Bushati në Maqedoni: Të përmirësohen marrëdhëniet me shqiptarët

78
Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, gjatë vizitës së tij në Shkup u tregua i qartë me palën maqedonase kur tha se forcimi i raporteve ndëretnike është busulla orientuese për stabilitetin demokratik të Maqedonisë dhe për përshpejtimin e procesit integrues. “Pjesë e diskutimit dhe interesit edhe të trupës së ambasadorëve të Maqedonisë, ishte edhe pikëpamja e Shqipërisë për zhvillimet ne Maqedoni, raportet ndëretnike dhe mbi shkallën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Si një fqinjë që i duam vetëm të mirën Maqedonisë besojmë se një marrëdhënie edhe më e mirë ndëretnike do të ishte busulla orientuese për stabilitetin demokratike, prosperitetin ekonomik, për marrëdhënie ndër fqinjësore më të mira dhe për zhvillim të reformave në mënyrë të qëndrueshme që besojmë se do të lehtësonin rrugën e Maqedonisë për në BE dhe për në NATO”, tha Bushati. Kreu i diplomacisë shqiptare e bëri këtë deklaratë pas takimit trepalësh që realizoi në Shkup me kolegët e tij Nikolla Popovski nga Maqedonia dhe Daniel Mitov nga Bullgaria.