Bullgaria i kërkon BE-së 80 mln euro për të forcuar kufijtë

419
Sigal

Qeveria bullgare i ka kërkuar Bashkimit Evropian një fond shtesë në masën 80 milionë euro me qëllim për të forcuar vigjilencën ndaj fluksit të emigrantëve.

Në vitet e fundit, unioni raportohet se ka financuar konsolidimin e kontrolleve kufitare në Bullgari me rreth 150 milionë euro.

Sipas Ivo Cekov, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare ballkanike në Universitetin e Sofjes, fluksi i refugjatëve në Bullgari është një çështje që shqetëson Bullgarinë dhe BE-në.

Cekov: “Vitet e fundit ka pasur një fluks të madh njerëzish që vijnë nga Lindja e Mesme, kryesisht nga Siria, por edhe nga Azia Qendrore apo Afrika e Veriut. Ky është kthyer në një problem për Bullgarinë, dhe tani ka ardhur koha të vendosim disa protokolle të caktuara se kush duhet të hyjë në Bullgari dhe më tej në Bashkimin Evropian. Problemi i emigracionit shtrihet më gjerë sesa Bullgaria, duke rrezikuar kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian.”

Çështja e emigracionit ishte edhe fokusi i një takimi që kryeministri bullgar Bojko Borisov mbajti këtë fundjavë me homologun e tij grek, Aleksis Cipras.

Dy zyrtarët e lartë deklaruan se po presin që Rumania të marrë presidencën e radhës të Bashkimit Europian, në mënyrë që të propozojnë zgjidhje konkrete për problemin e emigracionit, pasi nuk mund të mbajnë dot peshën e solidaritetit ndaj refugjatëve.