Britania e Madhe voton

458
Britania e Madhe po voton të enjten në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të përcaktojnë se kush do të drejtojë negociatat për largimin e këtij vendi nga Bashkimi Evropian.
Në muajin prill, kryeministrja britanike, Theresa May, kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme me shpresë se do të sigurojë mbështetje të fuqishme për qeverinë e saj në bisedimet për largimin nga BE-ja
Rreth 47 milionë votues të regjistruar duhet të zgjedhin 650 deputetë të parlamentit britanik, në zgjedhjet e sotme që për shumë vëzhgues mund të ushtrojnë ndikim edhe në vendimin e Skocisë, për të mbajtur ose jo referendum të ri për shkëputje nga Mbretëria e Bashkuar.
Partia Konservatore e kryeministres Theresa May kishte shpresuar për një rritje të shumicës por anketat e fundit e nxorën atë më poshtë nga ç’priste. Sipas tyre ajo kryesonte me 43 për qind të votave, kundruall Laburistëve me 36 deri në 37 për qind.
Fushata për zgjedhjet e sotme është zhvilluar nën debatet për sigurinë kombëtare në Britaninë e cila u godit nga tre sulme terroriste në muajt e kaluar.
Në sulmin e fundit më 3 qershor militantët vranë shtatë persona dhe plagosën 48 të tjerë.
Terrorizmi, BREXIT-i dhe ndarja e mundshme e Mbretërisë së Bashkuara janë sfidat kryesore për fituesin e zgjedhjeve të së enjtes.
Sigal