Britania, e gatshme për të rritur kontributin kundër ISIS

433
Pas sulmit të fundit në Tunizi të frymëzuar nga ideologjia e ISIS, i cili la të vrarë 38 vetë nga të cilët 30 britanikë, Britania po analizon mënyrat për ta luftuar këtë grup terrorist. Kryeministri David Cameron ka njoftuar politika të reja me synimin për të luftuar propagandën e grupit dhe për të mos lejuar që britanikët t’i bashkohen ISIS. Kjo është një video e re nga ISIS, ku siç pretendon grupi shihet ekzekutimi i ushtarëve të qeverisë siriane.
Pikërisht këtë propagandë duhet të luftojmë, thotë kryeministri David Cameron: “Do të vëmë në zbatim kapacitete të reja të përqëndruara tek këta individë dhe udhëheqës për të mos lejuar që ata të përhapin urrejtje”. Kritikët thonë se zoti Cameron ka vënë në shenjestër mbarë komunitetin mysliman. “Ai ka dalë me një retorikë të qartë përçarëse. Ai nuk do të debatojë, por t’u mbyllë gojën kundërshtarëve”.
Por këto politika u pritën pozitivisht nga grupe që luftojnë ekstremizmin. Megjithatë, analistët nuk janë krejt të bindur se politikat e reja do të jenë në gjendje të eliminojnë efektin e propagandës së ISIS që ushqen rekrutimet. “Ajo që mungon nga kjo metodologji në përgjigje të radikalizimit dhe ekstremizmit është fakti se faktori numër një që i bën njerëzit të radikalizohen është koncepti i suksesit”.
Zoti Ashraf thotë se duke marrë nën kontroll hapësira të mëdha në Irak, ISIS e ka fuqizuar propagandën e tij dhe shton se këtu duhet të përqëndrohet kundërpërgjigja: “Mënyra kryesore e kundërpërgjigjes është ballafaqimi me ta në fushën e betejës”.
Qeveria britaniake po debaton masa të ndryshme kundër ISIS në Siri, por ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave tokësore. “E kemi të qartë se çdo veprim duhet të merret në forma që nuk ofrojnë mbështetje për regjimin e Presidentit Assad”.
Perëndimi duhet të ndjekë prioritetet e veta, thotë analisti Ashraf: “Regjimi i Asadit është një sfidë jo aq prioritare sa ISIS. Deri kur të zgjidhim këtë sfidë, për fat të keq do të ballafaqohemi me përhapje konfliktesh për dekada me radhë”. Shtetet e Bashkuara po udhëheqin fushatën ajrore të vendeve aleate kundër ISIS. David Cameron ka në plan ta rrisë kontributin britanik për këtë mision, përtej kufijve të Irakut dhe Sirisë, por në radhë të parë i duhet miratimi i parlamentit dhe për këtë mund të duhen disa muaj.
Sigal