Bushati me Thaçin: Kosova ta përfundojë procesin e liberalizimit

439
Sigal

TIRANË – Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati është takuar ditën e sotme me homologun e tij kosovar Hashim Thaçi, në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë.

Në një konferencë të përbashkët pas takimit, Ministri i Jashtëm Bushati ka shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës, si për në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë politik.

Bushati tha se inkurajon qeverinë e re të Kosovës që të vazhdojë ta përmbyllë procesin e liberalizimit të vizave. Ministri Bushati më tej tha se kanë biseduar edhe për bashkëpunim mes dy vendeve në fushën e sigurisë.

Ndërkohë nga ana e tij, Thaçi tha se bashkëpunimi bilateral mes Kosovës dhe Shqipërisë do të jetë më efektiv në të ardhmen. Në takimin e përbashkët që do të mbahet më 23 mars Thaçi tha se do të rriten bashkëpunimet politike, shoqërore dhe në fusha tjera mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Bushati të premten në Kosovë takim me Jahjagën dhe Mustafën
Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati do të zhvillojë të premten një vizitë zyrtare në Kosovë, ku do të pritet nga presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa.

Vizita zhvillohet një ditë pasi në Prishtinë u njoftua zyrtarisht data e mbajtjes së mbledhjes së dytë të përbashkët të qeverive të Shqipërisë e Kosovës, e cila pason mbledhjen e parë historike në Prizren të 11 janarit 2014.

Kryeministri kosovar, Mustafa në mbledhjen e djeshme të kabinetit qeveritar ka kërkuar nga ministrat që të përshpejtojnë përgatitjet për mbledhjen e përbashkët Shqipëri-Kosovë, cila do të zhvillohet në Shqipëri në 23 mars 2015.