatë, argumentet e tyre nuk e bindën kurrsesi Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pjesën tjetër të botës. Madje, u bënë edhe qesharakë. Çdo ditë në median ndërkombëtare filluan të “mbijnë” artikuj ku kritikoheshin për dhënien e përshtypjes se janë pjesë e një qeverie të gjunjëzuar nga korrupsioni dhe për përpjekjet për mbulimin e së vërtetës. Në përpjekje për të larguar vëmendjen nga këto kritika të ashpra për veprimet e tyre brejtëse dhe të paligjshme, ata kërkuan strehim në gënjeshtrën se, rrethet e ngushta të Lëvizjes së Hizmetit po mashtronin Bashkimin Evropian, SHBA-të dhe median ndërkombëtare. Shkuan aq larg sa deklaruan se, zyrtarët e BE-së që kritikuan, ishin blerë apo manipuluar nga i ashtuquajturi “shtet paralel”. Ata madje etiketuan edhe presidentin gjerman Joachim Gauck si “imami i Gjermanisë” i Hizmetit për shkak të kriticizmit të tij të hapur dhe të qartë ndaj qeverisë turke. Gauck u sulmua për shkak të së kaluarës së tij si pastor. Sulmuan organizatat ndërkombëtare që tërhoqën vëmendjen ndaj dhunimit në rritje të të drejtave dhe lirive, veçanërisht lirinë e shtypit, duke u përpjekur t’i diskreditojnë në sytë e publikut turk. Kjo ishte ekzaktësisht ajo çka bënë me “Freedom House”, e cila e vendosi Turqinë në mesin e vendeve “jo të lira” në termat e lirisë së medias, një etiketim që nuk e kishte marrë në 15 vitet e fundit. Me përshkrimin e Freedom House-it si “Shkop të Uashingtonit”, “ organizatë neo-konservatore e financuar nga George Soros” dhe si “organizatë të drejtuar nga hebrenjtë”, – ata argumentuan se ajo nuk mund të merrej seriozisht. Në një përpjekje për të thirrur mbështetjen e brendshme dhe konsoliduar gënjeshtrat e tyre ndaj komunitetit ndërkombëtar, ata u përqendruan tek njerëzit e afërt të Lëvizjes së Hizmetit, duke i akuzuar për tradhti dhe spiunazh, akuza këto të pambështetura në as provën më të vogël. Përfundimisht, filluan të kërkojnë ekstradimin e Fetullah Gylenit nga SHBA-të, megjithëse në emër të tij nuk ka as edhe një hetim të vetëm gjyqësor të hapur kundër tij. Përgjigjja e parë e qartë ndaj planit erdhi nga “The Nevv York Times”, gazetë e afërt me demokratët, që përfaqëson kësodore mentalitetin e administratës së Barak Obamës. Në një editorial, gazeta nënvizoi se, kërkesat e qeverisë turke ishin një “përpjekje cinike dhe e pagdhendur”, pasi Erdogani po rrekej të përfshinte vendet e tjera në betejën e tij politike. Duke pasur parasysh të gjitha këto zhvillime, Erdogani dhe ndihmësit e tij, duhet të kuptojnë se, komuniteti ndërkombëtar nuk ka asnjë problem me Gylenin dhe Lëvizjen e Hizmetit. Përkundrazi, ajo që në të vërtetë shihet si problem prej komunitetit ndërkombëtar, përsa i përket Turqisë është vetë Erdogani, i cili po bëhet gjithnjë e më autoritar, duke shpërfillur liritë dhe të drejtat më themelore të njeriut dhe po e bën Turqinë një vend që nuk drejtohet më bazuar mbi sundimin e ligjit, por një shtet antidemokratik, të ngjashëm me ato të Lindjes së Mesme. Kur shkoni apo shikoni jashtë Turqisë, ju do të shikoni vetëm këtë fakt konkret. Sigurisht, Erdogani dhe mbështetësit e tij janë shumë të ndërgjegjshëm për këtë fakt. Për këtë arsye, kërkimi i ekstradimit të Gylenit pa hetime konkrete mund të jetë ogurzi, por kurrë nuk ka qenë një përpjekje e trashë siç pohonte NYT. Erdogani dhe miqtë e tij e dinë mirë se nuk ka gjasa që SHBA-të të ekstradojnë Gylenin pa vështirësitë ligjore, përveçse nëse Turqia ofron koncensione të mëdha politike apo tregtare. Ndoshta ky ishte synimi i tyre që në krye të herës. Ata do t’i kërkojnë Uashingtonit të ekstradojë Gylenin pa baza konkrete, dhe kërkesa e tyre do të mohohet. Më pas ata do të nisin një fushatë intensive propagande errësuese duke thënë se: “ne kërkuam ekstradimin e tij, por SHBA-të nuk e ekstradojnë, pasi Gyleni punon për ta”. Pasi ka humbur të gjithë mbështetjen ndërkombëtare, administrata Erdogan do ta përdorë këtë mundësi për të radikalizuar më tej mbështetjen e tij brenda vendit. Sikundër thashë më sipër, ky plan është ogurzi dhe cinik, por jo i trashë.