Britania mban zgjedhjet e përgjithshme

63
Në Britani mbahen sot zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të përcaktojnë se kush do t’i udhëheqë negociatat për daljen e këtij vendi nga Bashkimi Evropian.

Analistët politikë thonë se zgjedhjet mund të kenë ndikim edhe në vendimin e Skocisë, për të mbajtur ose jo referendum të ri për pavarësi nga Mbretëria e Bashkuar.

Votuesit – rreth 46.9 milionë të regjistruar – do të zgjedhin 650 deputetë.

Partia Konservatore e kryeministres Theresa May pritet të zgjerojë shumicën në Parlamentin britanik, por jo sa ka shpresuar.

Sondazhet më 4 qershor e kanë nxjerrë atë në epërsi me rreth 43 përqind të votave, përballë Laburistëve me 36 deri në 37 përqind.

Theresa May ka thënë se i duhet të rrisë fuqinë e Partisë Konservatore, me qëllim që të forcojë pozicionin e saj në negociatat për Brexit, shkruan Evropa e Lire.