Britania e Madhe i hap luftë gotave njëpërdorimëshe të kafesë

696
Një grup deputetësh britanikë propozuan këtë të premte të taksonin qindra miliona gota letre njëpërdorimshe që prodhohen çdo vit në vend dhe që këto para të shkojnë për përmirësimin e riciklimit të tyre. Anëtarët e komisionit parlamentar për mjedisin i sugjeruan qeverisë që përdoruesit të paguajnë 25 peni për gotë (28 cent të euros ose 34 cent të dollarit), një taksë që është emërtuar si “taksë late” (latte levy), nga emri i kafesë me qumësht.
“Çdo vit përdoren 2.500 milionë gota në Mbretërinë e Bashkuar, mjaftueshëm sa për të mbështjellë tokën 5 herë, e asnjë prej tyre nuk riciklohet,” – sqaroi presidentja e këtij komisioni, deputetja Mary Creagh. Fondet e mbledhura do të shërbejnë për qëllimin e riciklimit të të gjithë këtyre gotave para vitit 2023. Nëse kjo gjë nuk realizohet deputetët besojnë se qeveria duhet të ndalojë këto gota. Gjithashtu deputetët thonë se ata prodhues që përziejnë letrën me plastikën duhet të paguajnë më shumë. Disa kompani zinxhir të kafesë po merren me këtë problem dhe ofrojnë zbritje për ata klientë që sjellin vetë gotat e tyre. Starbucks ofron një zbritje prej 50 penish, por kjo nuk ka ndryshuar gjërat, pasi vetëm 1.8% e klientëve të tij sjellin gotën e vet. 


Sigal