Britani vendos javën tjetër nëse do të sulmojë ISIS-in

452
Kryeministri britanik David Cameron ka hedhur një hap konkret sa i përket propozimit për t’u bërë pjesë në koalicionin kundër Shtetit Islamik. Ai ka prezantuar në parlament planin e tij, ndërsa ka thënë se janë në interesin kombëtar të Britanisë sulmet kundër ISIS.  Kryeministri mohoi pretendimet se kjo lëvizje do ta bënte vendin e tij një objektiv për sulme terroriste. Por lideri i Partisë Laburiste Jeremy Corbyn kërkoi garanci se Britania e Madhe nuk do të marrë pjesë në një luftë tokësore kundër ISIS. Edhe Corbyn deklaroi se Shteti Islamik përbën një kërcënim për Britaninë.
Për këtë çështje parlamenti do të diskutojë e më pas të votojë javën e ardhshme. Në planin prej shtatë pikash të Cameronit përfshihen më shumë masa antiterror, avancimi i një zgjidhjeje politike me një qeveri siriane që të përfaqësojë të gjithë sirianët, mposhtja e ISIS-it përmes veprimeve ushtarake dhe më tej.  Një pikë tjetër është mbështetja humanitare për sirianët, një projekt për stabilizimin dhe rindërtimin e Sirisë, si dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë për të pakësuar ndikimin e ISIS-it në stabilitetin e rajonit. 
Sigal