Bursat italiane për studentët, si përzgjidhen kandidatët

305
Si përpilohet kërkesa, procedurat e seleksionimit, shlyerja e taksave, mbulimi i sigurimeve dhe pagesa
Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë ka publikuar procedurat dhe kriteret e përzgjedhjes së studentëve, të cilët do të përfitojnë bursat e studimit. Kandidaturat do të shqyrtohen nga një komitet i ngritur pranë përfaqësisë diplomatike, përgjegjëse për territorin përkatës. Në rastin e Shqipërisë kjo procedurë do të kryhet nga Ambasada italiane në Tiranë. Selia diplomatike italiane do të vendosë për dhënien e bursave të studimit mbi bazën e vlerësimit krahasues mes kandidatëve të paraqitur, nga plotësimi i kërkesave dhe kritereve të lidhur me meritën dhe/ose përsosmërinë e curriculum-it të kandidatit. Ndërkohë, për të gjithë kandidatët fitues do të jepet një pagesë prej 900 euro në muaj për të mbuluar qëndrimin në Itali. Më 16 mars 2018 u hap thirrja për dhënien e bursave të studimit që ofrohen nga qeveria italiane për vitin akademik 2018-2019. Ministria italiane e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar njoftoi se ofron bursa studimi në favor të studentëve të huaj për vitin akademik 2018-2019, me objektivin për të favorizuar bashkëpunimin në fushën kulturore, shkencore dhe teknologjike, projektimin e sistemit ekonomik të Italisë në botë dhe përhapjen e njohjes së gjuhës dhe kulturës italiane. Bursat e studimit janë ofruar për të zhvilluar programe studimi, formimi ose kërkimi pranë universiteteve shtetërore italiane ose atyre të njohura ligjërisht. Afati i fundit i aplikimit është data 30 prill 2018.
Paraqitja e kërkesës
Kandidaturat për zgjedhjen mbi shpërndarjen e bursave të studimit duhet të jenë të dërguara vetëm online, duke hyrë në portalin e studimeve në Itali në këtë adresë https://studyinitaly.esteri.it, nëpërmjet regjistrimit me emër dhe fjalëkalim. Duhet klikuar në këtë link https://studyinitaly.esteri.it/registrazione për të nisur procedurën e regjistrimit. Kandidaturat online duhet të jenë dërguar nga vetë kandidati brenda orës 14:00 të datës 30 prill 2018. Kandidaturat e mbërritura pas këtij afati do të konsiderohen të papranueshme. 

Procedurat e përzgjedhjes dhe dhënies së bursës
1 – Përzgjedhja e kandidatëve
Kandidaturat do të shqyrtohen nga një komitet i ngritur pranë përfaqësisë diplomatike, përgjegjëse për territorin përkatës. Për kandidatët e shtetësisë siriane, seleksionimi i kandidatëve do të bëhet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimi Ndërkombëtar, nëpërmjet ngritjes së komisioni të posaçëm. 

2 – Procedurat e dhënies së bursës
Dhënia e bursave të studimit do të bëhet mbi bazën e vlerësimit krahasues mes kandidatëve të paraqitur, nga plotësimi i kërkesave dhe kritereve të lidhur me meritën dhe/ose përsosmërinë e curriculum-it të kandidatit.

3 – Publikimi i renditjes
Përfaqësia Diplomatike kompetente do të realizojë publikimin e renditjes së fituesve dhe rezervave të mundshme në faqen e internetit të secilës përfaqësi.

Pagimi i taksave
Fituesit e bursave të studimit, të ofruara nga qeveria italiane, mund të përfitojnë nga përjashtimi prej taksave të regjistrimit dhe të kontributeve universitare, mbi bazën e ligjit dhe normave për autonominë e universitetit. Përjashtimi nuk zbatohet për kurset e avancuara të gjuhës dhe kulturës italiane për të cilët është i nevojshëm pagimi i taksës së regjistrimit.

Mbulimi i sigurimit shëndetësor
Përfituesit e bursës së studimit do të marrin gjithashtu edhe një policë siguruese për mbulimin e shpenzimeve të mundshme për sëmundje ose dëmtime, vetëm për kohëzgjatjen e bursës së studimit, në ngarkim të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Janë të përjashtuara nga mbulimi i sigurimit shëndetësor sëmundjet që lidhen me kushtet fizike ose patologjike që kanë ekzistuar më parë.

Pagimi i bursës
Fituesi i një burse studimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme do të marrë një pagesë mujore prej 900 euro, me pagesa tremujore në një llogari bankare të tij pranë një banke italiane. Pagesa e bursës së studimit mund të bëhet pas regjistrimit në institutin universitar të zgjedhur dhe pas paraqitjes nga ana e bursistit të dokumentacionit të kërkuar në bazë të procedurave të nevojshme burokratike. Kësti i fundit i pagesës do të lëshohet pas pranimit të ecurisë pozitive të rrugëtimit akademike të fituesit të bursës. Bursa e studimit mbulon vetëm ndjekjen e kursit në territorin italian. 

Papajtueshmëria
Bursa e studimit e dhënë është e papajtueshme me çdo lloj tjetër burse të lëshuar nga qeveria italiane ose entet publike italiane.
5 hapat për të studiuar në Itali
1 – Bëj zgjedhjen tënde. Kërko një kurs specifik ose një universitet.
2 – Njohja e titujve. Për të bërë një kërkesë për një kurs studimi është e nevojshme të zotërosh një diplomë të shkollës së mesme, të lëshuar pas një frekuentimi minimal prej 12 vitesh. Kjo diplomë duhet të njihet nga autoritetet italiane.
3 – Regjistrimi në një universitet italian.
4 – Sigurimi i vizës. Nëse je një student ndërkombëtar mund të kesh nevojë për pajisjen me një vizë hyrjeje në Itali.
5 – Informacione të nevojshme. Mblidh informacione për të organizuar qëndrimin dhe jetesën në Itali.
Tipologjia e bursave të studimit
1 – Kurse universitare për Diplomë Master (cikli i dytë)
Bursat e studimit për kurse universitare të Diplomave Master mund të kenë një kohëzgjatje prej 6 ose 9 muaj. Për t’u regjistruar në vitin e parë të një kursi diplome të ciklit të dytë në Itali, kandidati duhet të ketë përfunduar një cikël studimesh të nivelit të parë në vendin e tij të origjinës. Për t’u regjistruar në vitin e dytë, kandidati duhet të ketë përfunduar provimet e vitit të mëparshëm. 

2 – Kurse të formimit të lartë profesional, artistik dhe muzikor (AFAM)
Bursat e studimit për kurse të formimit të lartë profesional, artistik dhe muzikor (AFAM) mund të kenë një kohëzgjatje prej 6 ose 9 muaj. Për t’u regjistruar në këto kurse në Itali, kandidati duhet të plotësojë kriteret e kërkuara nga universiteti që ka zgjedhur. 

3 – Doktoratura kërkimi
Bursat e studimit për doktoratura kërkimi mund të kenë një kohëzgjatje prej 6 ose 9 muaj. Për t’u regjistruar në një program të tillë në Itali, kandidati duhet të plotësojë kriteret e universitetit që ka zgjedhur dhe të zotërojë letrën e pranimit nga universiteti italian. 

4 – Projekte studimi të përbashkëta (të mbikëqyrura)
Bursat e studimit për projekte studimi të përbashkëta mund të kenë një kohëzgjatje prej 6 ose 9 muaj. Kandidati që dëshiron të përfitojë nga një bursë për të zhvilluar një projekt studimi të përbashkët duhet t’i bashkëngjisë kandidaturës edhe programin e kërkimit, duke treguar edhe emrin dhe kontaktet (e-mail) të docentit mbikëqyrës të kërkimit, krahas letrave të pranimit nga instituti pritës. Kjo tipologji e bursave të studimit mund të jepet për aktivitete kërkimi pranë enteve publike të kërkimit (CNR, ISS, INFN, INAF, ISPRA etc.), në mbikëqyrje të përbashkët me universitetet publike shtetërore, entet muzeale dhe arkivistë të njohur.

SHENIM: Për disa kurse të Diplomës Master ose pranë institucioneve AFAM, regjistrimi bëhet pas kalimit të provimit të pranimit. Kandidatët janë të ftuar të verifikojnë pranë institucionit universitar ose AFAM-it të zgjedhur nëse është parashikuar një test paraprak pranimi.

5 – Kurse të gjuhës dhe kulturës italiane
Bursat e studimit për kurse të gjuhës dhe kulturës italiane janë të përcaktuara vetëm për studentët, të cilët frekuentojnë një kurs të italishtes në nivelin universitar dhe kanë një kohëzgjatje prej 3 muajsh. Kandidati duhet t’i bashkëngjisë kërkesës edhe një certifikatë ose dokument që provon njohjen e gjuhës italiane nga niveli A 2 i Kuadrit të Përbashkët Evropian

(https://www.linguaitaliana.esteri.it/data/lingua/corsi/pdf/tabella_certificazioni.pdf).