Bullgari, shpërthen autobusi me hebrenj, Netanjah fajëson Iranin

2061
Sigal

SULM TERRORIST/ Ngjarja ndodhi në aeroportin e qytetit të Burgasit, ku 7 persona humbën jetën dhe 30 të tjerë u plagosën

Një shpërthim në një autobus me turistë hebrenj në Bullgari shkaktoi vdekjen e shtatë personave dhe plagosjen e më shumë se 30 të tjerëve, lajmëruan autoritetet bullgare. Ngjarja ndodhi pranë aeroportit të qytetit të Burgasit, pranë brigjeve të Detit të Zi. Nga të dhënat paraprake, ekzistojnë dyshime të forta se ngjarja mund të jetë në të vërtetë një sulm terrorist. Një dëshmitar deklaroi për një televizion izraelit tha se shpërthimi ndodhi menjëherë pas ngjitjes së vrullshme të një pasagjeri në autobus, çka rrit dyshimet mbi mundësinë e një sulmi vetëvrasës me bombë. Agjencia “Reuters” lajmëroi se aeroporti i Burgasit u mbyll menjëherë pas incidentit për arsye sigurie dhe të gjitha fluturimet u devijuan për në Varna. Në janar, për shkak të disa dokumenteve të rënë në dorë të Shërbimeve Sekrete Izraelite, “Mossad”, Tel Avivi zyrtar i kërkoi Bullgarisë që të rriste nivelin e sigurisë, gjatë shoqërimit të turistëve hebrenj në vend. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00 të pasdites së djeshme me orën lokale në terminalin e aeroportit. Autoritetet vendase kanë konfirmuar numrin e viktimave, ndërkohë që mediat raportojnë për rritje të bilancit të viktimave. Ende nuk ka pamje nga vendngjarja, ndërsa sipas mediave izraelite bëhet fjalë për një shpërthim të provokuar nga një terrorist kamikaz.

Netanjah: “Do i përgjigjemi me dhunë Iranit”

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu fajësoi Iranin pas atentatit që shkaktoi 7 të vdekur izraelitë, dje në aeroportin e Burgasit, në Bullgari. “Të gjitha shenjat të lënë të nënkuptosh Iranin”, deklaroi Netanyahu me anë të një komunikate për shtyp, duke shtuar: “Në muajt e fundit kemi parë përpjekje që iranianët të sulmojnë izraelitët në Tajlandë, Indi, Gjeorgjia, Kenia, Qipro, dhe gjetkë”. Sipas Njetanjahut shpërthimi ndodhi në përvjetorin e 18-të, të sulmit që shkatërroi një ndërtesë hebraike në Argjentinë. Një tragjedi që sipas Izraelit u organizua nga shërbimet sekrete iraniane. “Terrorizmi iranian vijon të vrasë izraelitë të pafajshëm. Kjo është një fushatë e dhunës terroriste në një shkallë globale. Izraeli do të përgjigjet me forcë për të terrorizmit iranian”,- deklaroi Netanjahu. 7 persona humbën jetën dhe 30 të tjerë u plagosën pas atentatit kundër një autobusi me turistë izraelitë në aeroportin bullgar të Burgasit.