Bushati e Hoxhaj hapin Konsullatën e përbashkët: Pranë bashkëkombësve

448
Sigal

MILANO – Ashtu siç u bë e ditur ditën e djeshme, u mbaj sot në Milano të Italisë ceremonia e Inaugurimit të Konsullatës së re të Republikës së Shqipërisë, brenda së cilës do të kryhet gjithashtu dhe përfaqësimi konsullor i Republikës së Kosovës. Në këtë ceremoni morën pjesë dy ministrat e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, anëtarë të trupit diplomatik dhe figura të tjera të larta të vendit pritës, Italisë. Në fjalën e tyre, Ministrat Bushati dhe Hoxhaj vlerësuan se “kjo Konsullatë përbën një hap të rëndësishëm në kuadër të partneritetit strategjik mes dy vendeve dhe është një tregues i qartë i punës dhe vullnetit të dy vendeve për të qenë sa më pranë bashkëkombësve, duke iu ofruar atyre shërbime sa më cilësore dhe transparente”. Siç theksuan Bushati e Hoxhaj, “ky përfaqësim bazohet në Marrëveshjen mes dy qeverive për përfaqësimin konsullor dhe Protokollin e Veprimit për zbatimin e kësaj marrëveshjeje për përfaqësimin konsullor të Republikës së Kosovës pranë Konsullatës së Përgjithshme në Milano dhe përfaqësimin konsullor të Republikës së Shqipërisë pranë Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kanberra, Austral.” Po ashtu dy ministrat e jashtëm theksuan se “fillimi i përfaqësimit konsullor të Republikës së Kosovës në Milano është një shprehje e qartë e nivelit më të lartë të bashkëpunimit mes dy shteteve, besueshmërisë së ndërsjellët si dhe paraqet një shembull me domethënie të veçantë të vullnetit për bashkëpunim.” Gjithashtu ministrat nënvizuan se “Konsullata është njëkohësisht, shprehje e marrëdhënieve shumë të mira e Kosovës dhe Shqipërisë me Italinë”, duke e cilësuar këtë të fundit si mikpritëse e komuniteteve të mëdha të emigranteve nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës. Në fund të Bushati e Hoxhaj, u shprehën se “ky përfaqësim përbën një formë moderne të asistencës së ndërsjellët dhe është shprehje e vullnetit për të lehtësuar e përmirësuar shërbimet për qytetarët tanë jashtë vendit.”